Lufta në Kosovë dhe paqendrueshmëria në Shqipëri. Lexoni për to në faqet 355-378 të librit.
Mesi i viteve ‘90 qe i rëndësishëm për shqiptarët, sidomos për ata në Kosovë. Por vëmendjen botërore për disa vite e tërhoqi gati krejtësisht Bosnjë-Hercegovina — lufta atje, masakrat e njëpasnjëshme të serbëve kishin bërë që komuniteti ndërkombëtar të anashkalonte lëvizjet e shqiptarëve për liri dhe të drejta, si dhe për të pasur një autonomi të zgjeruar apo pavarësi. Sado që të drejtat e shqiptarëve në Kosovë vijonin të mos përfilleshin nga sllavët, të cilët ushtronin trysni të paparë ndaj tyre, në Bosnjë po bëhej luftë dhe po vriteshin mijëra njerëz, mes tyre edhe civilë të pafajshëm. Kriza kulmoi me masakrën e Srebrenicës, në korrik 1995, që u konsiderua si akti më i madh i gjenocidit në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, shumë burime perëndimore nuk e lanë pas Kosovën. Disa gazeta, përfshi edhe disa amerikane botonin artikuj për gjendjen e shqiptarëve dhe për aspiratat e tyre. Shpesh, këta artikuj i riprodhonim në edicionet tona radiofonike. Si ato nga Washington Post, Washington Times, New York Times, Financial Times e të tjera. Kosova tashmë ishte ndërkombëtarizuar.
Për çudi, në çdo moment të rëndësishëm për shqiptarët e Kosovës, befas edhe në Shqipëri ndodhte diçka që i trazonte ujërat. Në momentin kur të gjithë menduam se Shqipëria, vendi ynë amë, më së fundmi u stabilizua pasi doli nga ai regjim i egër e gjakatar që zgjati thuajse 50 vjet, dhe tashmë do të ndihmonte Dardaninë, ndodhi ajo që edhe vetë Shqipërinë e ktheu disa vite pas. Në Shqipëri, bashkatdhetarët tanë kishin vuajtur shumë gjatë viteve të komunizmit dhe ishin të varfër. Për të përmirësuar gjendjen e tyre ekonomike, shumë prej tyre morën rrugët e emigrimit në perëndim, në kërkim të një jete më të mirë. Ndërsa disa prej tyre kërkuan rrugë më të lehta, për t’u pasuruar më shpejt. Dhe për këtë, si kudo në vende që dalin nga tronditje të tilla të thella, hynë në lojë spekulantët. U krijuan ato që u njohën si firma rentiere. Me pak fjalë, disa fajdexhinj modernë, që po luanin me djersën, mundin dhe ndjenjat e shqiptarëve të thjeshtë e të varfër.
![](https://i0.wp.com/shaqirsalihu.com/wp-content/uploads/2018/02/Christian-Science-Monitor-pe%CC%88r-Kosove%CC%88n.png?resize=693%2C1243&ssl=1)
![](https://i0.wp.com/shaqirsalihu.com/wp-content/uploads/2018/02/Washington-Times-artikull-pe%CC%88r-zhvillimet-ne%CC%88-Kosove%CC%88.png?resize=632%2C539&ssl=1)
![](https://i0.wp.com/shaqirsalihu.com/wp-content/uploads/2018/02/Washington-Post-Kosove%CC%88s-.png?resize=606%2C639&ssl=1)
![](https://i0.wp.com/shaqirsalihu.com/wp-content/uploads/2018/02/Noel-Malcolm-Kosovo-A-Short-History.png?resize=613%2C785&ssl=1)
Aktiviteti i këtyre firmave famëkeqe, si VEFA, Xhaferi, Kamberi, Gjallica, Sudja e të tjerë, që njohu lulëzim sidomos në vitin 1995 e ‘96, u shtri në të gjithë vendin. Për disa kohë, shqiptarët fusnin paratë e tyre dhe pas disa muajsh merrnin dyfishin. Kjo i nxiste që t’i fusnin sërish paratë tek ato firma që më vonë dolën skema piramidë, siç është termi që përdoret rëndom për to. Në momentin e dytë, sidomos në muajt e fundit të vitit 1996, qytetarët që kishin futur paratë te këto firma nuk morën asgjë. Disa prej tyre kishin humbur gjithçka që kishin; shumë prej tyre kishin shitur edhe shtëpitë, me shpresën se do të pasuroheshin. Unë nuk jam ekspert ekonomie dhe financash, por mendoj se qeveria e një vendi e ka për detyrë t’i mbrojë qytetarët e saj nga këta spekulantë dhe abuzues. Ajo nuk duhet t’i kishte lejuar që të ndodhnin të gjitha këto. Por, ndoshta qeveria ishte e kënaqur që për momentin, shqiptarët po pasuroheshin shumë shpejt dhe kjo do të përkthehej edhe në mbështetje të madhe për ta.
Sidoqoftë, realiteti fliste ndryshe. Ndonëse ishte shembur regjimi komunist, Partia Demokratike që erdhi në pushtet nuk ia doli të përmbushë aspiratat që shprehu në popull kur u krijua nga lëvizja studentore e dhjetorit ‘90. Kishte ankesa për liritë dhe të drejtat, sidomos nga Partia Socialiste, e cila ishte forca kryesore e opozitës. Udhëheqësi i saj, Fatos Nano, i cili kishte meritën për shndërrimin e kësaj force, nga Partia e Punës e Shqipërisë, në Partinë Socialiste, ishte burgosur, me akuzën për abuzim me detyrën kur ishte kryeministër i vendit më 1991. Zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996 u zhvilluan në një klimë të tensionuar. Ato u bojkotuan nga opozita në momentin e fundit. E rëndë ishte situata edhe në ditët që pasuan. Opozita shqiptare, e cila doli të protestonte në rrugët e Tiranës u dhunua nga policia. Shërbimi Inteligjent Kombëtar në Shqipëri, i njohur si ShIK, akuzohej për ushtrim trysnie dhe përhapje paniku në popull përmes akteve të dhunshme.
