Faqet 86-92 të librit “Rrëfime lirie”. Rrëfehet për momentet kur autori burgoset për herë të dytë nga serbët, pas veprimtarive të tij në demonstratat e vitit 1968.
Po afrohej dhjetori i vitit 1968. Po përgatitesha për të shkuar edhe njëherë në Sarajevë për Vitin e Ri. Por, kjo nuk ndodhi, dhe Hanën nuk arrita ta shoh kurrë më. Familja jonë kishte një kushëri shumë të afërt që quhej Isak Salihu e që punonte në Bankën Popullore të Kosovës. Punoi për një kohë të gjatë në atë vend. Ai ishte shumë i afërt me mua. Në fund të viteve ‘50, unë dhe Isaku banonim në një banesë primitive në Prishtinë.
Pronare e asaj shtëpie ishte një serbe. Shtëpia ndodhej në Rrugën e Goleshit, numër 24. Kjo rrugë shtrihej nga qendra e qytetit e deri tek Ministria e Brendshme. Së bashku me ne jetonte edhe kushëriri im nga ana e nënës nga fshati Harilaç afër Sllatinës. Quhej Jonuz Zogiani. Më vonë në atë shtëpi erdhi edhe njëfarë Agush Sylaj nga fshati Henc afër Fushë-Kosovës.
Në mes të rrugës së Goleshit ishte çezma e qytetit. Uji ishte shumë i mirë. Një natë së bashku me Jonuzin, te çezma e qytetit vendosëm një pankartë me mbishkrimin “Rroftë Enver Hoxha”. Atëherë ishte e modës se nëse admiroje diktatorin do të thoshte eventualisht se ishe atdhetar, pa e ditur në fakt se çfarë ishte në të vërtetë Enveri. Meraku se mund të na kishte parë dikush na mbajti zgjuar atë natë. Por, kjo vepër “patriotike” nuk rezultoi asgjë.
Me xhaxhanë mbetëm gjithmonë shumë të afërt. Ai më ndihmoi dhe më pranoi në shtëpinë e tij gjatë shkollimit tim të mesëm në Prishtinë. Kjo ishte arsyeja që në vitin 1968, kur punoja në Shoqatën e Industrisë së Drurit, shkoja për kafe tek xhaxhai im i dashur, Isaku. Ai ishte njeri dashamir dhe mjaft i përzemërt.
Në mbrëmjen e së premtes të 27 dhjetorit 1968, shkova te xhaxhai im për të pirë një filxhan çaj dhe për të biseduar me të. Atë natë kishte rënë shi dhe rruga e Bihaçit ishte mbuluar e gjitha me baltë. Këpucët zhyteshin vazhdimisht në baltën që mbulonte gjithë vendin deri sa dilje në rrugën e shtruar afër Gjykatës së Qarkut. Rreth orës 10 të mbrëmjes, dola nga shtëpia e xhaxhait dhe po ecja në drejtim të qytetit. Aty nga mesi i rrugës ku nuk kishte as drita, më ndaluan dy policë dhe me pyetën për emrin.
— Po, — iu përgjigja. — Unë jam Shaqir Salihu.
— Kemi urdhrin e Gjykatës së Qarkut për arrestimin tënd. Të lutem që të mos shkaktohet ndonjë problem eja me ne në makinë dhe të shkojmë në komisariat. Më pas, nëse është bërë ndonjë gabim me arrestimin tënd, do të lëmë të lirë.
Nuk isha në gjendje të kundërshtoja. Ata ishin të armatosur dhe nuk kisha zgjidhje tjetër. Atë natë përfundova në burgun hetues të Prishtinës, pikërisht, aty ku kisha qenë dy vite më parë. Më morën orën, portofolin, duke numëruar edhe se sa para kisha në të, rripin, kravatën dhe lidhëset e këpucëve. Kësaj radhe më dërguan në dhomën numër 8. Edhe kjo ishte si qelitë e tjera, por të paktën kishte krevat për të qëndruar. Ishte edhe një shtrat i boshatisur në anën e kundërt.
Një nga rojet e burgut, serbi Dragisha, më njohu sapo më pa:
— Učo, opet si došao? — Shoku mësues, erdhe sërish?
Kësaj radhe isha shumë i indinjuar. Kisha menduar se për ne shqiptarët erdhi “pranvera”, por në fakt ishte “dimër”, sepse s’kishte ndryshuar asgjë. Duke çuar ndërmend gjendjen ku kishin rënë shqiptarët, iu drejtova Dragishës:
— Shiko, ne shqiptarët nuk jemi të lirë, si këtu, ashtu edhe jashtë. Për ne është burg gjithkund në Kosovë për sa kohë jeni ju serbët këtu.
