Si u njoha me Zërin e Amerikës. Autori na tregon për këtë në faqet 198-202.
Një ditë vjeshte e vitit 1972 do të ndryshonte jetën time. Me miken time Koni u ulëm në mensën e zyrës rajonale të kompanisë Seifuei. Koni më ftonte shpesh të hanim drekë bashkë në mensën e kësaj zyre, sepse në fakt mua më takonte që të drekoja në mensën e fabrikës. Në tavolinën tonë u ul edhe një punonjës ukrainas i zyrës. Quhej Ivan dhe punonte me Konin. Në bisedë e sipër i shpjegova që jam shqiptar nga Kosova, e cila për momentin ishte nën kontrollin e Jugosllavisë.
— Me çfarë je marrë në vendlindjen tënde? — më pyeti Ivani.
— Kam punuar si mësues, — iu përgjigja.
— Ju qenkeni intelektual. Paskeni punuar si arsimtar. Unë të propozoj që ti të kërkosh të bësh një punë intelektuale.
Ivani më shpjegoi se bashkëshortja e tij punonte në shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës, në Uashington. Atë ditë, pas dreke, u ndamë me Ivanin. Më premtoi se do të bisedonte me të shoqen, të cilën do ta pyeste me imtësi se si bëhej rekrutimi në punë në atë institucion, si dhe do t’i kërkonte adresën e saktë. Këto të dhëna të hollësishme, më tha se do t’ia jepte mikes sime Koni, e cila do të m’i tregonte.
Pas dy ditësh u takova me Konin. Ivani ia kishte dhënë të gjitha të dhënat dhe tashmë mbetej vetëm që të shkoja e të paraqitesha te zyrat e Zërit të Amerikës në Uashington. Para se të shkoja, i telefonova Zyrës së Personelit në Zërin e Amerikës. M’u përgjigj njëra prej punonjëseve të kësaj zyre, Xhenet Dejvis. Ajo merrej me rekrutimin e nëpunësve të rinj të atij institucioni mediatik. Përcaktuam një ta- kim. Do të më prisnin paraditen e asaj dite vjeshte.
Koni më shoqëroi atë ditë me makinën e saj. Kishim adresën e Zërit të Amerikës, që gjendej në Avenynë e Pavarësisë, siç quhej, ose Independence Avenue 330. Ishte shumë pranë Kapitol-Hillit, kodrës ku ngrihet madhështore dhe krenare ndërtesa e Kongresit amerikan. Patëm pak vështirësi për ta gjetur saktësisht ndër- tesën e Zërit të Amerikës, por pas disa vërdallosjeve në atë zonë, për pak minuta ishim në vendin e duhur. Koni më tha se do të më priste në veturë.
Në hyrjen kryesore të Zërit të Amerikës kishte roje që kontrollonin çdo gjë. Dorëzova patentën, lejen e drejtimit të automjetit, si mjet identifikimi. Më pyetën për arsyen e vizitës. U thashë se kisha lënë një takim me punonjësen e Zyrës së Personelit. Prania e policisë, me rregulla të forta e të rrepta, më ftohu disi. Në zyrat qeveritare, ndryshe nga kompania private ku unë punoja, ndihej një klimë burokracie, që të bënte pesimist. Ata ishin roje që bënin punën e tyre për ruajtjen e sigurisë, por mua, që kisha vuajtur shtypjen dhe torturat e policisë sllave, m’u krijua një déjà vu dhe një pështjellim, ndonëse ai kontroll i rreptë nuk kishte të bënte me mënyrat çnjerëzore të trajtimit që serbët u bënin shqiptarëve. Pas pak minutash pritjeje, u shfaq zonja Dejvis, me të cilën kisha biseduar me telefon pak ditë më parë. Pasi më ofroi mirëseardhjen, zonja Dejvis më shoqëroi te zyrat e shërbimit në shqip të Zërit të Amerikës. Shefi i shërbimit në shqip në atë kohë, Xhozef Paskali kishte një zyrë paksa të ndarë nga pjesa tjetër e redaksisë.
Sapo u përshëndetëm, zonja Dejvis më tha që të rrija pak dhe të njihesha disi me pjesëtarët e shërbimit në shqip dhe i tha zotit Paskali, që të më bënte një tur nëpër zyrat dhe studiot e Zërit të Amerikës. Më pas më tha që ta takoja para se të largohesha për një bisedë në zyrën e saj. Aty ajo do më jepte formularët përkatës që duhet të plotësoja, për t’u pranuar në provim.