Pakënaqësia e madhe që lindi në popull nga firmat piramidale, të cilat falimentuan, duke mos u kthyer paratë njerëzve, si dhe tensioni i lartë politik, nuk mund të mos shpërthenin. Fillimi i vitit 1997 shënoi edhe demonstratat e para, që shpejt u kthyen në të dhunshme, për të nisur një histori pa kthim. Demonstratat u shtrinë shumë shpejt në të gjithë jugun e Shqipërisë. Në muajin mars, popullsia e zemëruar shpërtheu depot ushtarake, duke marrë me forcë armatimet. Më vonë kjo ndodhi në çdo qytet në Shqipëri. U krijua një gjendje kaosi. Opozita deklaronte se ai ishte zemërimi i popullit kundër autoritarizmit të Presidentit Berisha. Nga ana e saj, qeveria e cilësonte këtë një rebelim komunist. Por ajo që po humbte shumë nga e gjitha kjo gjendje që u krijua ishte Shqipëria dhe në mënyrë të tërthortë edhe Kosova, e shqiptarët në trevat e tjera.
Por ajo periudhë njolloset edhe nga disa hije dyshimi, për një përpjekje të Tiranës zyrtare në atë kohë, për të nxitur demonstrata dhe paqëndrueshmëri në Kosovë, në mënyrë që të tërhiqej vëmendja. Ja se çfarë shkruan gazetari Xhevdet Shehu, korrespondenti i parë në Tiranë i Zërit të Amerikës, për ato ditë, në librin e tij Ambasadori VOA:
Në fillim të vitit 1997, ndërsa në Shqipëri shpërthyen revoltat popullore kundër qeverisë dhe sidomos kundër Berishës, u bë një përpjekje e eth- shme nga Tirana zyrtare që në Kosovë të shpërthenin demonstratat, duke ndjekur shembullin e popullit dhe rinisë së Beogradit që protestuan për rreth tre muaj paqësisht kundër manipulimeve në zgjedhjet lokale. Mo- menti që u zgjodh për të nxitur kryengritjen në Kosovë ishte tepër i dy- shimtë dhe nuk e fshihte qëllimin për të larguar vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga zhvillimet dramatike në Shqipëri. Kjo vëmendje do të spostohej te shqiptarët e Kosovës në rast se atje do të fillonte kryengritja. Sepse demonstratat në Kosovë, duke parë precedentët, shpejt do të precipi- tonin në një konflikt të përgjakshëm, të krahasuar ndoshta me luftën e vi- teve të fundit në Bosnje Hercegovinë. E kujt do t’i binte ndërmend atëherë se ç’bënin shqiptarët me njëri-tjetrin në Shqipëri? Dhe këtë dredhi, ndoshta më mirë se shqiptarët në shtetin amë, e kuptuan shqiptarët e Kosovës, të cilët bënë sikur nuk e dëgjuan këtë thirrje që vinte nga Tirana për të dalë në rrugë…
Mijëra vetë u vranë gjatë asaj pranvere të çmendur shqiptare. Vendi ishte zhytur në një kaos, që i ngjante një lufte civile. Shqiptarët po vrisnin shqiptarët. E gjitha kjo do të çonte në një zgjidhje politike. Në qershor 1997, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Njëkohësisht, u mbajt edhe një referendum për formën e regjimit: republikë apo monarki. I biri i Mbretit Zog, Leka Zogu I, kishte shkuar në Shqipëri dhe kërkonte që shqiptarët të shprehnin vullnetin e tyre për formën e regjimit, pasi siç pretendonte ai, komunistët e kishin marrë në mënyrë të njëanshme pushtetin pas Luftës së Dytë Botërore, duke e ndaluar të atin e tij, Ahmet Zogun, që të kthehej në atdhe. Në zgjedhjet e atij viti, shqiptarët votuan për një regjim republikan dhe Partia Socialiste e Shqipërisë u shpall fituese. Kryetari i saj Fatos Nano u zgjodh kryeministër i Shqipërisë, ndërsa Sali Berisha dha dorëheqje si president i republikës. Në vend të tij, Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi në krye të shtetit Rexhep Mejdanin.
Ngadalë rifilloi normalizimi i vendit, por dëmi që pësoi Shqipëria ishte dhjetëravjeçar. I tillë ishte dëmi edhe për të gjithë shqiptarët në rajon.
Zëri i Amerikës i ndoqi me skrupullsi ato ngjarje të dhimbshme. Numri i edicioneve u shtua. Nisëm të transmetonim katër herë në ditë. Puna jonë u bë tepër intensive. Në të gjitha edicionet mundoheshim të kryenim lidhje të drejtpërdrejta telefonike me korrespondentët tanë në Shqipëri. Puna u shtua së tepërmi edhe për mua. Ishim pak producentë dhe teknologjia jonë, me shirita dhe pajisje të dobëta na pengonte shumë.
![](https://i0.wp.com/shaqirsalihu.com/wp-content/uploads/2018/02/Raportim-i-VOA-se%CC%88-pe%CC%88r-ngjarjet-ne%CC%88-Shqipe%CC%88ri.png?resize=761%2C799&ssl=1)
![](https://i0.wp.com/shaqirsalihu.com/wp-content/uploads/2018/02/Ze%CC%88ri-i-Amerike%CC%88s-VOA.png?resize=670%2C794&ssl=1)
![](https://i0.wp.com/shaqirsalihu.com/wp-content/uploads/2018/02/Albanian-Program-Clock.png?resize=675%2C890&ssl=1)
![](https://i0.wp.com/shaqirsalihu.com/wp-content/uploads/2018/02/Editorial-i-Ze%CC%88rit-te%CC%88-Amerike%CC%88s-pe%CC%88r-Kosove%CC%88n.png?resize=755%2C992&ssl=1)
Kosova kishte zgjedhur rrugën e bisedimeve, lobimit dhe demonstratave paqësore për zgjidhjen e çështjes së saj. Presidenti i Republikës së Kosovës, që ishte shpallur në fillimin e viteve ‘90, dr. Ibrahim Rugova — që në Perëndim njihej thjesht si përfaqësuesi politik i shqiptarëve, pasi ata nuk e njihnin Kosovën republikë — kishte zgjedhur rrugën paqësore, një lloj lëvizjeje gandiste. Por, një lëvizje e re kishte nisur prej kohësh në Kosovë. Ishte një nismë e djemve dhe burrave të Kosovës për ta mbrojtur me gjak vendin e tyre. Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të dilte zyrtarisht në publik më 28 nëntor 1997, në një datë me simbolikën më të rëndësishme për kombin tonë. Por, UÇK-ja, edhe pse në ShBA pak kishim dëgjuar, kishte nisur veprimtarinë e saj që në vitin 1993, kur trima të Drenicës si Adem Jashari dhe familja e tij, nuk kishin pranuar të shtypeshin nga çizmja e serbëve. Ishte pikërisht kjo familje që në mars 1998 do të sakrifikohej në një betejë epike kundër ushtrisë serbe. Djemtë e Jasharajve luftuan në kullën e tyre në Prekaz për tri ditë me radhë, gjersa iu shuan pikat e fundit të gjakut, në një luftë të denjë për vargje të Eposit të Kreshnikëve. Ishte pikërisht ai moment që nxiti edhe më shumë qëndresën e shqiptarëve në Kosovë. Familja Jasharaj ishte martirizuar.
