“Rrëfime lirie” vijon me historinë e arratisjes së autorit dhe nisjen e rrugës së dhimbshme drejt lirisë. Në kapitullin e mëposhtëm mund të faqet 116-120 të librit.
— Shaqo, — më thotë Pali, — unë mendoj se ti duhet të shkosh në Itali te Pashku. Ai është martuar atje dhe jam i sigurt se ka me ba çmos për të të ndihmuar. Maria gjeti adresën e tij dhe ma dha. Atëherë kisha flokë të dendur dhe nga gjesti i tyre fisnik, njerëzor dhe atdhetar, m’u ngritën qimet përpjetë e për një moment mbeta pa frymë. “O Zot i madh,” thashë me vete dhe gati sa nuk qava nga gëzimi. Nuk dija se si të sillesha para këtyre njerëzve fisnikë e trima. Ata e dinin se unë nuk mund të përcillesha nga të gjithë, ngaqë isha i dënuar. Por sakrifikuan. Më dhanë adresën e Pashkut, numrin e telefonit dhe çdo të dhënë tjetër që kishin. Iu thashë se kisha një pasaportë të vëllait tim Hakiut dhe se kjo pasaportë mund të më ndihmonte. U ndava nga çifti Lucaj. U përqafova fort me të dy. E përqafova edhe Lolën e vogël. Ika nga Normalja e Prishtinës për të mos u kthyer kurrë më.
***
Ishte thuajse ora 11 e natës. Errësirë e plotë. Kalova pranë shtëpisë së Fadil Hoxhës, anës së djathtë të rrugës së asfaltuar, për t’u kthyer në qytet. Kisha me vete çelësat e shtëpisë së vëllait. Hyra në kuzhinë, aty ku mund të flija rehat. Por atë natë nuk po më merrte gjumi. Pak nga gëzimi e pak nga ankthi se çfarë do të ndodhte me mua. Në mëngjes dëgjova vëllanë që po përgatitej për të shkuar në punë. Unë pothuajse e kisha gdhirë atë natë dhe nuk kisha ndërmend të çohesha. Doja të flija mirë atë të diel paradite.
Në mbrëmje kisha lënë takim me Blertën. Dolëm në Korzo e po bisedonim. Në fytyrën e saj lexoja njëfarë shqetësimi për të ardhmen time. Ajo tashmë kishte mbaruar shkollën e mesme dhe po bënte lutje për të nisur punë në ndonjë shkollë tetëvjeçare si mësuese e muzikës. Dëshironte që të pranohej në një shkollë në Prishtinë. Blerta dinte të luante shumë mirë në kitarë, por edhe në mandolinë. I vëllai i kishte blerë një kitarë të re si dhuratë, pasi ishte diplomuar. Një ditë tjetër dolëm në Parkun e Prishtinës. Kishte marrë me vete kitarën për të kënduar disa këngë të lehta. Më kujtohen vetëm disa rreshta të një kënge të lehtë që këndonte atë ditë Blerta dhe që ishte shumë e njohur asokohe. Me ato vargje, siç dukej, ajo e ndiente se njohja me mua do të përfundonte me hidhërim:
Ke me u pendue,
Por atëherë ka me qenë vonë,
Dhe tuj lotue,
Do t’ bjerë ndër mend dashnia jonë
Më vonë mësova se ato vargje ishin të këngëtarit të njohur të muzikës së lehtë shqiptare, Rudolf Stambolla, i cilësuar si këngëtari i tangos dhe i dashurisë. Ndërsa kënga titullohet “Gjethet e vjeshtës”. Ajo më preku në shpirt. Por unë kisha vendosur që të merrja një tjetër drejtim, që për shumë atdhetarë të tjerë të Kosovës, ishte vendim i gabuar. “Çfarë humb Kosova me mua?” mendoja me vete. “Tashmë po dalin breza të rinj mësuesish dhe nuk kishte mungesë si dikur, kur merrnin në punë njerëz edhe me vetëm dy klasë të Shkollës Normale.”
