Faqet 490-506 të “Rrëfime lirie”. Në Botën e Re bëmë ëndrrën e vjetër.
Gjatë gjithë historisë njerëzore, mërgimi i ka copëtuar kombet. Edhe shqip- tarët i kanë kënduar këngë vajtuese tragjedisë së mërgimit. Ato janë sot pjesë e çmuar e folklorit tonë.
Mirëpo, historia shqiptare e mërgimit ka si pjesë të saj edhe histori të mëdha ngushëlluese. Një nga ato është historia e shqiptarëve të Amerikës. Këta qindramijëra mërgimtarë të cilët frytet e mundit të tyre në botën e re i përdorën për të ndryshuar fatin e gjithë kombit.
Roli i diasporës në pavarësimin e Shqipërisë dhe Kosovës është i jashtëzakonshëm. Që nga ndërkombëtarizimi i çështjes kombëtare, te lobimi në vendin më të fuqishëm të botës, te mbledhja e fondeve e deri te vajtja vullnetar me armë në dorë për të çliruar a mbrojtur lirinë — pjesëmarrja e shqiptarëve të Amerikës në momentet kyçe të kombit ka qenë shumëplanëshe dhe e paçmueshme.
Ndonëse përshkrimi i këtij kontributi kërkon një libër apo shumë libra më vete, unë nuk mund të mos i kushtoja një kapitull në këtë libër të jetës sime, sepse në dekadat e mia në Amerikë, pata nderin të jem pjesë e punës së këtij komuniteti. Pashë nga afër përpjekjet në të mirë të Kosovës në veçanti e kombit në tërësi.
Nga ana tjetër, kur je kaq afër dhe i ke parë me sytë e tu punën e bërë por edhe potencialin e madh që ka ky komunitet, do të vësh re edhe mungesat edhe sesa larg mund të kishin shkuar dhe sa punë mund të kishin bërë të tjera.
Shqiptarët e Amerikës shpesh nuk kanë kursyer asgjë për çështjen, por ashtu si në trojet tona, udhëheqësit shpesh kanë qenë të paqartë dhe të përçarë. Intelektualët më të mirë nuk kanë mundur t’i përfshijnë dhe jo më kot, mungesat më të mëdha, janë në praninë tonë në universitetet amerikane.
Kemi mbi 100 vjet në këtë kontinent dhe nuk kemi qendra albanologjike në universitete siç ka në Europë. Nuk kemi një qendër kulturore të mirëfilltë. Ato organizata që kanë zyra dhe seli i kanë ruajtur për promovimin e tyre më shumë sesa si qendra mbarëshqiptare. Ne kemi shumë miq në politikën amerikane, po jemi vonë në prodhimin e politikanëve shqiptaro-amerikanë.
Këtu ia vë fajin edhe politikës shqiptare në trojet shqiptare. Asnjëherë nuk mësuan sesi ta vlerësojnë diasporën. Rasti më i freskët, për pavarësinë e Kosovës, pak janë nderuar ata që kontribuuan duke bërë të pamundurën. Nderimet e rastit në Tiranë e Prishtinë bazohen në lidhjet personale, politiko-partiake e krahinore.
Shqiptarët e Amerikës kanë qenë dhe janë një komunitet heroik që mund të bëjë edhe më shumë për kombin. Sidomos duke e ditur që puna e shqiptarëve në Ballkan nuk është zgjidhur. Kombi mbetet i copëtuar, me troje në shtetet fqinje që nuk do të demokratizohen asnjëherë aq sa të trajtojnë shqiptarët si të qytetarë të klasës së parë, të barabartë me shumicën.
Tragjeditë e vjetra, si ajo e Çamërisë e Masakra e Tivarit nuk duhen harruar. Përfshirja e trojeve shqiptare në një projekt kombëtar nuk duhet braktisur. Lobimi kombëtar nuk duhet lënë përgjysmë. Asgjë nuk është përfundimtare në Ballkan.
Mirënjohja që kemi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet të kthehet në servilizëm për të pranuar çdo gjë. Dikur ShBA e quante Jugosllavinë mike, po sot Jugosllavia nuk është më. Shqiptarët duhet të bëhen të mençur dhe të mos gënjehen nga kufizimet e kohës. ShBA mund ta quajë të mbaruar punën në Ballkan, por për ne shqiptarët, ajo vetëm sa ka filluar.
Kur mbërrita në ShBA shqiptarët në Ballkan ishin shumë të dobët. Shqipëria vuante nën komunizëm, Jugosllavia ishte e paprekshme etj. Kur e krahasoj me atë kohë, shqiptarët sot janë kaq shumë më të fortë e më të begatë, saqë çfarë kuptimi ka të ndalemi tani?
Ky kapitull që vijon është një shikim i shkurtër në historinë dhe realitete të shqiptarëve të Amerikës në periudha të ndryshme historike.
Federata Panshqiptare “Vatra”
Të shkruash për shqiptarët e Amerikës dhe kontributin e tyre për pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës duhen vëllime të tëra. Një punë të madhe ka bërë në këtë drejtim gazetari Vehbi Bajrami në librin e tij Shqiptarët e Amerikës. Më shumë se një mijë faqe përshkruajnë veprimtarinë e shqiptarëve më të shquar në ShBA, por as kjo nuk mjafton. Shqiptarët e Amerikës janë diaspora më aktive e shqiptarizmit në botë. Në këtë shtet, sot për sot janë derdhur më se një milion shqiptarë nga të gjitha trojet tona. Amerika mbetet vendi i preferuar i shqiptarëve sepse gjejnë punësim, liri dhe hapësirë për veprimtari atdhetare.
Gjithkush që dëshiron të hedhë të paktën disa rreshta për këtë komunitet në këtë shtet gjigant, assesi nuk ka si të mos ia nisë me Federatën Panshqiptare “Vatra”. Qysh në agim të historisë së shtetit të pavarur shqiptar, Vatra është lidhur ngushtë me përpjekjet, vuajtjet shpresat dhe fitoret kombëtare. Kjo federatë përfaqëson një ngjarje monumentale shqiptare, përmes përpjekjeve të atdhetarëve për të siguruar mbijetesën e një kombi, në një kohë të ndryshimeve të mëdha e të shpejta.
Shqiptarët ishin të përçarë e të dobët, kur u themelua Vatra, në fakt ashtu janë edhe sot. E ardhmja e shqiptarëve ishte në rrezik. Pak muaj më vonë u shpall pavarësia, por shteti i ri kontrollonte një territor fare të kufizuar dhe nuk kishte një ushtri të rregullt, pa mjete financiare, pa mbështetje ndërkombëtare e të keqkuptuar në botë. Asnjë mik nuk kishin në rajon, por vetëm armiq të përbetuar dhe të pamëshirshëm.