![](https://i0.wp.com/shaqirsalihu.com/wp-content/uploads/2018/02/Artikull-i-Ze%CC%88rit-te%CC%88-Amerike%CC%88s-pe%CC%88r-UC%CC%A7K-ne%CC%88.png?resize=707%2C460&ssl=1)
Lufta e shqiptarëve për liri ishte ndezur tashmë. Siç shkruan në kujtimet e saj, librin Madam Secretary, zonja Medellin Ollbrajt, në korrik 1998, UÇK-ja nisi një ofensivë të verës. Por ajo çoi në katastrofë. Kundërofensiva serbe ishte dërrmuese dhe e pandërprerë. Strategjia e tyre ishte që të zinte rrugët e furnizimit të forcave guerrile shqiptare, duke marrë nën kontroll zonat përreth kufirit me Shqipërinë, e më pas duke dëbuar forcat kryengritëse nga të gjitha katundet. Si rezultat i kësaj strategjie, nisi një fushatë kanosjeje që çoi në largimin e qindra e mijëra civilëve nëpër male, së bashku me luftëtarë të UÇK-së. Millosheviçi mendoi se kjo ishte mundësia e tij për të shkatërruar forcat guerrile, ndërsa terrorizonte shqiptarët që mendonin për pavarësinë e Kosovës, duke i bërë që ta braktisnin këtë ëndërr.
Ky ishte vetëm vazhdimi i asaj fushate terrori të serbëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm. Fatmirësisht, bota perëndimore nuk i mbylli sytë ndaj kësaj kataklizme të re që po shkaktohej në zemër të Europës dhe nga i njëjti njeri që kishte shkaktuar në Bosnjë-Hercegovinë gjenocidin më të madh në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Me nismën ngulmuese të ShBA-së, veçanërisht punën e palodhur të sekretares së shtetit, Medellin Ollbrajt, diplomacia perëndimore nuk rreshti së kërkuari një zgjidhje.
Gjatë atyre muajve të rëndë për shqiptarët, një pjesë e madhe e të cilëve u përgjakën, u masakruan dhe u zhytën në varre masive nga trupat serbe, pa pikën e dinjitetit njerëzor, teksa të tjerët u zhvendosën nëpër male, Zëri i Amerikës i mbuloi ato ngjarje për të cilat po fliste e gjithë bota. Ne kishim marrë dorë të lirë për t’i mbuluar ato ngjarje. Kishim dy korrespondentët tanë në Kosovë, Ibrahim Osmanin dhe Shefki Morinën. Megjithëse ne kishim njerëzit tanë në zonën e luftës, agjencia na kishte paralajmëruar se ne mund t’i nisnim atje, por nëse u ndodhte diçka, nuk mund t’u garantonte sigurinë.
Duhet të theksoj se korrespondentët e Zërit të Amerikës në rajonin ku transmetojmë, që prej fillimit, në vitet ‘90 e deri në ditët e sotme, janë të kontraktuar si gazetarë freelance. Kjo do të thotë se ata janë gazetarë të lirë, të pavarur, që përgatisin materiale për ne, në varësi të ngjarjeve apo kërkesave tona, dhe paguhen me honorare për çdo gjë që na dërgojnë dhe që ne e shohim të arsyeshme për ta pranuar. Pra, ata nuk janë punonjës të përhershëm apo të listuar si pjesë e VOA-s, e cila është pjesë e një agjencie federale amerikane.
Raportimet e tyre, me anë të dërgimit të kronikave apo me lidhje të drejtpërdrejta telefonike, ishin çdo ditë të pranishme në edicionet tona radiofonike. Për Kosovën tashmë po fliste e gjithë bota. Dhe ne nuk kishte si ta linim mënjanë. S’ishte as veprim atdhetarie nga ana jonë dhe as përkushtim i veçantë. Ne thjesht bënim detyrën tonë, si pjesë e një agjencie federale informimi.
Duket si e pabesueshme, mirëpo edhe në këtë kohë, përjashtuar tre muajt e luftës, në pranverën e vitit 1999, te redaksia jonë, vijonte të ndiqej linja, sipas të cilës, në edicion, së pari nga ngjarjet në rajonin e Ballkanit kishte përparësi Tirana, më pas Prishtina e në fund Tetova. Edhe përgjatë atyre muajve, lajmet për Kosovën ishin të parat vetëm sepse ky ishte vendimi që vinte nga drejtuesit e mëdhenj të VOA-së. Ishte ai lloj lajmi që vinte në tryezat tona të punës me shënimin “must lead”, që do të thotë “me detyrim”. Kjo do të thoshte se ky lajm ishte me detyrim që të transmetohej në të gjitha shërbimet e Zërit të Amerikës. Asgjë më shumë nuk kemi bërë edhe ne gjatë asaj periudhe.
Në këtë kohë, pati një vërshim të gazetarëve të luftës së mediave më të njohura ndërkombëtare. Të gjitha mediat më në zë në botën perëndimore, i kushtuan një rëndësi të veçantë atyre ngjarjeve. Mbaj mend një artikull të kohës së gazetës së famshme New York Times, në të cilin gazetari përshkruante palët ndërluftuese. “Ushtria serbe është e pajisur mirë me mjetet më moderne të luftës,” shkruante gazetari amerikan, në raportimin e tij që nga Kosova. “Ushtarët e saj janë të veshur mirë, të armatosur e të pajisur me municione, autoblinda, tanke, artileri e të tjerë. Edhe sa i përket ushqimit, janë të pajisur mirë e të organizuar. Ndërsa guerrilasit shqiptarë të UÇK-së,” vijonte ai, “kanë mungesa të shumta në armatime e municione, mjete të rënda apo edhe në ushqim. Teksa ushtarët serbë ushqehen me konserva mishi, e gjellë të ndryshme, sipas një programi të mirorganizuar, luftëtarët e UÇK-së, mbeten me shpresën e ushqimeve të thata që mund t’ua japin fshatarët nga kafshata e tyre. I tillë ishte edhe rasti i një pjesëtari të UÇK-së, që kishte mbushur një thes me bukë në një shtëpi dhe më vonë kishte mbushur xhepat me kumbulla, për t’u ushqyer me bukë e kumbulla.”