Ai u përmbajt dhe nuk foli. Në fakt, rojet e kishin të ndaluar të futeshin në diskutime me të burgosurit. Këtë e vëreja në rastet, kur iu përgjigjesha dhe kundërshtoja ndaj tyre, dhe ata heshtnin menjëherë. Atë natë e kalova zgjuar, duke u përpjekur të shpjegoja faktin sesi përfundova sërish në burg. Aty lejohej pirja e duhanit. Kisha 10 a 12 cigare, të cilat mendoja t’i konsumoja në të rrallë pasi aty nuk të lejonin të blije cigare. Të nesërmen më sollën mëngjesin; ishte si ai mëngjesi i dy viteve më parë, një copë bukë dhe një tas me çaj. Për mua këtu çdo gjë ishte déjà vu dhe ikja e Rankoviçit nuk kishte sjellë asnjë ndryshim.
30 dhjetori ishte e hëna e parë pas arrestimit tim. Më ftuan në zyrat e inspek- torëve. Kësaj radhe ishte njëfarë Miço Bullatoviç, malazez. Ishte një burrë gjatosh, zeshkan dhe shumë serioz. Aty erdhi edhe dikush me emrin Boro Jashoviç. Boron e njihja sepse ai më kishte dhënë mësim në shkollën tetëvjeçare në Lipjan. Ai na mësonte gjuhën serbe.
— Po më njeh? — më pyeti.
— Po, — iu përgjigja.
Miço nuk fliste. Vetëm merrte shënime.
— Shaqir, e ke pasur bursën nga komuna e Lipjanit gjatë shkollës së mesme? — Po, — i thashë.
— Pas çlirimit, ta ka marrë ndokush tokën? Apo në tokën e babait tënd është vendosur ndonjë serb apo malazez?
— Jo, — iu përgjigja me zë të prerë. — por, ua kanë marrë të tjerëve. Ne kemi qenë dhe ende jemi një familje e varfër fshatare.
— Po çfarë po kërkoni atëherë? Republikë?
— Po, republikë. Malazezët, sllovenët dhe maqedonasit janë më pak se ne shqiptarët dhe i kanë republikat e tyre. Nëse ne shqiptarët do të ishim të bashkuar në një republikë, do të ishim republika e tretë më e madhe në Jugosllavi pas Serbisë dhe Kroacisë. Por, ndarja jonë administrative në tri republika është bërë me qëllim që, në të gjitha këto republika sllave, shqiptarët të mbetën pakicë. Zoti Jashoviç, ju mendoni se shqiptarët janë ata që dolën nga sundimi i Turqisë, 99 për qind analfabetë. Kanë mbaruar ato kohëra.
Miço Bullatoviç shkruante çdo gjë që flisnim. Boro ngriti vetullat lart duke shprehur habi.
— Po mirë, kush ua thotë juve të gjitha këto?
— S’ka rëndësi se kush na i thotë, por më thuaj a janë të vërteta apo jo? Gjatë atij takimi, ata më pyetën se kujt i kisha dërguar letra me thirrje për më shumë përpjekje në favor të Kosovës. Iu tregova haptas se i kisha shkruar edhe Fadil Hoxhës. Fadili kishte qenë kreu i titizmit në Kosovë. Boro e shau rëndë në serbisht Fadil Hoxhën, pasi sipas tij, nuk u kishte dorëzuar letrën që kishte marrë nga irredentistët. Aty e kuptova se këto letra, Veli Deva dhe Orhan Nevzati ua kishin dërguar UDB-së, kurse Fadil Hoxha siç dukej e kishte hedhur në shportë. Ky fakt më bënte me dije se Fadil Hoxha nuk ishte frikacak. Nëse dy udhëheqësit, Deva dhe Nevzati, të mos ua kishin dërguar UDB-së letrat e mia, UDB-ja nuk do ta kishte mësuar kurrë dhe unë do të vazhdoja punën i qetë.
Mirëpo, Boros dhe Miços, nuk ua merrte dot mendja se unë, një mësues i thjeshtë, me arsim të mesëm, të dija fakte të tilla historike.
Dy nga letrat që i kisha dërguar verën e 1968-s tre udhëheqësve shqiptarë të Kosovës, Hoxhës, Nevzatit dhe Devës, i kishin rënë në dorë të UDB-së, dhe tani ata kishin vendosur që të mos më burgosnin menjëherë, por të më shikonin më parë se me kë shoqërohesha. Ata ishin në dijeni të pjesëmarrjes sime aktive në demonstratën e nëntorit të një viti më parë. Ata më kishin vendosur një njeri nga pas, i cili madje edhe më kishte fotografuar.
Në një nga fotografitë që posedonin ata, ishte edhe ajo me historianin Tefik Geci, i cili në atë kohë jepte mësimet e historisë në Shkollën e Mesme Ekonomike në Prishtinë. Geci nuk ishte shoku im; ishte mik i ngushtë i tim vëllai, Ismetit. Por, unë kisha respekt të madh për profesor Gecin dhe sa herë që e takoja në qytet e përqafoja dhe madje ndonjëherë pinim kafe së bashku. Ai mbetet po aq si atëherë, një personalitet dhe intelektual i Kosovës. Inspektorët e Ministrisë së Brendshme e kishin pikasur profesorin dhe donin ta shtinin në dorë.