Por, ndërsa toka po u lëvizte me shpejtësi nën këmbë dy perandorive të mëdha të kohës që ishin në prag të shkërmoqjes, si Perandoria Osmane dhe ajo Austro-Hungareze, një forcë e re po hynte në arenën europiane dhe atë botërore: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shqiptarët që themeluan Vatrën nuk kishin mjetet dhe numrat që kanë sot shqiptaro-amerikanët. Ata nuk kishin as shkollimin e duhur e as lidhje të mëdha. Por zemrën e kishin aq të madhe dhe vendosmërinë po ashtu. Ata u gjendën në vendin e duhur, në kohën e duhur.
Në ato dekada të vështira, Vatra ishte zemra dhe mendja e kësaj përpjekjeje mes dy kontinenteve. Pa atë rol sot mund të mos kishte më Shqipëri, e shqiptarët, më shumë se një realitet, ndoshta do të ishin thjesht një kuriozitet studimor mbase si vllehët.
Për veprimtarinë e Vatrës kanë shkruar shumë historianë shqiptare dhe sot ekzistojnë vëllime të tëra për këtë federatë e themeluesit e saj rilindas. Jam përpjekur sadopak që të bëj një përmbledhje të kësaj veprimtarie të dendur. Në këtë drejtim vendosa të bazohem më fort në një pasqyrim që ka bërë një vatran i vjetër si Peter Ktona. Ai ka botuar një broshurë në vitin 1978, me shpresën për ta ringjallur Vatrën, por siç shprehet edhe ai, vetë Vatra e kishte përfunduar misionin e saj para Luftës së Dytë Botërore. Vatra është gjallë ende edhe sot. Selia e saj ndodhet në një lagje të Bronksit në Nju-Jork. Rreth saj qëndrojnë disa atdhetarë të vjetër, me në krye dr. Gjon Buçajn. Por veprimtaria e Vatrës sot është aq e dobët saqë nuk janë në gjendje të organizojnë asnjë demonstratë në mbështetje të vëllezërve tanë që po vriten e keqatrajtohen çdo ditë nën sundimin e sllavo-maqedonasve.
Më poshtë po ju sjell një përmbledhje të shkurtër të historisë së Vatrës, shkëputur nga punimi i Ktonës:
Në vitin 1911 kryengritja e shqiptarëve të Kosovës kundër sundimit turk e shpejtoi krijimin e aleancës së shteteve ballkanike (Serbi, Greqi, Bullgari, Mali i Zi) për t’i dhënë grushtin e vdekjes Perandorisë Osmane. Ditët e saj dukeshin të numëruara. Patriotët shqiptarë, brenda dhe jashtë atdheut po nxitonin me aktivitetin e tyre dhe bashkërendimin e përpjekjeve në marrëveshje me kolonitë dhe klubet e ndryshme patriotike. Në Amerikë u grumbulluan një numër i madh patriotësh të Rilindjes, me Fan Nolin dhe Faik Konicën në krye. Këta, duke parë situatën e krijuar në Ballkan dhe rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë, shpejtuan të organizonin dhe t’i mblidhnin të gjitha fuqitë në një organizatë të vetme. Kështu, më 28 prill 1912 u theme- lua Federata Panshqiptare e Amerikës, Vatra. Në këtë federatë u shkrinë të gjitha shoqëritë e tjera që ishin formuar nëpër kolonitë e ndryshme. Krijimi i Federatës Vatra i bashkoi shqiptarët edhe më shumë dhe ua shtoi shpresat për realizimin e aspiratave të tyre kombëtare. Faik Konica u zgjodh kryetari i parë i saj dhe gazeta Dielli u bë organi zyrtar. Selia e Vatrës në Boston konsiderohej si qendra më me rëndësi e lëvizjes kombëtare.
Shtatë muaj më vonë, më 28 nëntor, kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, Vatra ishte e organizuar, e fortë dhe e gatshme për të vepruar e sakrifikuar. Fitorja e shteteve ballkanike kundër Turqisë po bëhej e dukshme dhe shtetet fqinje, Greqia dhe Serbia, që kishin zaptuar toka të shumta shqiptare, po talleshin me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, pasi gjendja politike ishte shumë e favorshme për ta dhe shumë e vështirë për Shqipërinë. Grekët, bullgarët, serbët dhe malazezët nuk besonin se shteti i ri shqiptar do të mbijetonte dhe se ata do të tërhiqeshin nga tokat e zaptuara shqiptare.
Vatra, me përkrahjen e pakursyer të punëtorëve shqiptarë, nisi të për- dorë fondet e saj për të ndihmuar shtetin e ri dhe për të bindur kancelaritë e shteteve europiane për kauzën e drejtë shqiptare. Vatra shpenzoi para pamasë për të dërguar ambasadorët e saj nëpër kryeqytete evropiane për të kërkuar mbështetjen morale të miqve të huaj, për shpëtimin e shtetit shqiptar. Kur po luhej drama më e dhimbshme e kombit shqiptar, në Lon- dër u mblodh Konferenca e Ambasadorëve, nën kryesimin e ministrit të Ja- shtëm të Britanisë së Madhe Eduard Grei, për të caktuar fatin e Shqipërisë.
Shqiptarët nga çdo anë e Amerikës filluan ta bombardonin konferencën me qindra kabllograme. Ata ishin aq të shumtë saqë Sir Eduard Grei i tha një miku të Shqipërisë: “Thuaju shqiptarëve që të mos prishin aq shumë para për këto kabllograme pasi ne e dimë që Korça është shqiptare”.
Mirëpo Vatra dhe vatranët nuk po flinin të qetë, pasi grekët, me miq të shumtë dhe të fortë, po bënin një propagandë shumë të madhe dhe me mjeshtëri për të bindur Konferencën se Korça dhe Gjirokastra përbëhen nga popullsi greko-orthodokse. Për të përballuar propagandën e grekëve, Vatra dërgoi në Evropë Fan Nolin dhe Faik Konicën. Ata nisën të mblidh- nin mijëra nënshkrime të shqiptarëve orthodoksë. Në këtë rast, të gjithë shqiptarët e Amerikës u bashkuan pa dallim, duke “u bërë” orthodoksë.