Ky ishte thelbi i atij artikulli, të cilin ua solla të perifrazuar. U mallëngjeva nga kjo histori. Lotët nisën të më rridhnin ngadalë. E besoja që ishte e vërtetë sepse shpesh, kur nuk kishim ç’të hanim, që në kohën kur unë isha në Kosovë, ushqeheshim me bukë dhe rrush, ose bukë e kumbulla. Kjo është një histori më vete që ndër shekuj ka përndjekur shumë shqiptarë.
Ofensiva e parë zgjati deri më 15 tetor 1998, kur Serbia nga vetëkënaqësia, e shpalli të likuiduar UÇK-në. Por, UÇK-ja kontrollonte ende afro 40 për qind të hapësirës së Kosovës. Luftimet mes UÇK-së dhe trupave serbe, makabriteti i këtyre të fundit dhe përpjekjet diplomatike vijuan përgjatë atyre muajve të vjeshtës dhe të fillimit të dimrit. Gjersa në mesin e janarit të vitit 1999 ndodhi ajo që shërbeu si pikë kthese për fatin e Kosovës. Në fshatin Reçak, forcat serbe kishin kryer një masakër të vërtetë, duke vrarë barbarisht 45 shqiptarë të pafajshëm. Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, amerikani Uilliam Uoker ishte ai që e ndërkombëtarizoi këtë masakër dhe për këtë shqiptarët duhet t’i jenë përherë mirënjohës.
Ja se si e përshkruan atë situatë sekretarja amerikane e Shtetit në atë kohë, Medellin Ollbrajt, në librin e saj Madam Secretary, në faqen 396:
Meqë ishte e shtunë — 16 janar 1999 — u zgjova pak më vonë, por gjithsesi, përpara agimit. Teksa po qëndroja aty, në mes të errësirës dimërore, dëgjo- va folësin e radios të raportonte për një masakër që kishte ndodhur disa mijëra kilometra larg Uashingtonit. Detajet do të jepeshin më vonë. “Këtu ka shumë kufoma,” u tregonte gazetarëve ambasadori Bill Uoker. “Burra që janë qëlluar në mënyra të ndryshme, por pjesa më e madhe e tyre janë që- lluar nga afër.” 45 njerëz ishin vrarë në fshatin e Reçakut, në Kosovë. Uoker i kishte parë me sytë e tij kufomat, shumica e të cilave ishin shpërndarë në një luginë të thellë, e cila ishte e mbuluar nga dëbora. Të tjerët ishin lënë grumbull, me plagë të tmerrshme. Njërit prej tyre i kishin prerë ko- kën. Të gjitha viktimat ishin të veshur civilë. Kur e pyetën se kush ishte përgjegjës për këtë, Uoker u përgjigj pa asnjë mëdyshje: “Ishte policia serbe.”
![](https://i0.wp.com/shaqirsalihu.com/wp-content/uploads/2018/02/Pamje-te%CC%88-tmerrshme-nga-masakra-mbi-civile%CC%88t-ne%CC%88-Rec%CC%A7ak.png?resize=670%2C458&ssl=1)
![](https://i0.wp.com/shaqirsalihu.com/wp-content/uploads/2018/02/Autori-djathtas-me-ambasadorin-Uilliam-Uoker.png?resize=669%2C455&ssl=1)
Kjo masakër shërbeu si katalizator për diplomacinë perëndimore me ShBA-në në krye. Grupi i kontaktit, në përbërje të të cilit ishin ShBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe Rusia, pas një takimi në Londër, ranë dakord që palët të nisin bisedimet e paqes, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Bisedimet do të mbaheshin në resortin e Rambujesë, në jugperëndim të Parisit dhe do të nisnin më 6 shkurt të vitit 1999. Grupi i kontaktit kishte hartuar një plan që parashikonte autonomi për Kosovën, ndërsa statusi do të rishikohej sërish pas tre vjetësh me “dëshirën e popullit” e në harmoni me faktorët e tjerë. E gjitha kjo do të garantohej nga një forcë paqeruajtëse e NATO-s, e përbërë nga 28 mijë trupa. UÇK-ja do të çarmatosej. Me ndihmën e ndërkombëtarëve do të mbaheshin edhe zgjedhjet dhe do të ngriheshin institucionet demokratike.
Bisedimet nisën të mbaheshin ditë pas dite të dy palëve, me ndërmjetësimin e trojkës së përbërë nga ambasadori amerikan Kris Hill, përfaqësuesi i BE-së Volfgang Petrish dhe ambasadori rus Boris Majorski.
Delegacioni shqiptar përbëhej nga 16 anëtarë. Pjesë e tij ishte politikani i moderuar Ibrahim Rugova, gazetari i respektuar Veton Surroi, akademiku Rexhep Qosja dhe përfaqësues të partive të tjera, të pavarur, si dhe të UÇK-së. Befasisht, për ndërkombëtarët, delegatët zgjodhën në krye të tyre komandantin 29-vjeçar të UÇK-së, Hashim Thaçi. Zgjedhja e Thaçit në krye të delegacionit shqiptar dukej se po reflektonte rënien e vazhdueshme të figurës së Rugovës, i cili zgjidhte gjithnjë të përballej me situatat, duke mos thënë thuajse asgjë. “Madje, kur një prej diplomatëve perëndimorë e pyeti për atë mënyrë sjelljeje,” kujton sekretarja amerikane e Shtetit Medellin Ollbrajt, “Rugova u përgjigj: ‘Ky është stili im’.”
Delegacioni serb, nga ana tjetër, përbëhej nga juristë të mirëpërgatitur, si dhe nga një numër sllavësh myslimanë, turqish e romësh, të përzgjedhur për të treguar gjoja angazhimin e Millosheviçit për larminë etnike. Që në fund të javës së parë u vërejt se delegacioni serb nuk po i merrte seriozisht bisedimet, teksa shqiptarët ngulmonin në të drejtën e tyre për mbajtjen e një referendumi detyrues për pavarësinë.
Pala serbe e shprehu shumë shpejt qëndrimin e saj. Nuk e pranonte planin ndërkombëtar. Përpjekjet diplomatike në Rambuje vijuan për katër javë me radhë. I gjithë delegacioni i Kosovës ishte pro nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë, përveç kryetarit Hashim Thaçi. Thaçi i trembej pikës që parashikonte çarmatosjen e UÇK-së. Por, pas shumë përpjekjesh, në fund edhe Thaçi u bind dhe pala shqiptare e Kosovës e firmosi atë marrëveshje.
