Kosova, shteti i ri në truallin e vjetër. Epilogu i një jete tregohet në faqet 436-444.
Vitet në vijim ishin shumë intensive për fatin e statusit përfundimtar të Kosovës. Ajo u mbikëqyr nga UNMIK, një administratë e përkohshme e caktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, që u vendos pas çlirimit. Më 2001, UNMIK-u e zgjati edhe më tej afatin, ndërsa në vend kishin nisur të mbaheshin zgjedhje parlamentare dhe vendore. Kosova filloi të qeverisej nga politikanët e saj, por nën mbikëqyrjen e kujdesshme dhe ndihmën hap pas hapi të administratës ndërkombëtare. Në mars të vitit 2004, Kosova përjetoi dhunën më të madhe ndëretnike që prej kohës së luftës, si pasojë e një përplasjeje mes civilëve serbë dhe shqiptarë.
Ato trazira lanë pas vetes në radhë të parë pasoja në njerëz. 19 njerëz, 11 prej të cilëve shqiptarë dhe tetë serbë humbën jetën. Në të gjitha diskutimet përmenden pasojat për serbët, por për fat të keq, përveç gazetarëve, askush nuk i zë ngoje 11 shqiptarët e vrarë në ato trazira. Pas atyre ngjarjeve, më 2005 filloi përgatitja e negociatave për statusin politik të Kosovës që u mbajtën me ndërmjetësimin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari.
Trazirat bënë që Serbia të përfitojë decentralizimin e pushtetit në vija etnike në Kosovë, që çoi në themelimin e komunave të reja dhe zgjerimin e komunave me shumicë serbe. Aktualisht serbët paraqesin shumicën në 10 nga 38 komuna të Kosovës. Po ashtu trazirat u përdorën për të negociuar ekstraterritorialitetin e kishave dhe manastireve ortodokse, të cilët me pajtimin e negociatorëve shqiptarë, u njohën si kisha e manastire ortodoksë serbë, në vend që të ruheshin si trashëgimi e gjithë Kosovës.
Edhe decentralizimi apo trashëgimia kulturore e fetare serbe ishin pjesë e pakos së zotit Ahtisari, i cili edhe vetë kishte deklaruar se 80 për qind e saj është marrë me statusin e serbëve të Kosovës. Gjithnjë duke iu referuar gjendjes së pakicës serbe në dritën e trazirave të marsit, atyre u është mundësuar që të kenë përfaqësim të garantuar në parlament, në qeveri dhe që asnjë ligj apo ndryshim kushtetues që ka të bëjë me ta nuk mund të miratohet pa dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve dhe plus dy të tretat e votave të pakicave kombëtare. Trazirat e marsit 2004 u përdorën madje edhe në vitin 2015 në luftën e Serbisë për të penguar pranimin e Kosovës në UNESCO.
Ato vite pas luftës dhe deri në shpalljen e pavarësisë ishin kohë bisedash dhe diskutimesh edhe mes shqiptarëve se si duhet të ishte statusi i ri i Kosovës. Përveç takimeve zyrtare dhe tryezave ndërkombëtare, kishte edhe mjaft diskutime private mes njerëzve. Edhe ne në shërbimin në shqip të Zërit të Amerikës, shpeshherë flisnim e debatonim rreth kësaj teme të rëndësishme. Këtu dua të ndalem paksa në diskutimet që kam pasur disa herë me drejtuesin e shefit të shërbimit në shqip në atë kohë, zotin Biberaj, kur po diskutohej për fatin e Kosovës. Në bisedat që zhvillonim ne si pjesëtarë të shërbimit në shqip, nuk mungonte thuajse çdo ditë kjo temë. Mbaj mend që në diskutimet tona private, rreth viteve 2003 e 2004, zoti Biberaj, që ende ishte shef i shërbimit në shqip në atë kohë, më thoshte se nuk ka zgjidhje tjetër për Kosovën, përpos se të ndahet mes serbëve dhe shqiptarëve.
— Shaqir, nëse nesër ti do të ndahesh nga bashkëshortja jote Ana, a duhet t’i japësh gjysmën e pasurisë? — më thoshte ai.
— Po more zotëri, por ne me Serbinë nuk jemi martuar. Ajo na ka pushtuar me forcë, — i kthehesha unë. Madje i kërkoja me shaka, që atë që ma thoshte mua privatisht, të mos e shtrojë si ide në ndonjë tryezë më të rëndësishme ku mund të merreshin vendime.