Vatra i bëri përshtypje Konferencës së Ambasadorëve dhe më në fund fitoi. Në maj të vitit 1913, Shqipëria u njoh si shtet i pavarur me garancinë e fuqive të mëdha. Në vjeshtë të atij viti, një komision ndërkombëtar u dër- gua në Shqipëri për të caktuar kufijtë e shtetit të ri. Më 17 dhjetor 1913 ky komision lëshoi raportin, i cili më vonë u nënshkrua në Firence të Italisë dhe njihet në histori si Protokolli i Firences. Me anë të këtij protokolli u caktuan kufijtë ashtu siç janë edhe sot, duke lënë nën Greqi të gjithë Çamë- rinë, me një popullsi shqiptare prej 300 mijë vetësh.
Shqiptarët nuk u kënaqën aspak me kufijtë e caktuar nga fuqitë e më- dha, por nuk kishin ç’të bënin pasi kur u shpall pavarësia në Vlorë, jo ve- tëm tërë Kosova që ishte nën Serbi dhe Çamëria nën Greqi, por edhe Shko- dra me interlandin ishin nën sundimin e serbo-malazezëve dhe prefekturat e Korçës dhe Gjirokastrës ishin të zaptuara nga grekët.
Edhe atë Shqipëri të vogël, shqiptarët e shkretë nuk e gëzuan për shumë kohë. Më 1914, plasi Lufta e Parë Botërore dhe Shqipëria përsëri u zaptua nga fuqitë luftuese. Krahinat e veriut dhe të Shqipërisë së Mesme u zaptuan nga ushtritë austriake. Prefektura e Gjirokastrës dhe ajo e Vlorës u zaptuan nga ushtria italiane, kurse ajo e Korçës u zaptua nga ushtria franceze. Shte- ti i sapokrijuar u shkatërrua.
Megjithë këtë katastrofë kombëtare, ata nuk i humbën shpresat, por fi- lluan të organizohen me vendosmëri dhe bindje se në mbarim të luftës, Shqipëria do të rifitonte përsëri pavarësinë e saj. Aq e madhe ka qenë bind- ja sa u vendos që të përgatiteshin çeta vullnetare të armatosura që ishin ga- ti të dërgoheshin në Shqipëri në qoftë se do ta lypte nevoja. Vatra zuri një sallë të madhe dhe atje mblidheshin vullnetarë nga qytete dhe katunde të ndryshme nga pjesa verilindore e Shteteve të Bashkuara për t’u stërvitur ushtarakisht. Komandanti i trupave vullnetare ishte Aqif Përmeti, i cili shkoi në Shqipëri, më 1920, me një grup prej 200 vullnetarësh. Aqif Përmeti hyri në shërbim të ushtrisë shqiptare si oficer. U gradua gjeneral dhe më 1945 u ekzekutua nga qeveria komuniste e Tiranës.
Kur Amerika hyri në luftë krah aleatëve shpresat e popullit shqiptar u shtuan për rifitimin e pavarësisë kombëtare dhe njëkohësisht u shtua edhe aktiviteti i Vatrës. Gjatë viteve 1913–1914 me mijëra shqiptarë nga prefek- turat e Korçës dhe Gjirokastrës emigruan në Amerikë për të shpëtuar nga barbarizmat e grekëve.
Fan Noli u kthye nga Evropa më 1915 dhe e gjeti Vatrën shumë të orga- nizuar dhe të përparuar. Gazeta Dielli nën drejtimin e shkrimtarit dhe pat- riotit Kostë Çekrezi, dilte e përditshme. Ato ditë Vatra kishte arritur të ketë për mbi 80 degë. Por Fan Noli nuk pajtohej me optimizmin e shqiptarëve përsa i përkiste rifitimit të pavarësisë së Shqipërisë. Ai parashikonte rrezi- qe të mëdha nga fqinjët italianë, serbë e grekë që synonin copëtimin e Shqipërisë. Që të tre ishin aleatë me fuqitë e mëdha që dukej se po fitonin luftën. Vatra me gojën e Nolit si kryetar i saj, dha kushtrimin e rrezikut. Për të përballuar me kohë çdo të papritur, Vatra emëroi ambasadorë në kryeqytetet e mëdha të Evropës dhe i mbante me shpenzimet e saj. Në Lon- dër kishte Mehmet Konicën. Nga raportet e Konicës dhe burimeve të tjera, dukej rreziku i copëtimit të Shqipërisë.
Tani, pra kush do t’i dilte zot mbrojtjes së atdheut? Qeveria shqiptare nuk ekzistonte. Kolonitë shqiptare, me përjashtim të Federatës Vatra, ishin të paralizuara për arsye të luftës. Pra, barra e rëndë për t’i dalë zot Shqipë- risë i ra Federatës Vatra. Shqiptarët, punëtorë të Amerikës, që ishin mble- dhur rreth Vatrës, nuk e quajtën barrë të rëndë, por detyrë të shenjtë kar- shi atdheut. Për të përballuar shpenzimet e mëdha që nevojiteshin për këtë ndërmarrje të madhe kombëtare, nuk mjaftonin mijëra dollarë, por duhe- shin qindra mijëra. Sado patriotë dhe të gatshëm për sakrifica që ishin pu- nëtorët vatranë, ç’mund të bënin me një rrogë prej tetë a nëntë dollarësh në javë që merrnin. Të përballonin nevojat e jetesës, të dërgonin në Shqipë- ri për të mbajtur familjet apo të jepnin për Shqipërinë? Udhëheqësit e Vat- rës besonin të mblidhnin një shumë të madhe por jo sa të kalonte 50 mijë dollarët.
Më 3 qershor 1917 Vatra vendosi të hapë një fushatë për “Shpëtimin e Shqipërisë”. Kryetari i saj Fan Noli dha kushtrimin me vjershën e famshme të shkruajtur nga ai vetë “Jepni për nënën”:
Ç’thot’ ajo e ve e gjorë, Mbretëreshë pa kurorë, Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar, Shpirt e zemër përvëluar, Gjysmë e vdekur: O shqiptarë, Nënës mos ia bëni Varrë! Mbahu Nëno mos kij frikë Se ke djemtë në Amerikë. Qanë lutet nënë e mjerë, Kërkon Vatrën edhe nderë, Do lirinë dhe atdhenë, Siç e pat me Skënderbenë, Bijtë e besës thërret pranë Kur i thirri dhe s’i vanë? Mbahu Nëno mos kij frikë Se ke djemtë në Amerikë. Cilët janë ata tiranë,
Që të prenë e që të vranë, Që të therë bij e bija dhe t’u nxi, t’u mbyll shtëpia? Derdhni plumba, o Shqiptarë, Gjakn’ e Nënës për të marrë. Mbahu Nëno mos kij frikë Se ke djemtë në Amerikë. Cilët bijë të tradhtuan, dhe të doqnë dhe të shuan dhe të lanë, o Shkab e ngratë Pa fole, pa zoq, pa shpat? Këta qena, o shok i mbytni, Mbushni gjyle që t’i shtypni, Mbahu Nëno mos kij frikë Se ke djemtë në Amerikë. Sa kërkon e sa të duhen? Burrat nga detyra s’druhen!
