Zëri i Amerikës, si u themelua kjo media, rrëfehet në faqet 218-222 të librit.
Lufta e Dytë Botërore hyri në vitin e tretë në vjeshtë 1941. Sunduesit autoritarë që kishin marrë pushtetin në Gjermani, Itali e Japoni po nënshtronin një nga një vendet e pavarura të Botës së Vjetër. Popujt po përjetonin tmerrin e konfliktit më të egër të historisë dhe në mbarë rruzullin qenë përhapur drithërimat për ekzistencën e qytetërimit njerëzor. Shtetet e Bashkuara ishin përpjekur të ruanin deri vonë neutralitetin. Por si vend demokratik, Amerika nuk e shihte me sy të mirë përhapjen e Fuqive të Boshtit dhe filloi të përkrahte kundërshtarët e tyre. Amerikanët, megjithatë, nuk ishin të gatshëm për luftë. Shtetet e Bashkuara nuk ishin këndellur ende mirë nga vuajtjet e “Depresionit të Madh”, krizës më të rëndë ekonomike në historinë e vendit. Ndërsa edhe kujtimet e Luftës së Parë Botërore i kishin shtyrë shumë amerikanë të urrenin konfliktin e armatosur dhe të besonin në paqe dhe dialog si rrugë për zgjidhjen e problemeve.
Mirëpo, siç thotë kolegu Dejvid Xharmul, duke përshkruar periudhën mes luftërave botërore, udhëheqësit autoritarë të asaj kohe, “ishin më fort të dëgjueshëm ndaj rraptimave të çizmeve të ushtarëve sesa ndaj fjalëve fisnike të paqes.” Lufta qe e pashmangshme, çfarë u vërtetua në mëngjesin e 7 dhjetorit, kur japonezët sulmuan territorin sovran të ShBA-së. Avionët luftarakë të shtetit aziatik zunë amerikanët të papërgatitur, duke sulmuar befasishëm bazën ushtarake në Përl Harbor, në ishujt e Havait në Paqësor. Ngjarja tronditi publikun në tokën amë apo trevat kryesore të vendit në Amerikën Veriore. Ajo ditë, tha presidenti Franklin Delano Ruzvelt, është “datë që do të jetojë në turp”.
Kongresi i shpalli luftë Japonisë më 8 dhjetor, duke shënuar hyrjen e ShBA-së në Luftën e Dytë Botërore. Sakaq, vendi u gjend në një konflikt për të cilin nevojiteshin përgatitje të shumëfishta dhe të gjithanshme. Për dallim nga regjimet autoritare, Shtetet e Bashkuara nuk ishin përqendruar në ngritjen e kapaciteteve ushtarake. Por përveç armëve e municionit, amerikanët po përballeshin me sfida në shumë fusha të tjera. Ndërsa kishin hyrë në një luftë ku do të luftonin përkrah popujve të tjerë, ata panë nevojën edhe për të fuqizuar mjetet e informimit dhe komunikimin me botën e jashtme.
Në orvatjet e para drejt atij qëllimi, Zyra e Bashkërendimit të Informimit (Office of the Coordination of Information, COI), agjenci e administratës së presidentit Ruzvelt, u angazhua për themelimin e një transmetuesi publik të ShBA-së. Valët e radios mundësonin një platformë të volitshme për komunikim dhe shfrytëzimi i tyre qe bërë i patjetërsueshëm që prej fillimit të luftës. COI mblodhi mendje të shquara të kohës nga fusha të ndryshme — gazetari, gjuhësi, letërsi, diplomaci, art, teatër e inxhinieri — me qëllimin e vetëm për t’i sjellë publikut ndërkombëtar the Voice of America — Zërin e Amerikës.