Shërbimi në shqip i Zërit të Amerikës e ndoqi çdo ditë hap pas hapi atë ngjarje të madhe për shqiptarët e Kosovës, që kishte tërhequr vëmendjen e fuqive më të mëdha të globit dhe të mediave botërore. Ne kishim atje të dërguarin tonë, gazetarin Arben Xhixho, i cili na dërgonte materiale dhe na raportonte drejtpërdrejt me telefon, edicion pas edicioni. Ne, i kishim të shtuara në atë kohë edicionet radiofonike. Qëkurse Shqipëria u përfshi në ngjarjet e dhunshme të vitit 1997, puna jonë ishte shtuar së tepërmi. Puna e shtuar vijoi edhe më vonë, me ngjarjet e më pas luftën në Kosovë. Në Rambuje, Zëri i Amerikës kishte dërguar edhe gazetarë të shërbimit serb, kroat e të tjerë. Nuk ishte vetëm shërbimi ynë ai që po e mbulonte. Ato bisedime kishin marrë rëndësi mbarëbotërore.
Më në fund, pas vitesh të tëra përpjekje, shqiptarët kishin fituar në një tryezë diplomatike. Gjithnjë, nëse gërmojmë të shkuarën, ato tryeza, në kështjella mesjetare e pallate aristokratësh na kanë kushtuar shumë; na kanë kushtuar gjakun e martirëve të lirisë. Këtë herë, ndjeva që nga mijëra kilometra larg, tej Atlantikut, teksa përgatisnim lajmet për edicionet tona radiofonike për atë marrëveshje, se haku po shkonte tek i zoti. Ndjeva se ato fuqi që na copëtuan në Shën Stefan më 1878-n dhe që nuk na mbrojtën po atë vit, pak ditë më vonë në Kongresin e Berlinit; ato fuqi që na njohën vetëm gjysmën e territoreve më 1913-n, teksa na copë- tuan sërish më 1915-n; ato fuqi që desh lejuan fqinjët tanë të na gllabëronin në Versajë pas Luftës së Parë Botërore, por që vetëm politika e re amerikane e Uilsonit për vetëvendosjen e kombeve na shpëtoi, tashmë ishin më së fundmi në anën e së drejtës, në anën tonë.
Ato ditë të marsit u shërbyen ndërkombëtarëve për t’i dalë borxhit Milloshe- viçit, i cili ishte i vendosur për të mos e ndalur makinerinë e vrasjeve, masakrave, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit në Kosovë. Por “Kasapi i Ballkanit” dukej i vendosur. Siç kujton në librin e saj Madam Secretary, sekretarja amerikane e Shtetit në atë kohë, Medellin Ollbrajt, ajo dërgoi edhe një herë në Beograd diplo- matin e njohur Riçard Hollbruk për të bërë përpjekjen e fundit për ta bindur Millosheviçin që të tërhiqej dhe ai nuk kishte pranuar. Hollbruk e kishte paralajmëruar për nisjen e sulmeve ajrore nga NATO.
Sulmet e aleatëve të NATO-s, me ShBA-në në krye, nisën mbrëmjen e 24 marsit 1999. Në shënjestër të avionëve gjuajtës ishin bazat ushtarake serbe dhe e tërë industria e luftës e pikat strategjike, të shtrira në Serbi e Kosovë. E kujtoj të qartë atë ditë në zyrat e Zërit të Amerikës. Ishte edicioni më emocionues për mua. Dridhmat në zemër m’u shtuan edhe më shumë, kur shefi i shërbimit, Biberaj, erdhi te ne dhe ma caktoi mua detyrën për të qenë folës në atë edicion të parë pas nisjes së sulmeve.
— Sot është dita jote, — më tha Elezi.
Në korridore të gjithë të tjerët ishin të alarmuar. Në divizionin tonë, shumë pranë shërbimit tonë, ishin edhe serbët e malazezët dhe grekët. Njëra prej folëseve të shërbimit grek, Nana Kapetanakos, po ulërinte si e çmendur në korridor:
— Si është e mundur që po bombardohen të krishterët në mes të Europës, në prag të shekullit XXI? — thoshte ajo. — Si është e mundur që në këtë kohë, që po festohet 50-vjetori i themelimit të NATO-s, kjo aleancë e fuqishme perëndimore po bombardon Serbinë, në favor të shqiptarëve myslimanë?
Dukej sikur po me drejtohej mua në korridor. Iu afrova, dhe në atë valë gëzimi dhe emocionesh që më kishte përfshirë, i thashë:
— Sot po bombardohet Beogradi, nesër e ka radhën Athina e pastaj Moska, boshti i së keqes…
Kolegia ime greke u tmerrua dhe ashtu e tërbuar iku te serbët për t’i ngushëlluar. Dera e shërbimit serb të Zërit të Amerikës qëndronte e mbyllur atë ditë. Të gjithë pjesëtarët e shërbimeve në gjuhët sllave shkonin për t’i ngushëlluar. Në ato momente edhe ata kishin një emision radiofonik. Të gjithë folësit mbanin pas shpine nga një copë letër, ku shkruhej “target” (shënjestër), në shenjë proteste për sulmet e NATO-s mbi Serbi.
Leximi i lajmeve atë ditë ishte ndjesia më e bukur që kisha pasur ndonjëherë. Isha i mbushur me hare, ankth dhe shpresë. Një përzierje e pashoq. Ndërsa flisja për atë që po ndodhte, në mendje më vërdalliseshin qindra mendime njëherësh. Më krijohej një pështjellim për ato vuajtje që kisha kaluar unë dhe shumë e shu- më bashkatdhetarë tanë në Kosovë e viset e tjera të shkelura nga çizmja e sllavë- ve. Sytë më ishin mbushur me lot dhe më dukej se do të rridhnin nga çasti në çast. Gëzimin e asaj dite ma shtoi edhe im bir, Iliri, i cili bashkë me një shoqe të quajtur Holli, nga Universiteti “Xhorxh Mejson” në Feirfaks, kishte ardhur në shërbimin në shqip të Zërit të Amerikës. Ai më solli një kek të madh të përgatitur enkas për mua, me shënimin “To the day we thought it would never come” — Për ditën që mendonim se nuk do të vinte kurrë…
Ndërsa shërbimi ynë po festonte, ai serb ishte në pikëllim. Më vonë dëgjova se dy anëtarë të shërbimit serb kishin dhënë dorëheqjen në shenjë proteste se Ame- rika po bombardonte vendlindjen e tyre. Ata kishin shkruar në letrën e dorëheq- jes së tyre se “nuk donin të punonin për një qeveri që u bombardonte vendlind- jen.” Por sfida ishte më e madhe nga sa e mendonim. Millosheviçi nuk po zmbrap- sej dhe i qëndronte fort një politike çnjerëzore për shfarosjen dhe dëbimin e plotë të shqiptarëve, paçka se vendi i tij po bombardohej përnatë. Ushtria serbe, para- ushtarakët dhe policia do të nisnin edhe një fushatë më të egër spastrimi etnik dhe masakrash. Vriteshin civilë, fëmijë, gra, pleq e burra. Groposeshin nëpër va- rreza masive, ku edhe sot, fati i shumë prej tyre nuk dihet. Përdhunoheshin gra. Digjeshin shtëpitë. Kjo i detyroi rreth një milion shqiptarë që të kërkonin strehim në Shqipëri dhe në Maqedoni.