Trim i mirë do të japë, S’kursen jetën as paratë; Hidhni, hidhni tok dollarë, Të mos mbetemi të sharë. Mbahu Nëno mos kij frikë Se ke djemtë në Amerikë. Do të ndihim pa kursyer, Për Ty Nënë Jon’ e vyer, Që me dritë e ndere të thurësh Dhe me bijtë e tut e mburrësh cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s’i dhanë? Mbahu Nëno mos kij frikë Se ke djemtë në Amerike. Armë e fishekë mbithni, Qesen dhe shpirtin hithni; Për lirinë e vendit tonë, Sot—se nesër është vonë- Jepni, Nënën të shpëtoni, Komb e Vatra të nderoni. Mbahu Nëno mos kij frikë Se ke djemtë në Amerikë.
Dhe mrekullia u bë! Si shqiptarët që vraponin pesë shekuj më parë kur Skënderbeu jepte kushtrimin e rrezikut, ashtu edhe punëtorët vatranë vrapuan për të dhuruar ç’kishin kursyer që të shpëtonin Shqipërinë. Kur u grumbulluan shumat nga të gjitha degët e Vatrës, askujt nuk i shkonte ndërmend se punëtorët që punonin nga 12 deri në 14 orë në ditë, do të dhu- ronin 150 mijë dollarë që sipas kursit të sotëm (2016) bëjnë përmbi 3 milionë dollarë (nëse i llogarisim sipas rritjes së inflacionit prej vitit 1917).
Këta shqiptarë i dhanë çdo gjë Shqipërisë dhe nuk i kërkuan kurrgjë. Shumë nga këta patriotë as që e shkelën tokën e lirë të atdheut. Emigracioni i ri le t’u jetë mirënjohjës këtyre shqiptarëve, tani që asnjeri prej tyre nuk është më mes nesh. Ata nuk duhet të harrohen. Ata janë gjithnjë patriot shqiptarë.
Shuma e mbledhur shkoi për të mbajtur delegatë në Konferencën e Paqes në Versajë, për të dërguar ambasadorë në kryeqytetet e ndryshme të Evropës dhe për të përballuar shpenzimet e tjera të nevojshme për një ndërmarrje kaq të madhe dhe fisnike. Kjo sakrificë e vatranëve ndihmoi shumë që Shqipërisë ndonëse e copëtuar të mbetej në hartën e botës.
Shqiptarët e Amerikës nuk pyetën se çfarë do të bënte vendi i tyre për ta, por pyetën se çfarë mund të bënin ata për kombin. Kjo frazë tingëllon shumë e njohur për shumicën prej jush. Për të shuar një kureshtje, doja të shtoja se të gjithë mendojnë se këto fjalë kanë dalë për herë të parë nga goja e ish-presidentit amerikan Xhon Kenedi. Kudo i atribuohet atij kjo shprehje. Por e vërteta qëndron ndryshe. I pari që ka thënë diçka të tillë ishte poeti amerikano-libanez, Khalil Gibran, autor i librit The Prophet, i cili jetoi nga viti 1883 deri më 1931-in. Më 1925, Gibran iu drejtua me një letër të hapur deputetëve të Parlamentit libanez gjatë kohës kur kërkohej një veprim për shkëputjen përfundimtare nga Turqia: “A jeni politikanë që kërkoni se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju apo jeni të zellshëm dhe pyesni se çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj? Nëse jeni të parët, atëherë jeni parazitë; nëse jeni të dytët, atëherë ju jeni një oaz në mes të shkretëtirës.”
Kjo shprehje u huazua më pas nga Kenedi në ditën e inaugurimit të tij si president më 20 janar 1961, por paksa e përshtatur: “Ask not what your country can do for you, ask what you can do for your country.” Ai nuk e atribuoi atë shprehje që shumëkush e di si të Kenedit tashmë.
Fan Noli e Sotir Peçi (i pari nga e majta e Nolit), si dhe patriotë të tjerë vatranë
Më 4 Korrik 1918, dita e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidenti Udro Uillson ftoi përfaqësuesit e vendeve të robëruara për një pelegrinazh në Mount Vernon të shtetit Virxhinia, në afërsi të kryeqytetit amerikan, Uashington, vendi historik ku ndodhen eshtrat e presi- dentit të parë amerikan, Xhorxh Uashington. Vatra dërgoi Fan Nolin në Uashington. Pas takimit që pati me presidentin Uillson, Fan Noli i dërgoi Vatrës telegramin që pason:
“Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me presidentin Uillson, i cili më dha shpresa të mëdha. U thuaj shokëve të tjerë me gojë. Fan Noli.”
Meqenëse e kemi fjalën për presidentin Udro Uillson këtu, do të përmendim shkurtimisht ndihmën që dha ky për Shqipërinë për ta shpëtuar nga copëtimi. Në nëntor të vitit 1917, qeveria sovjetike botoi në gjuhën shqipe një traktat të fshehtë të nënshkruajtur në Londër nga Anglia, Franca dhe Italia. Kushtet e traktatit synonin zhdukjen e shtetit shqiptar. Në konferen- cën e paqes në Versajë kushtet e traktatit të Londrës duhej të vuloseshin përfundimisht me firmat e fuqive të mëdha. Në raste të tilla, dallaveret më të mëdha dhe pazarllëqet më të ulëta dhe imorale luhen me fatin e të vegjëlve dhe quhen me shprehjen elegante, manovra diplomatike.