Në atë periudhë, transmetimet në radio, përfshirë programet në gjuhë të huaja, ishin veprimtari e kompanive private në Shtetet e Bashkuara. Siç kujton gazetari Alan Hajll, qeveria amerikane i hyri kësaj pune shumë vonë. “Bashkimi Sovjetik,” shkruan ai, “kishte dy dekada përvojë; Britania, një dekadë; dhe Franca e Gjermania, gati një dekadë.” E vetmja përvojë në transmetime ndërkombëtare e amerikanëve kishte qenë në vitin 1940, kur ishin përgatitur disa programe radioje për Amerikën Latine. Por tani rrethanat dhe nevojat po shënonin një kthesë dhe amerikanët ishin gati të linin gjurmët e tyre në një punë të re.
Në shkurt 1942, Zëri i Amerikës filloi transmetimin me një program në gjuhën gjermane. Uilliam Harlan Hejll, “autor librash dhe moderator me përvojë që fliste gjermanishten me një çik theksi amerikan,”18 lexoi fjalët e para për dëgjuesit në kontinentit e vjetër: “Ju flet Zëri i Amerikës… Sot, e prej tani përditë, do t’ju flasim për Amerikën dhe luftën… Lajmet mund të jenë të mira ose të këqija për ne. Por ne do t’ju themi të vërtetën.”
Zëri i Amerikës kremton themelimin më 24 shkurt.
Siç rikujton Alan Hajll, autor i një libri gjithëpërfshirës mbi Zërin e Amerikës, programi i parë u përgatit në atë datë por nuk arriti të transmetohej në Europë deri më 25 shkurt. Mirëpo fotografi Kris Kern, ish-punonjës i VOA-së, mendon se emisionet e radios duhet të kenë filluar shumë më herët, të paktën më 1 shkurt. Në këtë përfundim, Kerni arrin duke marrë për bazë skriptin më të hershëm që kemi në dispozicion për emisionin në gjuhën gjermane. Në atë dokument figuron data 3 shkurt dhe nga përmbajtja kuptohet mirë që nuk është emisioni i parë. Dokumente që vërtetojnë datën 1 shkurt nuk janë ruajtur. Por duke marrë për bazë skriptin e 3 shkurtit, në të cilin vërehet edhe numri romak III, autori Kern sugjeron se Zëri i Amerikës mund të ketë filluar transmetimet më herët qysh më datën 1 të muajit. Fillimin e emisioneve të radios ditën e parë të muajit e pranon edhe historia zyrtare e Zërit të Amerikës, që për më tepër thekson se programi i parë u transmetua “56 ditë pas sulmit japonez në Përl-Harbor dhe hyrjes së Shteteve të Bashkuara në LIIB.”
Cilado qoftë data e saktë, puna në vazhdim u intensifikua dhe shpejt nisën transmetimet edhe frëngjisht, italisht dhe anglisht në programe çerekorëshe. Zëri i Amerikës filloi të bënte bujë dalëngadalë dhe të krijonte risi me mënyrën e veçantë të transmetimit. Emisionet, posaçërisht programi Amerika thërret Europën, filluan të emetoheshin me zëra të ndryshëm: njëri folës lexonte lajmet kryesore e të tjerët lexonin citatet e hollësi, duke u dhuruar përmes fuqisë së zërit të tyre një ngjyrim më njerëzor ngjarjeve të zymta të asaj kohe. Një synim tjetër ishte edhe që Zëri i Amerikës të shkëputej nga tradita e transmetuesit britanik BBC, që jepte lajmet me vetëm një folës.
Ditët e para të Zërit të Amerikës nuk ishin aspak të lehta. Gazetarët, redaktorët, teknikët e inxhinierët po përgatisnin materialet në hapësirë të pamjaftueshme për punë në zyrat e ndërtesave që ishin marrë me qira në qytetin e Nju-Jorkut. Sa për ta rritur edhe më shumë tollovinë, për të gjithë institucionin ishin në gatishmëri fillimisht vetëm dy studio. S’kishin faj folësit që, siç rikujton Hejlli, duke hyrë e dalë shpejt e shpejt nga studiot t’i shkelnin këmbën njëritjetrit apo prej ngarkesës së punës të këmbenin dhe ndonjë fjalë të pakëndshme. Por ato nuk paraqitën pengesë që lajmet e Zërit të Amerikës të linin vragën e tyre anembanë dhe t’u sillnin shpresë popujve të pushtuar. Dëgjuesit nga Franca dërguan letër qysh në atë kohë, duke përshkruar me mirënjohje rolin e radios amerikane. “Me aq padurim i presim fjalët tuaja,” shkruan francezët, “dhe aq shpejt përhapen ato në mesin tonë.” Mbase po aq me ngut sa edhe përgatiteshin lajmet për transmetim nga brigjet perëndimore të Atlantikut.