Karvanë njerëzish në këmbë apo në mjete të pakta motorike, të bënin qindra kilometra në këmbë, në të ftohtë. Veç luftës, u krijua një krizë e plotë humanitare. Serbët i kishin shporrur shqiptarët. Kishin arritur atë që kërkonin prej më shumë se një shekull, ndonëse kjo vetëm për pak kohë. Po realizohej ëndrra dhe teza bazë e Çubrilloviçit: “Shqiptarët nuk janë europianë. Duhet të ikin nga Europa.”
Ai e thoshte hapur se shqiptarët duhet të shpërngulen që të shpëtojë Europa nga një rrezik i ardhshëm.
Kishte momente kur në redaksinë tonë mbërrinin lajme se shqiptarët po largoheshin në masë nga Kosova; nga 5 mijë njerëz në çdo orë. Mua me kapte tmerri. Në punë kishim shumë ngarkesë. Transmetonim tri deri në katër edicione në ditë. Çdo çast na vinin lajme të tmerrshme. As kur mbërrija në shtëpi në mbrëmje, nuk mund ta hiqja mendjen nga Kosova. Ashtu i lodhur e rraskapitur, e kaloja gjithë natën përpara televizorit, duke ndjekur kanalet amerikane që raportonin për atë çka po ndodhte atje. Të nesërmen shkoja sërish në punë dhe kjo gjendje agonie vijoi për javë të tëra. Isha shumë i shqetësuar për fatin e familjes sime në Kosovë. Pas disa ditësh, më në fund gjeta një numër të vendit ku ata ishin strehuar. Një ndjenjë çlirimi më kaploi trupin dhe shpirtin kur mësova se ishin mirë. Një pjesë e tyre kishin shkuar në Maqedoni.
Kjo periudhë ishte e ngjeshur me thirrje e kundërthirrje për luftë e paqe. Vendet sllave dhe aleatët e tyre kërkonin ndërprerjen e fushatës së bombardimeve dhe nisjen e dialogut. Madje më kujtohet një intervistë edhe e ish-sekretarit amerikan të shtetit Henri Kisinxher, i cili theksonte se ajo luftë qe e panevojshme. Megjithatë, Kisinxheri nënvizonte se tashmë që lufta kishte nisur, ajo nuk duhej të ndalej deri në fitore, pasi në lojë ishte reputacioni i ShBA-së. “Millosheviçi nuk duhet të lejohet që të fitojë,” thoshte Kisinxher. Artikujt për Kosovën gjatë atyre ditëve ishin të shumtë. Kosova ishte lajmi i faqes së parë për të gjitha gazetat kryesore amerikane e më gjerë në Europën Perëndimore. Edhe televizionet më të njohura e kishin kryelajm Kosovën. Një artikull i gjatë e i analizuar thellë në hollësi i shkrimtarit më të madh shqiptar të kohës sonë Ismail Kadare më bëri përshtypje në atë kohë. Kadare, si mjeshtër i gdhendjes së fjalës, na ofronte gjithashtu një pikëpamje të plotë e të qëmtuar mirë për atë që po ndodhte. Artikulli me titull “Triumfi i krimit” tregonte për pasojat e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve.
Unë po ju sjell disa pjesë kryesore të kësaj analize:
Krimi po triumfon edhe një herë në mes të Europës. Gjymtyrë të prera, fëmijë të copëtuar me sëpatë, gra me barrë me një thikë të ngulur në bark, vajza të mitura të përdhunuara, pleq të karbonizuar. Perëndimi, i gjetur në befasi përpiqet të ndalojë këtë tmerr. Perëndimi është dyfish në siklet. Është e dyta herë brenda një shekulli që krimi po kryhet nga një vend që pretendon të mbrojë krishtërimin, kundër një populli të konsideruar gjysmë të tillë. Pas holokaustit kundër hebrenjve, njolla është tepër e rëndë për t’u mbajtur në ndërgjegje. Ndërkaq, perëndimi në të gjitha veprimet e tij ka hutim, mungesë parashikimi, mëdyshje. Pa qenë i dobët, ai jep një për- shtypje të tillë, duke qenë i vendosur, ai jep përshtypje të kundërt. Ka diçka që nuk shkon në këtë ndeshje, një prapësi dëshpëruese. Në perëndim vazhdojnë hipotezat e polemikat. Diskutohet nëse është e ligjshme apo jo embargoja e naftës, nëse është mirë apo keq të ndihmohet me armë UÇK-ja, nëse duhej bombarduar a jo televizioni i Beogradit, nëse duhet ndërhyrë në tokë, nëse helikopterët “Apash” do të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve, etj. etj….
Ndërkaq, midis kësaj kohe të humbur, Kosova e zhytur në mjegull e terr informativ, e pambrojtur, e vënë në gjunjë nga thika e xhelatit, po vdes çdo ditë e çdo orë, po digjet, po masakrohet, po përdhunohet. Kosova klith për ndihmë, dhe kur viktima thërret, nga të gjitha gjërat më e domosdoshmja është urgjenca e ndihmës. Viktima ka nevojë gjithmonë për urgjencën, kurse xhelati për të kundërtën, zvarritjen.