Këtu u luajt me mjeshtëri edhe fati i Shqipërisë, por pa sukses. Kjo është një histori e gjatë që nuk ka vend në këtë libër, prandaj do të kufizohem në rolin e presidentit amerikan Udro Uillson. Gjatë konferencës, u zu në gojë disa herë problemi shqiptar, por pa u marrë ndonjë vendim. Më në fund, kur presidenti Uillson ishte kthyer në Amerikë për fushatën elektorale, përfaqësuesi i Anglisë Llojd Xhorxh dhe ai i Francës Klemanso, duke përfituar nga mungesa e presidentit Uillson, vendosën copëtimin e Shqipërisë sipas kushteve që kishin nënshkruar në traktatin e fshehtë të Londrës. Në bazë të këtyre kushteve, Greqisë i dhuroheshin prefekturat e Korçës dhe Gjirokastrës. Serbia e shtrinte kufirin deri në brigjet e Drinit dhe Bunës; Italia merrte Vlorën me hinterlandin dhe ajo pjesë e Shqipërisë së Mesme që mbetej do të quhej “Autonome” nën protektoratin e Italisë.
Presidenti Uillson protestoi rreptësisht kundër këtij vendimi që cënonte çdo parim drejtësie dhe njerzishmërie. Pas kësaj proteste konferenca ia la në dorë rregullimin e çështjes shqiptare Konferencës së Ambasadorëve në Paris.
Populli shqiptar i ndoqi me zemër të ngrirë bisedimet e Konferencës së Paqes. Nga dallaveret që u zhvilluan gjatë kësaj konference, shqiptarët u bindën se çdo gjë duhej fituar me luftë. Para se të ishte tepër vonë, një grup patriotësh vendosën të veprojnë. Pa përfillur pushtuesit italianë, organizuan Kongresin Kombëtar të Lushnjes. Erdhën në këtë qytet të vogël të Myzeqesë përfaqësues të Popullit nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Kongresi u hap më 21 janar 1920 dhe vazhdoi deri më 9 shkurt të atij viti.
Mes vitit 1919–22, komuniteti shqiptar i Amerikës punoi rëndë për të si- guruar njohjen e Shqipërisë nga ana e Shteteve të Bashkuara. Gjatë kësaj kohe, Vatra mbante në kohëra të ndryshme Kosta Çekrezin dhe Çarls Telford Erikson në Uashington për të nxitur këtë objektiv. Ky qëllim u realizua në korrik të vitit 1922.
U formua një qeveri, një Këshill i Naltë dhe një Senat. Kryeqyteti i Shqipërisë u caktua Tirana. Vështirësi të shumta po përballonte qeveria duke u përpjekur të shtrinte autoritetin administrativ në vendet e okupuara nga italianët. Një nga pengesat e pakalueshme ishte gjendja financiare. Arka e shtetit nuk kishte asnjë metelik. Qeveria kërkoi një hua kombëtare nga populli. Për të ndihmuar në balancimin e buxhetit të qeverisë së Lushnjes, shqiptaro-amerikanët kontribuan me 222,900.00 dollarë prej fushatës së borxhit kombëtar që filloi në vjeshtë të vitit 1920. Emigrantët shqiptarë ndihmuan gjithashtu për të gjallëruar gjendjen e rëndë ekonomike në atdhe edhe nëpërmjet ndihmave që u dërgonin të afërmve të tyre. Si shpërblim për kontributet e shumta e të vlefshme për Shqipërinë, komunitetit shqiptaro-amerikan iu lejua një vend në Parlamentin shqiptar. Më 1921 Fan Noli u zgjodh të zinte këtë vend dhe në qershor të vitit 1924 u zgjodh kryeministër pas një kryengritjeje të shkurtër. Megjithëse në fillim ishin simpatizues të programit të reformave që shpalli qeveria e Nolit, shumë vetë në komunitetin shqiptaro-amerikan u kthyen kundër Nolit pasi ai dështoi në zbatimin e reformave që kishte premtuar, nuk bëri zgjedhjet me kohë për ta legalizuar qeverinë e tij dhe gjithashtu për njohjen e Bashkimit Sov- jetik. Përmbysja e qeverisë së Nolit në dhjetor të vitit 1924 përben fundin e periudhës 1912–1924 të pjesëmarrjes intensive dhe interesimit të komuni- tetit shqiptaro-amerikan në çështjet shqiptare.
Pas njohjes së kufijve të 1913-ës nga Konferenca e Ambasadorëve më 9 nëntor 1921 dhe pasi Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve, shteti shqiptar u vu në rrugën e organizimit dhe të stabilitetit. Vatranët e panë ëndrrën e tyre të realizuar; besonin se me të mbaroi edhe detyra e tyre. Shumë nga këta filluan të ktheheshin në atdhe për të kaluar vitet e pleqë- risë pranë familjeve të tyre në Shqipërinë e lirë për të cilën ata bënë aq shumë sakrifica. Dukej që misioni i Vatrës kishte mbaruar dhe shumica e vatranëve nuk po interesoheshin për ta mbajtur të gjallë. Vatra nuk u kri- jua me një program shoqëror si shumë organizata të tjera, por me një që- llim të përcaktuar qartë: Lirinë asaj Shqipërie të vogël që doli nga Konferenca e Londrës në vitin 1913. Këtij qëllimi të shenjtë ia arritën përgjys- më dhe tani ç’na duhet Vatra?
Mirëpo midis mijëra vatranëve ishte edhe një elitë e dedikuar dhe e vetëdijshme që nuk jetonte pa Vatrën dhe organin e saj Dielli. Këta nuk donin ta linin Vatrën të vdesë. Me vendosmëri dhe sakrifica materiale e mbajtën të gjallë. Natyrisht, ajo nuk po ecte përpara kryelartë krenare, por po zvarritej dhe po dobësohej dita-ditës.
Më 1936, diçka me rëndësi ndodhi që rrezikoi qenien e saj. Për arsye të disa mosmarrëveshjeve midis vatranëve, Vatra u nda në dy pjesë: Njëra mbeti në Boston, kurse tjetra u vendos në Detroit. Kjo ndarje vazhdoi deri në vitin 1939 kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë.
Katastrofa kombëtare i tronditi vatranët dhe e bashkuan përsëri Vatrën. Por ky bashkim nuk solli ndonjë përtëritje të dukshme të Vatrës, pasi shqiptarët besonin se humbja e pavarësisë ishte e përkohshme dhe mbas mbarimit të luftës, Shqipëria do ta fitonte përsëri pavarësinë. Mirëpo, kësaj radhe situata politike e Evropës u ngatërrua keq. Luftërat e tjera në përgjithësi kanë pasur qëllime ekonomike dhe zgjerime tokësore, kurse Lufta e Dytë Botërore kishte ngjyrë krejt ideologjike. Nga njëra anë hitlerizmi dhe fashizmi synonin t’i impononin botës sistemin e tyre diktatorial dhe nga ana tjetër komunizmi sllav synonte, si dhe dhe sot, të dominojë botën me anën e ideologjisë marksiste, kurse demokracitë e Evropës po luftonin për ngjallje dhe vdekje që të ruajnë lirinë, dinjitetin dhe të drejtat njerëzore të popujve.