Siç e përmenda më sipër, në nëntor të vitit 2005, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, caktoi ish-presidentin e Finlandës Marti Ahtisari, për të drejtuar procesin për statusin e Kosovës. Më 3 prill 2007, Ahtisari i paraqiti Këshillit të Sigurimit të OKB-së planin e tij për Kosovën. Por, pas kundërshtimit të Rusisë që vendosi veton, grupi i kontaktit vendosi të mbështesë një fazë të re bisedimesh për të gjetur një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit për statusin e Kosovës. Një trojkë e përfaqësuar nga Bashkimi Europian, Rusia dhe ShBA nisi përpjekjet në gusht të 2007-s. Sekretari i Përgjithshëm i ri i OKB-së, Ban ki Mun, i kërkoi Trojkës që të raportojë për arritjet e negociatave më 10 dhjetor 2007. BE përfaqësohej nga ambasadori gjerman në Mbretërinë e Bashkuar, Volfgang Ishinger; Rusia nga Aleksandër Bocan-Harçenko; dhe ambasadori Frenk Uizner përfaqësonte ShBA-në. Pas një serie negociatash intensive, përfshirë konferencën e nivelit të lartë në Baden të Austrisë, mandati i Trojkës përfundoi pa asnjë marrëvesh- je. Në raportin final të saj, Trojka shpjegoi se kishte shqyrtuar me palët çdo mundësi realiste për një marrëveshje, por kishte qenë e pamundur të gjente një rezultat të pranueshëm nga të gjithë.
Bindja për një Kosovë të pavarur ishte e fortë te të gjithë shqiptarët. Garante për këtë kishte dalë superfuqia botërore, ShBA-ja. Këtë e tha qartë edhe presidenti Xhorxh Bush, në Tiranë, në qershor 2007. Çështja ishte se kur do të shpallej pavarësia; pra, data mbetej ende enigmë. Kishte nga ata që propozonin që pavarësia të shpallej më 28 nëntor 2007. Por, ShBA kërkonte të tregohej shumë kujdes, në mënyrë që Serbia të mos provokohej dhe ta denonconte këtë si akt të bashkimit të shqiptarëve. Madje, edhe data e shpalljes së pavarësisë mbeti enigmë deri pak ditë para se gjithçka të kryhej.
Dita e madhe mbërriti. Ishte një e diel e ftohtë kallkan e 17 shkurtit 2008, kur më së fundmi, Kosova, do t’i shkëputej zyrtarisht kthetrave të Serbisë shoviniste. Por, jo për t’iu bashkuar trungut amë, të cilit i qe shkëputur padrejtësisht më 1913. Kosova do të bëhej shtet i pavarur. Këtë herë, do të shpallte pavarësinë me mbështetjen e fuqive më të mëdha botërore, me përjashtim të Rusisë. Rruga ishte pakthim, ndryshe nga fillimi i viteve ‘90, kur përpjekjet e shqiptarëve për Kosovën republikë ranë në veshin e shurdhët të bashkësisë ndërkombëtare.
![](https://i0.wp.com/shaqirsalihu.com/wp-content/uploads/2018/02/Dervishi.png?resize=617%2C754&ssl=1)
Henri (majtas), Joni (në mes) dhe Adri Dervishi (djathtas). Fëmijët e koleges së autorit, Rudina Dervishi, në fotografinë-kartolinë, me anë të së cilës urojnë autorin me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Festa ishte e madhe; gëzimi qe gjithashtu i madh. Akti i leximit të deklaratës së pavarësisë në Kuvend dhe firmosja prej deputetëve, qe një moment mallëngjyes. Isha së bashku me kolegët e mi në redaksinë e shërbimit në shqip të Zërit të Amerikës. Sytë m’u mbushën me lot atë ditë. Ishte çasti më i lumtur i jetës sime. Kosova ime e dashur ishte jo vetëm e lirë, por edhe e pavarur tashmë, me garancinë ndërkombëtare. Me kolegët organizuam një festë të vogël atë ditë në shërbimin në shqip. U mblodhëm të gjithë dhe shprehëm gëzimin tonë. Atë ditë mora edhe një dhuratë të veçantë. Koleges sime Rudina Dervishi dhe bashkëshortit të saj ju kishte shkuar në mendje që me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, t’i veshin fëmijët e tyre me ngjyrat e flamurit, kuqezi dhe t’u bëjnë një fotografi. Atë fotografi ma dërguan mua në formë kartoline, së bashku me një urim: “Axha Shaqir, urime për pavarësinë e Kosovës!” Ishte një gjest që më mallëngjeu. Edhe simbolika e atyre djemve të vegjël të veshur kuqezi. Ishin filizat që më uronin. Pjesëtarët më të rinj të komunitetit shqiptar në ShBA.