Në redaksinë e shërbimit në shqip, asokohe punonin Xhevat Kallajxhi, që ndodhej në një qoshk duke shtypur në një makinë të vjetër shkrimi. Në zyrë, atë ditë ishte edhe Talat Karagjozi, Kleanth Mima dhe Lui Prifti, me sa më kujtohet. Paskali u shpjegoi që unë isha një kandidat i mundshëm për të nisur punë në Zërin e Amerikës. Së bashku me Paskalin dolëm nga zyra për të vizituar disa studio dhe dhomën e lajmeve. Kur dolëm në korridor, Talat Karagjozi erdhi dhe më dha numrin e tij të telefonit e më tha që të kontaktoja me të e të bisedoja.
Pas një turi nëpër mjedise të ndryshme në Zërin e Amerikës me Xhozef Pas- kalin, shkova te zyra e zonjës Xhenet Dejvis. Ajo më dha disa formularë që duhej t’i plotësoja. Në bazë të atyre formularëve, Zyra e Personelit do të vendoste nëse do të më merrte në provim për t’u pranuar ose jo në Zërin e Amerikës. Ata do të më dërgonin një letër, përmes së cilës më kthenin përgjigje. U largova së bashku me Konin, e cila më priste jashtë, dhe mbeta në pritje të përgjigjes.
Një javë më vonë mora një përgjigje pozitive. Më njoftonin që duhet të plotësoja edhe disa dokumente të tjera që nuk i kisha bërë atë ditë. Provimin ma caktuan në shkurt të vitit 1973. Para se të shkoja në provim i telefonova edhe Talat Karagjozit, ashtu siç më këshilloi ditën e parë. Për të më ndihmuar, Talati më shpjegoi se si funksiononte provimi. Më tha se kur hyja në provim më jepnin edhe një fjalor anglisht–shqip, për t’u këshilluar për ndonjë fjalë të veçantë.
Ditën e përcaktuar nga Zyra e Personelit, u paraqita në Zërin e Amerikës për provimin. Zonja Dejvis më priti sërish. Më dha një fjalor anglisht–shqip, disa materiale në anglisht, si dhe një makinë shkrimi. Më tha se kisha katër orë kohë për ta kryer përkthimin. Më duhej që të përktheja një artikull të gjatë, që ishte një editorial i Zërit të Amerikës. Ishte një bllok lajmesh, me njoftime të ndryshme nga bota. Bëhej fjalë për ngjarjet e asaj jave. Gjithashtu ishte një analizë politike në gjuhën angleze, po e asaj jave.
Zonja Dejvis më këshilloi që në rast se hasja vështirësi në përkthimin e një fjale apo fraze të caktuar, të kapërceja, në mënyrë që të mos humbisja shumë kohë dhe të mbetesha pa e kryer provimin brenda orarit të caktuar. Gjatë testimit ndesha me disa fjalë, të cilat edhe me ndihmën e fjalorit nuk munda t’i përshtasja saktë në tekst. Ndoqa këshillën e zonjës Dejvis dhe i anashkalova, duke lënë një shënim të vogël në gjuhën shqipe, ku shkruaja që nuk e kisha të qartë si fjalë.
Pas përkthimit të atyre pjesëve, sipas rregullores së provimit, komentin editorial e lexova në një prej studiove. Ai zë u regjistrua në një kasetë audio dhe do të vlerësohej nga producenti Lui Prifti. Përmes këtij regjistrimi, ai do të përcaktonte nëse zëri im ishte i përshtatshëm apo jo për transmetim radiofonik. Të gjitha ato materiale ia dorëzova zonjës Dejvis sipas orarit të caktuar. Dosjen time, më vonë, ajo do ta dërgonte te shefi i shërbimit në shqip të VOA-s, Xhozef Paskali. Unë nuk e di se cili e ka bërë vlerësimin tim, por sipas rregullores, ato materiale Paskali ia jepte redaktorit Piter Tiko për ta shqyrtuar, ndërsa kasetën audio me zërin tim, ia jepte producentit, Lui Prifti, i cili po ashtu do të më vlerësonte.
U largova nga Zëri i Amerikës dhe për disa ditë vijova punën në fabrikën e Seifueit në Merilend, në pritje të përgjigjes. Nuk vonoi shumë dhe pas një jave, zonja Dejvis më lajmëroi se ishte e lumtur që po më informonte se provimi im ishte i pranueshëm dhe se kur të kisha kohë, të paraqitesha atje për të diskutuar për hollësitë e tjera.