Për fat të keq këtyre rrymave ideologjike nuk u shpëtoi as populli shqip- tar. Menjëherë pas okupimit fashist, një grup patriotësh (disa nga ata të Ri- lindjes) organizuan rininë në rezistencë pasive. Në shtator të atij viti kur plasi lufta e përbotshme, rezistenca u bë aktive me sabotazhe dhe me godit- je me armë. Lufta kundër okupatorit për arsye ideologjike, që përmenda më sipër, u degjenerua në një luftë vëllavrasëse të tmerrshme.
Gjendja në Shqipëri u reflektua edhe tek shqiptarët e Amerikës, të cilët u ndanë edhe këta pa qëllime të caktuara dhe pa dijeni të qartë. Si pasojë e kësaj ndarjeje u krijua në Boston edhe një organizatë tjetër nga shkrimtari dhe vatrani i mirënjohur Kostë Çekrezi, e pagëzuar me emrin organizata Shqipëria e lirë dhe organin e saj gazetën Liria. Programi dhe parimet e kë- saj organizate kanë qenë demokratike dhe antikomuniste.
Kostë Çekrezi, patriot, demokrat i bindur, shkrimtar dhe ish-editor i gazetës Dielli, ishte shumë mirë i njohur nga shqiptarët e Amerikës. Çekrezi kishte miq me pozita të larta në administratën amerikane me të cilët këshillohej për çështje shqiptare. Vatra e influencuar nga Fan Noli, i cili i shikonte punët më shumë nga interesi shqiptar se sa nga ai ideologjik, mendonte se po të fitonte Gjermania, Shqipëria jo vetëm që nuk do të dëmtohej, por do të bëhej një nga shtetet më të fuqishme të Ballkanit. Ai, rrezikun e shikonte në fitoren e aleatëve që e kishin Greqinë si fëmijë të për- këdhelur pas rezistencës heroike që bëri kundër italianëve dhe gjermanëve. Nëse Greqia do të zaptonte pas luftës Korçën dhe Gjirokastrën, askush nuk do të luante prej atje. Në mbarim të luftës, Fan Noli dukej më i kënaqur se Çekrezi pasi ai mendonte se rreziku i aneksimit të Korçës dhe Gjirokastrës nga ana e grekëve kaloi, pasi Rusia sovjetike do të kundërshtonte çdo tentativë dhe kërcënim që mund t’i bëhej Shqipërisë së sunduar nga komu-nistët.
Pas vendosjes së qeverisë komuniste në Tiranë, të dy organizatat me anën e organeve të tyre Dielli dhe Liria dolën hapur duke përkrahur regji- min komunist shqiptar. Editori i gazetës Dielli, patrioti i vjetër Qerim Pana- riti tregohej më i flaktë pro Enverit se sa gazeta Liria. Megjithë këtë, Tirana nuk kishte besim në Vatrën, siç duket për shkak të kaluarës së saj patrioti- ke dhe e hodhi peshën dhe përkrahjen ndaj organizatës Shqipëria e lirë. Si pasojë e kësaj situate, vatranët filluan të dezertojnë federatën Vatra dhe të shkojnë te Liria.
Mërgata politike shqiptare që u përlesh dhe u gjakos me komunizmin e kishte të vështirë t’i kuptonte arsyet e qëndrimit prokomunist të shqiptarëve të Amerikës, pa ditur të kaluarën historike dhe aktivitetin e tyre patriotik. Këta shqiptarë të thjeshtë, kur erdhën në këtë vend të lirë, vetëm nga gjuha e zakonet njiheshin që ishin shqiptarë, sepse nga ndjenjat ishin grekomanë osë turkomanë. Kur erdhën në kontakt me tre patriotët e mëdhenj të Rilindjes, Petro Nini Luarasin, Sotir Peçin dhe Fan Nolin, u zgjua në shpirtrat e tyre ndjenja e shqiptarizmit. Si fëmija që fillon ta mësojë abëcënë e pastaj mëson të lexojë dhe të kuptojë sendet dhe botën që e rre- thojnë, kështu edhe këta shqiptarë mësuan patriotizmin nga abëcëja. Të tre mësuesit e mëdhenj u pasuan nga të tjerë dhe kështu flaka e atdhedashurisë u përhap në të gjithë shqiptarët e Amerikës. Për këta shqiptare ka pasur dhe ka pak rëndësi sistemi që ka qeverisur dhe që qeveris Shqipërinë; mjafton që ata që e qeverisin të jenë shqiptare dhe jo të huaj. Kjo ishte arsyeja kryesore e qëndrimit të tyre atëherë. Por ka edhe arsye të tjera. Disa nga ta kishin edhe familjet, vëllezërit dhe motrat në Shqipëri. Djemtë dhe vajzat i kishin nëpër punë qeveritare (atëherë në Shqipëri i vetmi punëdhënës ishte shteti). Menjëherë pas luftës, kur filloi të punojë posta me Amerikën, far e fisi i këtyre shqiptarëve, të urdhëruar nga organet shtetërore, u shkruajtën letra duke sugjeruar si të sillen. Një pjesë tjetër ka pasur njerëz të tyre nëpër burgje dhe kampe përqendrimi dhe këta kanë pasur frikë se mos i dëmtojnë edhe më shumë të mjeruarit. Që të dyja këto kategori dhe një e tret që nuk ka njeri në Shqipëri, kishte lart nga dyzet vjet që nuk e kishin parë atdheun dhe ishin të djegur nga malli për të vizituar vendlindjen. Për t’ia arritur këtij qëllimi, midis të tjerave duhet të mbyllin edhe gojën këtu në vendin e lirë të Amerikës. Kështu e këshilloi një mikun e tij shqiptar i cili sapo ishte kthyer nga vizita në Shqipëri: “Dëgjo o mik, në qoftë se dëshiron të vizitosh Shqipërinë, hape gojën vetëm kur ha bukë.”
Nuk duhet të harrojmë edhe faktin që flitet për një kohë, kur informacioni qarkullonte me vështirësi. Sot, në kohën e internetit dhe të telefonave celularë, kur njerëzit mësojnë çdo gjë që ndodh në moment, mund të duket çudi që të kishte paqartësi, injorancë dhe keqkuptime të mëdha për zhvillimet në vend.