Në historinë serbe, për fat të keq, krimet kundër popujve të tjerë, masakrat, pastrimi etnik, deportimet janë të shpallura shpesh si pjesë përbërëse e programeve kombëtare. Ky “sinqeritet” i kriminelëve, përveç që është tepër i rrallë në historinë njerëzore, është tejet i rrezikshëm. Me shpalljen e krimit të ardhshëm, krimineli duke marrë ndëshkim, merr miratimin e tërthortë. Në historinë serbe gjenden shumë raste të tilla. Që nga “Natchertanie” (Plani) i Garashaninit më 1844, te projekti Çubrilloviçit më 1937, nga Memorandumi i Akademisë Serbe më 1986 te deklarata e “Lugës së ndrysh- kur” të Sheshelit dhe duarve të prera të Drashkoviçit, si një fill i kuq i për- gjakshëm shpalosen krimi dhe masakra kundër popujve të tjerë, kryesisht shqiptarë.
Kosova martire do të turbullojë shumë ndërgjegje sot e do të bien shumë maska. Përpara foshnjave shqiptare të masakruara atje, asnjë autoritet intelektual nuk mund të mbahet në këmbë në qoftë se përkrah, qoftë edhe tërthorazi, krimin. Ashtu si qengji i biblës, këto foshnja do të kenë fuqinë e tmerrshme të rrënojnë çdo idhull të rrejshëm.
Kur masakrimi kanibalesk hyn në skenë, marrëdhëniet njerëzore ndërpriten. Atje nis kafshëria, ligjet e saj. Pranimi i këtyre ligjeve, qoftë edhe tërthorazi, tregon se qytetërimit i vjen fundi. Edhe kjo arsyeja që qysh në kohët antike popujt kanë qenë shumë të preokupuar kundër masakrimit primitiv. Në këngën e parafundit të “Iliadës”, në duelin e famshëm Akil– Hektor, ky i fundit përpara vdekjes i lutet vrasësit të mos ia gjymtojë tru- pin. Prerja e trupit njerëzor ka qenë brengë e qytetërimit të vjetër grek. Si- pas grekëve, kur trupi njerëzor gjymtohej, ndërpritet këmbimi i mesazheve midis të gjallëve e të vdekurve, me fjalë të tjera, gjithë drejtpeshimi i botës, kultura, kujtesa, morali merrnin fund. Popujt e tjerë ballkanas, sidomos po- pujt autoktonë, në balada të panumërta kanë ndërtuar një kulturë të tërë për të ndaluar prerjet e trupit njerëzor. Është folur shumë për kodin mesje- tar shqiptar “Kanun”, si për një kod të ashpër e primitiv. Ky kod, ligj the- meltar i shqiptarëve gjatë shumë shekujve, ka vërtetë një ftohtësi e ashpërsi tragjike, por edhe ky kod primitiv e i kritikueshëm fort, në bazën e tij, në pjesë themelore, atë që përcakton “Rregullat e vdekjes”, përjashton në më- nyrë absolute masakrën dhe gjymtimin. Ligji i parë i kësaj pjese është që në çdo grindje, në çdo hakmarrje, secila palë në një konflikt, sado i rëndë të jetë ai, ka të drejtën vetëm për një vdekje. Ligji i dytë themelor edhe që vrasja mund të bëhet vetëm në distancë dhe trupi i viktimës nuk mund të preket kurrësesi. (“The Code of Leke Dukagjini” faqe 163. New York, 1989.) Shkelja e këtyre dy ligjeve dënohej në mënyrën më të pamëshirshme.
Si çdo popull, që kur krijon një kod moral, dobësohet përballë popullit tjetër, që nuk e njeh atë kod, shqiptarët u ekspozuan të pambrojtur përpara rrezikut serb. Paskësh qenë e thënë që pikërisht populli shqiptar, populli më mikpritës i Ballkanit, ai që e shpalli shtëpinë e tij “të Zotit dhe mikut”, të shkulej e të dëbohej nga shtëpia e vet prej barbarëve serbë.
![](https://i0.wp.com/shaqirsalihu.com/wp-content/uploads/2018/02/Lufta-kunde%CC%88r-lufte%CC%88s-.png?resize=672%2C459&ssl=1)
Hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë
Kjo situatë vijoi për 78 ditë me radhë, deri më 13 qershor 1999, kur forcat ser- be nisën të tërhiqeshin, pasi Beogradi kishte rënë dakord me ndërmjetësimin e Rusisë, në ditët e para të qershorit. Trupat paqeruajtëse të NATO-s do të zinin vendin e tyre, sipas marrëveshjes, ndërsa edhe një pjesë forcash ruse do të kishin një rol. Sipas asaj që u arrit edhe në Rambuje, UÇK-ja do të çarmatosej, dhe do të niste puna për krijimin e një trupe mbrojtëse. Një administratë ndërkombëtare, e menaxhuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara do të vendosej në Kosovë. Më në fund, shqiptarët e Kosovës do të mund të ktheheshin në trojet e tyre, në shtëpitë e tyre. Shqiptarët kishin fituar lirinë.
Zëri i Amerikës nuk mund të mungonte në këtë ditë historike, që po e pasqy- ronin të gjitha mediat e botës së lirë e demokratike. Ne si shërbim kishim dërguar atje gazetarin tonë Ilir Ikonomi, ndërsa nga dhoma e lajmeve në anglisht të VOA- së ishte gazetari Xhill Batler. Madje këta të dy ishin të parët që më 12 qershor 1999 hynë në territorin e Kosovës përmes kufirit me Maqedoninë, duke ndjekur karvanin e mjeteve ushtarake të NATO-s. Ikonomi kujton se atë segment rrugor nga kufiri i Kosovës me Maqedoninë deri në Prishtinë, që zakonisht përshkohej për 50 minuta me makinë, u bë për tetë orë. Kjo pasi karvani ndalej vazhdimisht për të kontrolluar rrugën për mina që ishin vendosur nga serbët. Më në fund, ai dhe dy gazetarë të tjerë europianë kishin hyrë në Prishtinë dhe kishin ngarë auto- mjetet e marra me qira, pa nevojën e ndonjë shoqëruesi nga forcat paqeruajtëse.83
Ja si e kujton Ilir Ikonomi përvojën e atyre ditëve në intervistë për gazetarin e VOA-së Allen Hajl, për librin e këtij të fundit mbi Zërin e Amerikës:
Unë nuk do ta harroj kurrë ndjesinë e frikshme që përjetova. Nxora telefo- nin tim satelitor, e vendosa në pjesën e përparme të një makine që kolegu im kishte marrë me qera në Shkup. Bëra një raportim të shkurtër telefonik për shërbimin në shqip të Zërit të Amerikës: “Jam në Prishtinë dhe qyteti është i qetë,” thashë në raportim, teksa po shihja rreth e përqark zonën ku ndodhesha… Prishtina i ngjante një qyteti fantazmë. Kërkova për shtëpinë e një mikut tim, ku unë do të shkoja për të kaluar natën. Gjëja e parë për të cilën pyeta ishte se çfarë po ndodhte aty. Ai më tha se “banorët shqiptarë të Prishtinës ose janë larguar, ose janë fshehur nëpër bodrumet e shtëpive të tyre, ku po dëgjojnë radiot perëndimore, sidomos Zërin e Amerikës për të mësuar më shumë mbi hyrjen e trupave të NATO-s në krahinë.” Më vonë u takova edhe me njerëz të tjerë, të cilët i dinin edhe emrat e shërbimit tonë në Zërin e Amerikës.