Sot, kur kanë kaluar më shumë se nëntë vjet nga ajo ditë, zhgënjimi është i madh. Pavarësia rezultoi të mos ishte pavarësi e vërtetë. Komuniteti ndërkombë- tar vijoi të qëndronte i ngulur në Kosovë.
Kosova vërtetë shpalli pavarësinë, por kjo pavarësi nuk çonte në krijimin e një shteti të mirëfilltë. Ky shtet i shpallur në bazë të planit të Ahtisarit nuk është ai që prisnim. Plani i Ahtisarit krijoi një shtet të pandeshur më parë në histori. E ndau Kosovën në vija etnike dhe serbëve u dha pothuajse gjysmën e Kosovës. Jo vetëm kaq, në Kushtetutën e Kosovës, të cilën e kanë përpiluar avokatët ameri- kanë, shqiptarëve u mohohen të drejtat bazë të njeriut. Nuk lejohet bashkimi ko- mbëtar, nuk lejohet referendumi dhe çfarë është edhe më keq, “shteti” i Kosovës udhëhiqet nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara dhe një përfaqësues i BE-së. Brenda këtij shteti (nëse mund ta quajmë shtet) u formuan shtete të vegjël serbë anembanë Kosovës. Iu dhanë shumë kompetenca anëtarëve serbë në Kuvend. Tri komuna në veri u lanë nën kontrollin e Serbisë, si dhe mbeti me plotfuqi Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Vlen për t’u theksuar se edhe Bashkimi Europian është sjellë si njerkë dhe jo si nënë me shqiptarët. Flamuri zyrtar i shtetit të Kosovës, i imponuar nga BE, ka gjashtë yje në përbërjen e tij, të cilët simbolizojnë etnitë kryesore në Kosovë (shqiptarët, serbët, turqit, boshnjakët, romët dhe goranët).
Flamuri i Malit të Zi — një vend që sipas regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në vitin 2011 ka në përbërje vetëm 45 për qind popullsi malazeze, teksa 55 për qind janë popullsi e etnive të tjera, ku përfshihen edhe si shqiptarët si popull autokton — simbolizon vetëm një popull, atë malazez. Në përbërjen e atij flamuri nuk ka asnjë yll apo shenjë që tregon se në atë shtet jetojnë edhe popuj të tjerë, në përqindje shumë më të madhe se në Kosovë, ku shqiptarët përbëjnë 93 për qind të popullsisë dhe vetëm shtatë për qind janë të kombësive të tjera.
Flamuri maqedonas, gjithashtu, nuk ka asnjë simbol në përbërje të tij, që tre- gon praninë e madhe të elementit shqiptar në këtë republikë. Kosova, me 93 për qind shqiptarë, quhet shtet shumetnik, kurse Maqedonia me vetëm pak më shumë se gjysmën popullsi sllave maqedonase, teksa të tjerat janë shqiptarë, quhet shtet i maqedonasve. Edhe Mali i Zi quhet shtet i malazezëve.
Ndërsa Brukseli angazhohet për përparimin e statusit të serbëve në Kosovë (që në fakt është goxha i përparuar), në të njëjtën kohë hesht për të drejtat e ce- nuara të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. A janë këto shembuj të standardeve të dyfishta që BE praktikon, përkatësisht në raport me atë pjesë të popullit shqiptar që jeton brenda kufijve administrativë të Malit të Zi, Maqedo- nisë dhe Serbisë? Unë them që absolutisht po!
Europa e shekullit XXI nuk mund të sillet si me botëkuptimet e shekullit XIX. Shqiptarët dëshirojnë të jenë pjesë e një Europe bashkëkohore, pra, e një Europe që i ka tejkaluar botëkuptimet e paragjykimet e së kaluarës në raport me shqip- tarët dhe që është e ndjeshme dhe e gatshme të gjykojë drejt ndaj një populli, të cilit i janë bërë dhe fatkeqësisht, vijojnë t’i bëhen padrejtësi politike e kombëtare.
Dita e pavarësisë, përtej emocionit, ishte edhe shumë e ngarkuar me punë për ne. Të gjitha ngjarjet u mbuluan më së miri dhe në kohë rekord nga korrespon- dentët tanë në Prishtinë. Gjithashtu edhe reagimet nga Tirana, Shkupi e Tetova. Patëm edhe korrespondenca nga gazetarët e VOA-së në Serbi dhe vende të ndry- shme të botës, të cilat i përkthyem, përshtatëm dhe transmetuam në kohë për Di- tarin. Gjithashtu, reagimet nga ShBA dhe tërë bota. ShBA-ja ishte ndër shtetet e para që njohu shtetin e ri dhe të pavarur të Kosovës. Ajo e diel, por edhe ditët në vijim qenë të ngjeshura, por kënaqësia ishte e madhe. Atë ditë, televizionet më të rëndësishme perëndimore “buçisnin” me lajmin e pavarësisë së Kosovës. Gazetat më të mëdha e kishin në faqe të parë atë lajm.