Enver Hoxha dhe komunistët me djallëzi për katër vitet e para e quajtën pushtetin e tyre, popullor e demokratik. Fjala “komunist” nuk përmendej në dokumentet zyrtare. Edhe një pjesë e amerikanëve ishin konfuzë fillimisht për Bashkimin Sovietik që gjatë luftës u kthye në vend aleat, për shkak të armikut të përbashkët, nazizmit. Vala e re e mërgatës, shqiptarë të ikur prej komunizmit duhej të kishin qartësuar për të gjithë bashkatdheta- rët këtu natyrën e vërtetë të komunizmit në Shqipëri. Po për shumë arsye, që kanë të bëjnë me shpërndarjen e komunitetit, me përçarjet, organizimin krahinor etj., ky qartësim nuk ndodhi kurrë i plotë.
[…]
Si rrjedhim i dezertimit të vatranëve tek organizata Shqipëria e lirë, Federata Panshqiptare Vatra dobësohej dita-ditës. Në kuvendet e përvitshme të Vatrës ai grup që i kishte mbetur besnik dhe që e mbajti të gjallë në periudhën midis dy luftërave, mundohej t’u hapte dyert e Vatrës emigrantëve të rinj, por gjente kundërshtime nga grupi në favor të Tiranës të influencuar nga editori Qerim Panariti. Më në fund, në Kuvendin e vitit 1959 kur u festua në Boston me madhështi 50-vjetori i gazetës Dielli, u vendos që të hapen dyert për emigrantët e rinj.
Me hyrjen e emigrantëve të ardhur, Vatra filloi menjëherë të ripërtëri- het. Gjak i ri filloi të hyjë në damarët e Vatrës. Brenda dy-tre vitesh, numri i anëtarëve u trefishua dhe dukej që federata e famshme filloi të ecë për- para me hov. Një grup nga emigrantët e rinj, të vetëdijshëm ndaj misionit të Vatrës, së bashku me ata veteranë dhe patriotë që i qëndruan besnikë Vatrës, punonte ditë e natë për ta ngritur Vatrën në famën dhe në fuqinë e së kaluarës.
Për fat të keq, punët nuk shkuan ashtu siç i ëndërronte ai grup idealis- tësh vatranë, të rinj e të vjetër. Elementë të paparashikuar si editorë të rinj dhe rrethana të ndryshme, shkaktuan që Vatra të kthehet përsëri prapa. Deri në vitin 1971 gazeta Dielli dilte për çdo javë rregullisht. Pas kësaj date, me vështirësi mezi dilte një herë në muaj dhe qysh atëherë del herë dy herë në muaj dhe herë një herë në muaj (sot për sot del një herë në muaj).
Ky libër nuk është për historinë e Vatrës, madje as për historinë e shqiptarëve të Amerikës në përgjithësi. Këto përshkrime janë të nevojshme për të kuptuar lobimin e shqiptaro-amerikanëve për kauzën kauzës kombëtare shqiptare. Pata nderin dhe kënaqësinë të isha pjesë e këtyre përpjekjeve historike dhe për të kuptuar më mirë ato, duhet mësuar edhe për Vatrën e organizata të tjera. Ata që duan të lexojnë më shumë, sidomos për kohën kur drejtonin kolosët si Konica dhe Noli, ka tashmë studime e vëllime serioze dhe ndriçuese. Ndonëse disa tema do të mbeten gjithnjë të debatueshme, si ndodh shpesh me historinë.
Këtu pra po bëj një përmbledhje të lobimit të shqiptarëve të Amerikës, të cilët u përpoqën dhe punuan e dhanë edhe dollarin e fundit në ndihmë të atdheut. Në kohën e Nolit dhe Konicës, shumica e shqiptarëve ndanin një pjesë të vogël të fitimit për ta ndihmuar lëvizjen kombëtare. Secili jepte pak, por kur mblidhej gjithë kjo ndihmë, bëhej një shumë e madhe. Vetëm për shpenzimet e delegacionit të Vatrës në Konferencën e Paqes u mblodhën qindra mijëra dollarë, sepse siç dihet, kjo konferencë zgjati shumë dhe delegacioni kishte shpenzime të mëdha.
Vatra është një monument e tribunë kombëtare, sidomos që nga krijimi më 1912 dhe deri në vitin 1920, datë në të cilën shteti i parë shqiptar nisi punën si i pavarur. Shumë vatranë u kthyen në Shqipëri në atë kohë për të ndihmuar në mbarëvajtjen e punëve në atdheun e tyre.
Për Vatrën është shprehur edhe intelektuali i madh shkodran Arshi Pipa, i cili për një kohë u zgjodh edhe kryetar i Vatrës. Për Vatrën ai shprehet:
Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare. Nga shpallja e pamëvarsisë deri te pranimi i Shqipnisë në Lidhjen e Kombeve (1920) Vatra ka zhvilluar një veprimtari politike që vjen e dytë fill mbas Lidhjes së Prizrenit, ndërsa veprimtaria e saj kulturore gjatë po asaj kohe nuk ka të dytë.
Pas vitit 1920 Vatra u dobësua sepse nuk kishte më misionin e mbrojtjes së vendit. Shqipëria atëherë kishte një qeveri që u njoh edhe në Lidhjen e Kombeve. Vatranët që mbetën në Amerikë e që vendosën të mos ktheheshin përsëri, u amerikanizuan. Fëmijët e tyre ndoqën shkollat amerikane dhe kjo bëri që lidhjet e tyre me Shqipërinë të dobësoheshin. Gjatë kohës kur vepronte Vatra në Boston, përparësi ka pasur zgjidhja e problemeve të shqiptarëve dhe sigurimi i pavarësisë e integritetit territorial të Shqipërisë. Thuhet se Noli ka jetuar gjithë jetën me frikën e Greqisë dhe se vetëm më 1955 kur Shqipëria u pranua në OKB, Fan Noli ka arritur në përfundimin se Shqipëria ishte siguruar si shtet i pavarur. Ka të ngjarë se ky është viti që ka shënuar edhe përfundimin e veprimtarisë politike të Nolit. Ai mund të mos ketë qenë i kënaqur me politikën që ka ndjekur regjimi i Enver Hoxhës, por kurrë nuk ka dalë haptazi kundër qeverisë komuniste të Tiranës.