Kur Ernest Koliqi ishte ministër i Arsimit, dërgoi shumë mësues në Kosovë, pasi atje ishin thuajse të gjithë analfabetë. Kosova doli nga sundimi turk për të rënë në atë të Serbisë. Si pushtuesit turq, edhe ata serbë nuk interesoheshin për arsimimin e kësaj popullsie. Është fatkeqësi që edhe sot, një pjesë e popullsisë në Kosovë nuk dinë të shkruajnë mirë shqipen. Madje mund të them se e shkruajnë keq dhe Ministria e Arsimit e Kosovës duhet të bëjë diçka, madje shpejt, për ta përmirësuar këtë gjendje të mjerë.
***
Vera ishte e nxehtë dhe e mundimshme për mua. Askush nuk do ta ndiente mungesën time më shumë se nëna në fshat. Prindërit janë të vetmit që e duan fëmijën pa kushte. U gjenda në një situatë vërtet shumë të rëndë shpirtërore. Familja ime ishte e brengosur. E dinin se isha në vështirësi, por nuk ishin në gjendje të më ndihmonin. Isha në një situatë ku askush nuk mund të më ndihmonte.
Vëllai që banonte në Prishtinë nuk donte të fliste për planet me mua, sepse e preknin në shpirt. E gjithë familja me shihte me mallëngjim. Të gjithë bisedonin me mua dhe më drejtoheshin me respekt. Edhe kushërinjtë dhe fqinjët tanë më donin shumë. Një prej tyre ishte Sylejman Salihu. Isha rritur me të. Banonim bashkë në shtëpinë e tij në Prishtinë gjatë kohës kur studioja në shkollë të mesme. Ai u bë më vonë drejtor i shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë. Edhe motra e tij, Sofia, pati kryer Shkollën Normale të Prishtinës. Për një kohë punonte si mësuese atje. Sylejmani, të cilin e thërrisnim Sylë të gjithë, dilte shpesh me mua nëpër qytet dhe flisnim për ditët e djalërisë. Ai ishte orator shumë i mirë, i aftë dhe i afërt me familjen. Edhe vëllezërit e tij, Shyqyriu, Fetahu, Salihu dhe Tefiku, dhe motrat, Sofia dhe Ziaveri, më donin dhe më respektonin.
Veç kushërinjve, ato ditë të fundit në Prishtinë i kaloja edhe me Blertën, si dhe me miqtë e mi, Idriz Gërvallën dhe Shaban Haxhiun.
Një mbrëmje të qetë e të freskët, të përshtatshme për të shëtitur dhe llafosur, kishim dalë në rrugët e Prishtinës. Të tre tymosnim duhanin, veçanërisht Shabani. Ai ishte i gjatë dhe shumë i zgjuar. Ndërsa Idrizi fliste vazhdimisht për situatën politike të Kosovës. Po ecnim në drejtim të xhamisë, pranë Këshillit Krahinor, përpara teatrit, që në atë kohë drejtohej nga Azem Shkreli. Sapo kaloje teatrin ndodhej një shitore me vetëshërbim. Ndërsa ngjitur me të ishte një lis jo shumë i gjatë, por i madh e me degë të shpërndara. Ato krijonin një hije të madhe. Nga ana tjetër ishte errësirë. Nuk kishte ndriçim. Kur po kalonim aty, përpara na u shfaq një vajzë e re, jo shumë e gjatë, por simpatike dhe e veshur mirë.
— Më falni, ju lutem, — na tha. — A je ti Shaqir Salihu? — m’u drejtua mua. — Po, — i thashë, — unë jam Shaqir Salihu.
— Unë quhem Fatime Syla dhe punoj si daktilografe në Gjykatën e Qarkut.
Sot, — ishte e premte e 22 gushtit 1969 — lënda jote (rasti yt) dënimi ka hyrë në fuqi dhe të mërkurën e 28 gushtit do të vijnë të të arrestojnë. Unë personalisht e kam shtypur sot këtë vendim.