Qeveria federale u përpoq të vërë në dukje sukseset e Zërit të Amerikës edhe përmes një hulumtimi më 1943. Siç shkruante revista Time, raporti qeveritar ishte vetëm një përmbledhje e njoftimeve të rastit. Por për kohën, ato mund të shërbenin si tregues i mirë për fuqinë e tejçuesit amerikan në Europën e kapluar nga lufta. Në Zvicrën e papushtuar, shtypi botonte reklama për programin e Zërit të Amerikës, kurse gazetat ilegale të Polonisë ishin përplot me lajme nga radioja amerikane. Aq më tepër, vetë transmetuesit gjermanë dhe italianë kishin filluar të kundërshtonin Zërin e Amerikës.
Një shkrim i po atij viti, ndërkaq, është tejet kritik ndaj radios amerikane. Duke përmendur si burim të dhëna zbulimi në Itali, revista Time thotë se disa dëgjues antifashistë nuk ishin të kënaqur me programet e Zërit të Amerikës. Për nga toni mund të dyshohet se artikulli paraqet vetëm ankesat, por jo dhe lëvdatat e italianëve, ndonëse përmenden hapa konkretë që amerikanët kanë ndërmarrë për të përmirësuar dhe zgjeruar rolin e radios së tyre. Në fakt, kritikat e mediave private përsëriteshin herahershëm dhe nuk duhet parë më shumë se një zhvillim i konkurrencës. Ishin gazetat amerikane ato që e bënë të madhe një koment jodiplomatik të Zërit të Amerikës, që quante Viktor Emanuelin III “mbret i vocërr e tutkun” (“moronic little king”), në një kohë kur ai po kalonte në anën e Aleatëve.
Mirëpo gjuha e ashpër në rastin e monarkut italian flet për pavarësinë që gëzonte Zëri i Amerikës. Komenti pati pasoja për disa prej drejtuesve të Zërit që u detyruan të largohen, por radioja vetëm sa intensifikoi përpjekjet e vazhdueshme në ndjekje të së vërtetës.
Zëri i Amerikës u ndodh në ballë të njoftimeve për zhvillimet e luftës, si në ditët e vështira por edhe gjatë kthesës së madhe. Në fakt, vetëm duke tejçuar pa hile të vërtetën, përkundër lajmeve të këqija për Aleatët, VOA ia doli të fitonte besimin e dëgjuesve, madje dhe armiqve të Amerikës. Në edicionet e lajmeve të asaj kohe, u njoftua për disfatat e Aleatëve në Paqësor dhe gjetkë, sikur për të përgatitur terrenin për lajmet e mira që do të vinin. Xhon Hauzmen, kreu i Zërit të Amerikës në atë kohë, shpjegoi më vonë se vetëm duke treguar të vërtetën “do të mund të fitonim namin për ndershmëri, që shpresonin të na shpaguhej në atë ditë të largët por të pashmangshme kur do të fillonim të transmetonim për pushtimet dhe fitoret tona.” Kjo me gjasë luajti rol edhe në fillimin e kthesës në rrjedhën e luftës, kur njoftimet e Zërit të Amerikës për zbarkimin e amerikanëve e britanikëve në Afrikën Veriore patën jehonë të vërtetë në Europë.
Lexoni faqet 271-280 të librit duke klikuar këtu.
Mësoni më shumë rreth librit “Rrëfime lirie” duke vizituar këtë link.