![](https://i0.wp.com/shaqirsalihu.com/wp-content/uploads/2018/02/Ilir-Ikonomi.png?resize=663%2C980&ssl=1)
13 qershor 1999 — Gazetari i VOA-së Ilir Ikonomi, duke raportuar me telefon satelitor nga Prishtina, përpara një tanku të kontingjentit britanik të NATO-s, për t’u mbroj- tur nga snajperët serbë
Para hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, më 9 qershor në Kumanovë palët — Forca Ndërkombëtare e Sigurisë (KFOR) dhe qeveritë e “Republikës Fede- rale të Jugosllavisë” dhe Republikës së Serbisë — kishin nënshkruar një marrë- veshje që hyri në histori si Marrëveshja e Kumanovës. Në këtë marrëveshje para- shikohej se palët ripohojnë dokumentin e prezantuar nga presidenti Ahtisari te Millosheviçi dhe që u miratua nga parlamenti i Serbisë dhe qeveria federale më 3 qershor 1999, për të përfshirë vendosjen e Kosovës nën patronazhin e pranisë ci- vile dhe të sigurisë ndërkombëtare të OKB-së. Palët theksojnë se Këshilli i Siguri- mit i OKB-së është përgatitur për të miratuar një rezolutë, e cila është prezantuar tashmë, në lidhje me këtë prani ndërkombëtare.
Kjo ishte një pjesë e kësaj marrëveshjeje e cila përcaktoi kornizat e shtetit të ri të Kosovës, që fillimisht u menaxhua nga prania ndërkombëtare e OKB-së. Pak ditë më vonë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244, e cila sanksio- nonte këtë prani në Kosovë. Edhe sot e kësaj dite, zyrtarët serbë i referohen ende kësaj rezolute kur flitet për Kosovën, duke mos e njohur pavarësinë e saj.
***
Ndërhyrja e ShBA-së dhe NATO-s në Kosovë dhe çlirimi i saj nga okupimi e represioni serb ishin një prej operacioneve më të rëndësishme ndërkombëtare, pas Luftës së Dytë Botërore. Arsyeja kryesore për këtë ndërhyrje mendoj se ka qenë ajo humanitare. Por për mendimin tim ka edhe arsye të tjera. Një prej tyre është kriza e mundshme e refugjatëve. Mbi një milion shqiptarë u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre dhe gjetën strehim në Shqipëri, pjesa më e madhe, si dhe në Maqedoni. Por këto dy vende nuk kishin kapacitete për strehimin për një kohë të gjatë të kaq shumë njerëzve, në mënyrë kaq të vrullshme. Ndaj, jo shumë vonë, pesha kryesore për strehimin e refugjatëve do të binte mbi Europën Perëndimore dhe ShBA-në. Ndërhyrja ushtarake, çlirimi i Kosovës dhe rikthimi i shqiptarëve në shtëpitë e tyre e shmangu këtë krizë të mundshme refugjatësh.
Por një arsye edhe më e madhe mund ta ketë shtyrë ShBA-në që të ndërhynte në Kosovë. Hyrja e Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe në kuadër të NATO-s është rrjedhojë logjike e gjithë asaj çfarë kanë bërë NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe për gjithë shqiptarët në Ballkan. Kosova, me pozicionin e saj natyror, konsiderohet si zemra gjeopolitike e Gadishullit të Ballkanit dhe një rajon me rëndësi gjeostrategjike. Ajo shihet si nyja nëpërmjet së cilës kontrollohen të gjitha boshtet natyrore të Ballkanit, zona më kritike e gadi- shullit, pasi ndodhet brenda trekëndëshit gjeografik Kralevë–Shkup–Sofje. Për rëndësinë strategjike që ka Kosova, ish-presidenti amerikan Bill Klinton është shprehur: “Kosova është një vend shumë i vogël, por shtrihet pikërisht në vijën ndarëse të Europës, Azisë dhe Lindjes së Mesme. Është shenja ndarëse ndërmjet islamit dhe krishterimit, pranë aleatëve tanë turq dhe grekë në jug dhe aleatëve të rinj të Hungarisë, Polonisë e Republikës Çeke në veri.”
Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërtuar bazën më të ma- dhe ushtarake në rajon, e cila mban emrin e heroit të luftës së Vietnamit, Xhejms Leroi Bondstill. Kjo bazë konsiderohet si një investim që të paktën deri tani ka kushtuar 300 milionë dollarë. Për mendimin tim, ShBA e ka parë Kosovën si vendin ideal në afatin e gjatë të kohës. Shtrirja e saj gjeografike dhe investimi në fu- shën ushtarake e tregojnë fare mirë këtë. Një popull proamerikan, një vend i lirë dhe mirënjohës, që mund të shfrytëzohet për planet gjeopolitike. ShBA-së duhet t’i jemi përjetë mirënjohëse për ndihmën që na dha duke na çliruar. Padyshim, nëse ata nuk do të ndërhynin për çlirimin e Kosovës, shqiptarët do të ishin në një pozitë shumë herë më të keqe.
Por unë nuk mendoj se ShBA po punon për çështjen shqiptare. Dikur, në fillim e kam besuar, por sot jo. Edhe shqiptarët duhet të zgjohen dhe ta kuptojnë se ShBA po përpiqet të ketë pozita të forta në rajon dhe të krijojë stabilitet aty. Për këtë arsye shpesh herë ajo propozon lëshime ndaj Serbisë e Malit të Zi, në kurriz të Kosovës, apo lëshime ndaj Maqedonisë në kurriz të një milion shqiptarëve atje. Për mendimin tim personal, udhëheqësit e Kosovës duhet të mësohen që në raste kur cenohet territori i Kosovës apo sovraniteti i saj t’i thonë jo kujtdo shteti, përfshirë edhe ShBA-në.
Për të vazhduar së lexuari nga faqja 393-400 klikoni këtu.
Klikoni këtu për listën e plotë të kapitujve të librit “Rrëfime lirie”.