Sami Repishti, një veprimtar i shquar i komunitetit shqiptar në Amerikë, pohon në librin e Vehbi Bajramit, Shqiptarët e Amerikës, se privatisht Noli shpre- hej shumë rëndë kundër “xhahilëve të Tiranës” siç i cilësonte ai udhëheqësit komunistë të Shqipërisë.94 Në një rast, pohon zoti Repishti, kur i ka kërkuar Hysni Kapos që të dërgohet trupi i Faik Konicës në Tiranë dhe kaposhi i Vlorës i është përgjigjur se duhet pyetur populli, Noli i zemëruar i ka thënë: “E di se të gjallët i nxirrni në gjyq para popullit, por nuk e kam ditur se edhe me të vdekurit veproni në këtë mënyrë.” Repishti vijon se gjatë Luftës së Dytë Botërore, Vatra nuk e luajti rolin e saj historik siç i takonte dhe siç pritej nga të gjithë. Mbas luftës, Vatra ra në dorë të elementëve që mbështesnin qeverinë komuniste të Tiranës dhe kjo politikë zgjati gjer në vitin 1957 kur elementi i ri politik i ardhur në Amerikë pas luftës nisi të influencojë opinionin shqiptar të Amerikës.
Më vonë, Vatra ra viktimë e fraksionizimit të partive politike të emigracionit. Për një periudhë 10-vjeçare që Xhevat Kallajxhiu drejtoi gazetën Dielli, Vatra e mbrojti shumë mirë çështjen e Kosovës. Tashmë Vatra pret gjak të ri dhe kauza të reja për të mbrojtur, konkludon profesor Repishti.
Pas Luftës së Dytë Botërore nis një valë e re emigracioni në Amerikë: vala e nacionalistëve antikomunistë. Ata u detyruan të lënë atdheun për shkak të zapti- mit të pushtetit nga komunistët. Qëndrimi ndaj situatës në Shqipëri sajoi dy rryma kryesore në radhët e komunitetit: shqiptarët që e simpatizonin e madje e mbështesnin diktaturën komuniste të Tiranës; si dhe nacionalistët që duke qenë realistë për fatin e atdheut nuk u lajthitën, por mbetën armiq të betuar të regjimit komunist. Që nga fundi i viteve ‘50 kur ky element i shëndoshë u përfshi në Vatër i siguroi vazhdën e përpjekjeve të saj në ndihmë të çështjes kombëtare, duke demaskuar regjimin komunist, si mohues i të drejtave më elementare qytetare të popullit tonë në atdhe dhe si tradhtar ndaj popullsisë shqiptare në hapësirën jugosllave dhe të Çamërisë.
Megjithëse i përçarë (a i bashkuar) në disa parti politike, ky element, duke përballuar përndjekjen me qëllime diskredituese dhe eliminuese të Tiranës e të Beogradit, mbajti lart e papërlyer flamurin kombëtar.
Mërgata e dytë krijoi institucionet fetare myslimane e katolike që ndihmuan dhe ndihmojnë edhe sot e kësaj dite në organizimin, vetëdijësimin fetar e kombëtar dhe në kulturimin e shqiptarëve të Amerikës.
Ndryshe nga vala e parë e emigrantëve shqiptarë — elementi tosk jugor që fillon nga fundi i shekullit XIX në mënyrë sporadike dhe dendësohet në fillim të shekullit të kaluar, elementi ortodoks i ardhur kryesisht për arsye ekonomike e që kujdeseshin vetëm për Shqipërinë e jugut dhe tërë veprimtarinë e tyre e kishin përqendruar në ruajtjen e Shqipërisë Londineze — këta të dytit luftonin për tërë Shqipërinë etnike. Madje një vëmendje të posaçme i kishin përqendruar në çështjen e Kosovës. Por çështja e Kosovës ishte shumë delikate në qarqet diplomatike amerikane, për shkak të marrëdhënieve shumë të mira të Amerikës me Jugo- sllavinë e Titos. Amerikanët donin që ta shpërblenin Titon sepse ai ishte shkëpu- tur nga sovjetikët.
Kjo është një fotografi e rrallë e Fan S. Nolit, udhëheqës i shqiptarëve të Amerikës. Është bërë nga një gazetar më 21 tetor 1932, në bordin e anijes S.S. New York, kur ajo po i afrohej brigjeve amerikane. Kjo foto është botuar me për- masa fare të vogla në gazetën Hayward Daily Review.
Noli, ish-kryeministër i Shqipërisë, vinte në Amerikë nga Hamburgu i Gjermanisë, por kaloi nëpër disa peripeci, për shkak se autoritetet amerikane dyshonin se ai ishte komunist. Noli u mbajt disa ditë në Elis-Ajlënd, ishulli nga ku asokohe hynin imigrantët, shumë pranë ishullit tjetër Liberti, ku ndodhet Shtatorja e Lirisë. Dy personalitete amerikane, miq të tij të dikurshëm të Harvardit, ndërhynë që Noli të lejohej të hynte në ShBA. Njëri prej tyre ishte kongresmeni Riçard Uigëlsuorth, tjetri ishte Hamilton Holt, president i Kolegjit “Rollins” të Floridës. Holt i shkroi sekretarit të shtetit se Noli ishte një klerik i shquar dhe se ardhja e tij do t’i bënte një shërbim me vlerë Amerikës.
Në Elis-Ajlend u mblodh një komision i posaçëm për të shpejtuar procedurën e pranimit. Megjithatë, Nolin e mbajtën në ishull plot pesë ditë. Thuhej se autoritetet kishin probleme me dokumentin e hyrjes, por më pas u mësua se ai ishte në rregull. Fan Noli erdhi në Amerikë me premtimin se do të merrej vetëm me punët e kishës dhe jo me politikë. Ai mohoi se ishte komunist dhe menjëherë pas arritjes i deklaroi një gazete të Bostonit se dëshironte të bëhej shtetas amerikan. Noli e mori shtetësinë amerikane më 11 mars 1940.
Fan S. Noli kishte pasur një jetë të pazakontë mes Europës dhe Amerikës. Për herë të parë erdhi në ShBA në vitin 1906, u bë prift, themeloi kishën shqiptare dhe u diplomua nga Universiteti “Harvard”. U largua për në Europë në fund të vitit 1912 dhe u kthye në Amerikë më 1915. Më 1920 shkoi përsëri në Shqipëri, ku u bë deputet dhe kryeministër. U rrëzua nga Ahmet Zogu në dhjetor 1924, u end nëpër Europë 10 vjet me radhë, deri sa u vendos përfundimisht në ShBA.
Vazhdoi të merrej me përkthime e me shkrime, të cilat i dhanë famë, ndoshta më shumë se sa punët e kishës dhe të politikës. Vdiq më 13 mars 1965.