Organizatat ndërkombëtare nisën t’i zënë vendin njëra-tjetrës, duke ndryshuar thjesht emërtimin, por funksionin e kishin të njëjtë: kontroll dhe diktim autoriteteve të Kosovës. Edhe sot e kësaj dite, ndonëse zyrtarisht Kosova po vetë- qeveriset, asgjë s’ka ndryshuar. Ndërkombëtarët e urdhërojnë të ngrejë gjykata speciale; ndërkombëtarët u përcaktojnë se duhet të formojnë koalicione qeverisë- se edhe joparimore nëse është nevoja; ndërkombëtarët i diktojnë për të biseduar me Beogradin, kur shihet se përfitimet janë të njëanshme për Serbinë. Serbia qe- veris defakto disa zona të Kosovës. Ka krijuar ishuj në mbarë Kosovën, siç është rasti i Graçanicës, Manastiri i Deçanit, Brezovica. Pa folur për veriun, që është krejtësisht nën kontrollin e serbëve dhe qeveria e Kosovës është institucion ku- kull për ta. Për më tepër, parti të kontrolluara dhe të udhëzuara krejtësisht nga Beogradi, janë pjesë e qeverisë së Kosovës. 17 shkurti 2008 ishte dita më e bukur e jetës sime. Por, sot jam më se i zhgënjyer. Ëndrra e Kosovës, për mua tashmë është kthyer në makth dhe jo në realitet.
![](https://i0.wp.com/shaqirsalihu.com/wp-content/uploads/2018/02/Kosovo-Independent-State.png?resize=766%2C1019&ssl=1)
![](https://i0.wp.com/shaqirsalihu.com/wp-content/uploads/2018/02/Editorial-i-Z%C3%ABrit-t%C3%AB-Amerik%C3%ABs.png?resize=779%2C1172&ssl=1)
Kohë të reja e sulme të vjetra
Në vitin 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur. Ajo zë një vend të rëndësishëm në hapësirën mbarëshqiptare; të paktën një të tretën e kësaj hapësire. Por në shër- bimin në shqip të Zërit të Amerikës, i cili supozohet se ka për detyrë të përçojë lajme të balancuara dhe të vërteta në të gjithë këtë hapësirë, pak përfaqësohej dhe vijon të përfaqësohet shumë pak për të mos thënë fare. Në atë shërbim, gjatë 25 viteve të fundit të karrierës sime aty, vetëm unë kam qenë nga Kosova i palëkun- dur dhe kjo si pasojë e qëndresës sime të hekurt. Vetëm unë i rezistova diskrimi- nimit që shefi i shërbimit bënte ndaj nesh. Kosova gjithashtu zinte vend të dorës së dytë në edicionet tona. Për të mos folur për Maqedoninë, e cila pak nga pak po zhduket fare. Raportimet që andej janë gjithnjë e më të rralla. Nuk jam i sigurt nëse korrespondenti i atjeshëm përgatit apo jo një a dy materiale në muaj. Shqip- tarët në Maqedoni janë të braktisur. Drejtuesit e shërbimit në shqip nuk po e mbulojnë. Aq më keq është situata për shqiptarët në Luginën e Preshevës apo për ata në Malin e Zi. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shërbimi ynë nisi një seri lidhjesh të drejtpërdrejta (interaction) me televizione në Shqipëri. Por kjo s’u bë dhe ende nuk bëhet me Kosovën, e cila mbeti e mbetet vetëm një bisht i Serbisë. Në vitin e pavarësisë, i vetmi shqiptar i Kosovës që punoja me kohë të plotë në redaksi isha unë. Më 2002, te ne kishte nisur të punonte gjatë fundjavave edhe Ilir Ibrahimi. Ai u shkëput për t’u rikthyer sërish nga viti 2006, sërish me kohë të pjesshme. Disa muaj të 2008-s punoi me kohë të plotë, por me kontratë dhe jo si i përhershëm. Edhe sot e kësaj dite shumica e punonjësve janë nga Shqipëria dhe vetëm një prej tyre nga Kosova. Edhe ai punon aty pas një ankese që bëra te drej- tori i përgjithshëm, që aty të pranoheshin edhe dy shqiptarë nga Kosova. Por njëri prej tyre tashmë ka kaluar në një pozicion pune më të mirë për të, në një tjetër institucion.
Për të vijuar së lexuari nga faqja 490-506 vizitoni këtë link.
Klikoni këtu për listën e plotë të kapitujve të librit “Rrëfime lirie”.