Më përqafoi dhe u largua në errësirë, sikur një ëngjëll që e kishte zbritur Zoti në tokë për të më ndriçuar udhën drejt shpëtimit, e mandej u zhduk në qiell. Pas atij çasti, më kaloi përpara syve e gjithë jeta ime. Vuajtjet e mundimet. Çastet e para në shkollë dhe fytyrat e nxënësve të mi të dashur, të epur për dije. Nëna e dhembshur dhe im atë, ky burrë babaxhan që na rriti me sakrifica. Më kaluan para syve vëllezërit e motrat, miqtë e të afërmit. M’u krijua imazhi i syve të Blertës dhe i Hanës. Ai ishte çasti më i gjatë i jetës.
Koha më ngutte dhe duhet të kthjellohesha. Duhet të kthehesha me këmbë në tokë e të mendoja një zgjidhje të shpejtë. Shabani dhe Idrizi ishin larguar pak dhe nuk e dëgjuan bisedën që pata me Fatimen. Më panë që kisha shtangur nga ajo që dëgjova. U afruan dhe më pyetën se çfarë kishte ndodhur. Ua shpjegova se si qëndronte puna. Më pas ikëm të hanim diçka dhe të pinim ndonjë birrë te bari i hotelit “Bozhur”, ku mund të bisedonim më qetësisht. Por unë nuk munda të ha asgjë. Isha kapur në befasi, pasi nuk mendoja se lënda ime do të hynte kaq shpejt në fuqi. E prisja një vendim të tillë, pasi avokati im, me dëshirën time, nuk po merrej fare me këtë çështje. Por jo se vendimi do të merrej që në gusht.
Duke pirë nga një birrë me miqtë, nisëm edhe ta diskutonim këtë punë.
— Ik në Shqipëri se të ndihmoj unë. Jam nga rrethi i Deçanit, pranë kufirit me Shqipërinë. Ose shko e vuaj dënimin e kthehu në Kosovë, se këtu do të ketë më shumë punë, pasi të çlirohet nga pushtuesi i egër serb, — më thoshte Idrizi.
Kurse Shaban Haxhia mendonte se Perëndimi ishte vendi më i përshtatshëm për mua, sepse atje mund të gjeja punë më lehtë dhe kishte hapësirë veprimi.
— Diaspora jonë në Perëndim, — thoshte Shabani, — është shumë aktive.
Unë nuk e dija këtë. Idrizi këmbëngulte që unë të shkoja në Shqipëri dhe se me të kaluar kufirin, Enver Hoxha do të më shkollonte dhe do të më aftësonte shumë intelektualisht. Shabani i kundërshtonte, duke thënë se ato jo që nuk bëheshin, por se kishte mundësi që Sigurimi i Shtetit në Shqipëri mund të më kthente pas, siç kishte bërë edhe me shumë shqiptarë të tjerë nga Kosova. Kjo sepse ata mund të mendonin se më kishte dërguar UDB-ja.
Unë nuk flisja fare. Paketës së parë me cigare po i vinte fundi. Ora shkoi 11 e natës. Bari i hotelit duhet të mbyllej. Dolëm pa ndonjë vendim se si duhet të veproja. Këta miq të mi të mirë mund të më këshillonin, por në fund, isha unë ai që duhet të vendosja për fatin tim. U shpërndamë. Rrugës për në shtëpi dëgjoj një zë që çirrej në përpjekje për të kënduar. Ishte një pijanec serb i quajtur Aca. Të gjithë e njihnin Acën. Fytyra i ishte deformuar dhe vazhdimisht ishte i dehur. Tërë ditën pinte raki, nga mëngjesi e deri në mbrëmje. Fliste se sa e fortë ishte Rusia dhe sa gjëra është e aftë që të bëjë, por askush nuk ua vinte veshin fjalëve të tij.
Mbërrita te shtëpia e vëllait dhe u futa në kuzhinë të flija. Krevatin e kisha gati, me çarçafë të pastër dhe një batanije. Isha gjysmë i dehur dhe gjumi më zuri shpejt.
Vizitoni linkun për të vijuar së ndjekuri këto rrëfime nga faqja 123-132.
Për të pasur një pasqyrë më të qartë rreth librit “Rrëfime lirie” vizito këtu.