Mendja e tyre prodhonte skenarë të tillë, sipas të cilëve, tani ishte një rast i volitshëm që unë të isha dëshmitar, çka eventualisht sipas tyre, do të thoshte se profesori kishte sugjeruar dhe shkruar përmbajtjen e letrave. UDB-ja shkoi shumë larg me këtë punë. Morën letrat që posedonin dhe kërkonin t’i analizonin se çfarë makine shkrimi i kishte shtypur. Njërën prej letrave e dërguan në Beograd. Rezultatet iu kthyen në Prishtinë duke i rekomanduar UDB-së se ato letra ishin shtypur nga një makinë e llojit “Tops”. Detyra tjetër e tyre ishte që të shkonin në zyrën time dhe të shihnin se me çfarë makine shkrimi kisha punuar. Drejtori ua tregoi makinën time të shkrimit, ku shkruaja dhe përktheja materialet, që ne ia dorëzonim në mëngjes. Inspektorët e UDB-së shkruan një paragraf në makinën time të shkrimit dhe e dërguan në Beograd për të vërtetuar nëse ishte pikërisht ajo makinë nga e cila ishin shkruar letrat apo jo, zyrtarëve të lartë shqiptarë. E konstatuan më në fund se ato letra ishin shkruar në makinën time të shkrimit. Kjo ndodhi në vitin 1968.
Letrat në fjalë i shkrova në zyrën time në Prishtinë. Në shkrimin e tyre më ka ndihmuar edhe profesor Ismail Gashi nga Sllovia e Lipjanit. Ismailin e takova rastësisht ditën që kisha vendosur të shkruaja letrën. U ndesha në Korzo, ku njerëzit dilnin në shëtitje. I tregova planin tim dhe thjesht i thashë të vinte e të më shoqëronte. Bashkë shkuam në zyrën time dhe përpiluam letrën.
Vetë miku im i vjetër Ismail Gashi e përshkruan përmes një letre situatën e asaj kohe dhe se si shkuan gjërat:
Nga mesi i tetorit 1968, kur isha me studime, takova në Korzo, siç quheshin shëtitoret e mbrëmjes në atë kohë, mikun tim Shaqir Salihu. Shaqiri, pasi në vitin 1966 politika komuniste ia ndaloi punën e mësuesit, qe larguar për një kohë jashtë Kosovës. Pas Pleniumit të Brioneve, Shaqa u kthye në Kosovë, dhe meqë njihte mire shqipen dhe serbishten, nisi punë si përkthyes në një ndërmarrje tregtare, po ashtu përkthente edhe në Fletoren Zyrtare. Atë ditë kur e takova, Shaqiri më tha se donte që të shkonim në zyrën e tij për një punë, që e kishte menduar ta kryejmë së bashku. Zyrat ishin afër dhe shkuam menjëherë. Aty Shaqiri kishte një makinë shkrimi Tops, me cilindër të gjatë. Vendosëm letrat dhe shkruajtëm tekstin e letrës drejtuar udhëheqësve shqiptarë të Kosovës në atë kohë.
Letra kishte përmbajtje kundërshtimi ndaj synimeve të paralajmëruara në ndryshimet kushtetuese dhe pozitën e Kosovës. Në fund të letrës shënuam Gjykata e Popullit dhe vendosëm pseudonimin “Gegë Kosova”.
Kur isha ushtar në Rijekë, Nuhi Buja, një shok shkolle imi dhe i Shaqirit, më njoftoi me letër se Shaqiri ishte arrestuar për shkak të atyre letrave anonime drejtuar qeveritarëve. Të them të drejtën u shqetësova shumë. Nuk dija ç’të bëja? Mendoja të ikja në Itali. Meqë shokët shqiptarë që kisha në shërbimin ushtarak nuk i njihja më herët, nuk guxoja as të bisedoja me ta për këtë çështje. U përpoqa e u përpëlita gjatë me veten. Duke njohur Shaqën, kisha bindje se është i fortë dhe nuk do të fliste për askënd. Me këtë bindje mbeta dhe kjo më doli e saktë. Shaqiri nuk dha emrin e askujt.
Trimërisht më shpëtoi mua dhe shokët e tjerë. Doli para gjykatës komu- niste dhe i vetëm u dënua me të drejtë të mbrojtjes në liri, të cilën e shfrytëzoi dhe iku nga atdheu, Kosova. Shkoi në Itali, e nga aty në Amerikë, ku jeton edhe sot.
Ishte e marta e 31 dhjetorit 1968. Ndodhesha në burg. Isha vetëm. Bënte ftohtë. Mund të mendohet qartë dallimi midis planit tim për të festuar Vitin e Ri në Sarajevë me Hanën, dhe faktit se ku përfundova atë natë. Por, nga ana tjetër i jepja forcë mendimit se rinia e Kosovës nuk kishte kohë për argëtim. Ishin detyra të mëdha para nesh dhe Kosova gjendej e pushtuar. Kur ky mendim zotëronte mbi gjithë mendimet e tjera, qetësohesha disi, por sërish e kisha të vështirë të vija sy në gjumë.
Nëse dëshironi të mësoni më shumë për këtë libër, konkretisht nga faqja 116-120, adresohuni këtu.
Për të parë listën e plotë të kapitujve të librit “Rrëfime lirie” vizitoni këtë adresë.