Shkova edhe njëherë në zyrat e Zërit të Amerikës dhe u takova me shefin e shërbimit shqip, Xhozef Paskali. Ndoqa edhe një edicion radiofonik me producentin Lui Prifti. Ishte edicioni i mesditës, i orës 12, ose 6 pasdite, sipas kohës ven- dore në Shqipëri.
Në studion e transmetimit ishte Talat Karagjozi dhe Ruzhdi Daca. Për mua ishte një kënaqësi që ndodhesha i pranishëm në një moment ku Zëri i Amerikës transmetonte drejtpërdrejt në trevat tona. Sapo nisën transmetimin, ajo që më bë- ri përshtypje ishte shqipja që përdorën dy folësit. Njëri prej tyre, Ruzhdi Daca fliste një shkodranishte të pastër, ndërsa Talat Karagjozi, me dialektin e theksuar të toskërishtes. U habita se si në të njëjtin edicion lajmesh, kishte dialekte diamet- ralisht të ndryshëm.
Lui Prifti, një njeri shumë i mirë dhe i qeshur, më shpjegoi se kjo ishte një gjë normale te Zëri i Amerikës.
— Dialektet janë një pasuri e gjuhës shqipe. Nëse do ta mohonim një dialekt, do të ishte sikur shqipes t’ia këpusnim njërin krah, — më tha ai.
Paskëtaj dolëm nga studioja. Në redaksinë e atëhershme binte në sy mungesa e grave, që vihej re edhe në edicionet informative. Vazhdimisht lexonin disa burra të moshuar. As cilësia gazetareske dhe gjuhësore nuk ishte në ndonjë nivel të lartë. Por misioni i asaj radioje për përçimin e vlerave të demokracisë në trevat shqiptare përmbushej.
Vajta sërish te Zyra e Personelit, ku takova zonjën Dejvis.
— Në bazë të rregullores, — më tha ajo, — duhet të paraqitesh te shefi i shërbi- mit Xhozef Paskali për të biseduar për kushtet e punës.
U paraqita atje. Më tha se rezultati i provimit tim ishte i kënaqshëm, por jo mbresëlënës. Theksoi se më nevojitej të ushtrohesha më shumë për të pasur një rendiment më të mirë në punë, nëse do të nisja aty. Më foli edhe për nivelin e pagesës. Ai më vlerësoi me gradën GS-7 (Government Service, Shërbimi Qeveritar 7). Me anë të një tabele më tregoi se sa ishte kjo pagesë. Ishte një shifër e ulët, 35 për qind më pak nga sa merrja në Seifuei, që do të thotë, një pagesë vjetore prej 7 mijë dollarësh në vit.
— Do të mendohem, — i thashë Paskalit, — dhe do të të kthej përgjigje sa më parë të jetë e mundur.
— Në rregull. Mendohu e më njofto. Nëse vendos që të vish të punosh për ne, më thuaj sa më parë që të jesh e mundur, në mënyrë që të përgatisim dokumentet për hetimet rreth të kaluarës sate në Amerikë dhe në Kosovë, sipas rregullores.
Ky proces ishte normal për çdo punonjës që rekrutohej në Zërin e Amerikës. Quhej security clearance, apo certifikatë sigurie, përmes së cilës vërtetohej se ke pastërti në veprimtarinë e së shkuarës. Në mbrëmje i telefonoj Talat Karagjozit.
— Si u ndave me Paskalin? — më tha ai.
— Edhe mirë, por edhe jo fort mirë. Më ofroi vetëm 7 mijë dollarë në vit pagesë.
Nuk di ç’të bëj pasi nuk është pagesë e lartë.
— Mos e prano! — tha Talati. — Ai ka nevojë për njerëz, dhe pasi ta refuzosh,
do të të ofrojë një pagë më të mirë.
Të nesërmen i telefonova Paskalit. I kërkova të paktën një gradë më të lartë,
që nënkuptonte një pagë paksa më të mirë.
— Nuk mundem. Aq është e shumta që mund të të ofroj, — tha Xhozef Paskali. E falënderova për mundësinë e krijuar dhe i thashë që as unë nuk mundesha
të punoja me këtë nivel pagese. Me kaq përfundoi edhe përpjekja ime e parë për të nisur punë në Zërin e Amerikës.
Vijimin nga faqja 218-222 mund ta lexoni nëse vizitoni linkun.
Komente të tjera për librin “Rrëfime lirie” publikuar në media dhe në internet i gjeni duke klikuar këtu.