Pjesë nga “Rrëfime lirie”. Më poshtë mund të lexoni tri faqet e para të librit.
Fshati Banullë është i vogël dhe pak i njohur. Ai nuk është në hartë. Por ky katund gjendet tri kilometra në juglindje të Lipjanit, në Kosovë — Dardaninë e lashtë. Lipjani shtrihet 16 kilometra në jug të Prishtinës, në rrafshin buzë lumit Sitnicë. Kjo pjesë e Kosovës, në kohën e Turqisë, i përkiste Sanxhakut të Shkupit. Me ndarjen e re administrative, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, u bë pjesë e vilajetit jetëshkurtër të Prizrenit, që më 1877 u zëvendësua nga Vilajeti i Kosovës. Ky term u mor nga emri gjeografik Fusha e Kosovës, e cila shtrihet prej Kaçanikut në jug, e deri në Mitrovicë në veri; prej maleve Carralevë, Golesh e Çiçavicë në perëndim, deri në malet Prugovë, Koznicë e Zhegoc në lindje. Fusha e Kosovës është e gjatë 80 kilometra dhe e gjerë rreth 30 kilometra. Pra, Banulla gjendet në qendër të këtij rrafshi të famshëm, që dikur thuhej se bashkë me Vojvodinën përbënin hambarin e drithërave për tërë ish-Jugosllavinë. Kjo është pjesa më pjellore e Kosovës.
Në këtë fshat linda unë, në vjeshtë të vitit 1942.
Lipjani shtrihet në një pozitë të mirë gjeografike. Ky qytet ndodhet në udhëkryqin e rrugëve më të rëndësishme të rajonit që lidh qendrat më të mëdha të Kosovës. Lipjanin e sotëm e përshkojnë rrugët tokësore Prishtinë–Shkup dhe Prishtinë–Prizren, si dhe hekurudha Prishtinë–Shkup, e ndërtuar nëpër Kosovë qysh më 1873–74. E njëjta kalon nëpër Lipjan që nga viti 1928.
Lipjani është vendbanim i veçantë. Lypiana, Lypenion, Lipiana, siç ndeshet në periudha të ndryshme historike, nuk është vetëm pasues i Ulpianës mesjetare. Lipjani si vendbanim është i njohur që prej antikitetit në epokën romake dhe bizantine, e më pas gjatë Perandorisë Osmane.
Më 1942, kur linda unë, ashtu si i gjithë rajoni e bota, edhe Kosova ishte në luftë. Në vitin 1941, kur Gjermania naziste pushtoi Jugosllavinë, Italisë iu dha një pjesë e Kosovës, por pa Mitrovicën e disa vise të tjera. Gjermanët e bënë këtë për arsye strategjike. Edhe Çamërinë nuk ua dhanë italianëve, por e mbajtën nën kontrollin e tyre. E gjithë kjo u quajt “Shqipëria e Madhe” prej fashistëve, duke e kompromentuar rëndë çështjen shqiptare dhe zgjidhjen e saj. ShBA, BRSS dhe Britania e Madhe kishin vendosur në vitin 1941 që të mos njihnin asnjë kufi të ndryshuar nga boshti fashist.
Ja si e përshkruan nga Çikago inxhinieri Agim Sula, në parathënien e botimit në ShBA të librit me vjersha Kosovari. Vepra është një përmbledhje e librit Sulm e lotë të Dhimitër Paskos, botuar në Tiranë më 1943-tën:
Për të neutralizuar një pjesë të shqiptarëve dhe për ta bërë për vete një pjesë tjetër, komanda gjermane e pushtimit kishte deklaruar se pas luftës, Shqipërisë do t’i njiheshin kufijtë e saj etnikë. Se çfarë do të ndodhte vërtetë nëse Gjermania do ta fitonte luftën nuk dihet. Por dihet se çfarë ndodhi kur e fituan aleatët. Vendi ynë jo vetëm që mbeti i cunguar si më parë, por e pësoi edhe më keq; ra nën kthetrat gjakatare të tiranisë komuniste. Pavarësisht nga premtimet e aleatëve apo nga ëndërrimet dhe përpjekjet e nacionalistëve për një Shqipëri të bashkuar, një gjë ishte e qartë: gjatë pushtimit nazist, kufiri artificial i vitit 1913 ishte hequr.
Pushtuesin nazifashist e luftuan si nacionalistët, ashtu edhe komunistët. Këta të fundit u paralizuan një kohë prej paktit Ribentrop–Molotov për ndarjen e sferave të ndikimit në Europën Lindore. Më pas e luftuan shumë ashpër, gjë që ishte në interes të Aleatëve, sepse angazhoheshin në territorin shqiptar më shumë forca, të cilat hiqeshin nga frontet e tjera. Rivaliteti ballist–komunist për pushtet, ideologjitë e kundërta, komunizmi dhe antikomunizmi, shkaktuan diferencim të thellë edhe në mënyrat e mjetet e luftës. Nacionalistët, pas tetorit 1943 kur PKSh u shpalli luftë me armë, e pezulluan përkohësisht luftën antifashiste.
Kur pritej që krahu i nacionalistëve të rikthehej të bënte qëndresë, ata kaluan më në skaj, nisën bashkëpunimin konkret ushtarak dhe politik me gjermanët nazistë. Për hir të një bashkimi kombëtar, i cili nuk u realizua, përkrahje dhanë të gjitha shtresat, rinia dhe intelektualët, por jo pak edhe fshatarësia. Ishte një luftë masive.
Gjatë viteve të “Shqipërisë së Madhe”, 1941–45, një pjesë e popullsisë ishte e përfshirë në administratën e regjimit që u krijua. Mendoj se të tillë pati edhe nga fshati Banullë. Kjo bëri që më vonë, disa prej tyre të pushkatoheshin pa gjyq nga regjimi komunist, ndërsa të tjerë u dënuan deri me 20 vjet burg. Familjarëve të tyre iu konfiskua e gjithë pasuria. Komunistët arsyetoheshin se po vepronin kundër “armiqve të popullit”. Por në të vërtetë, po përndiqnin atdhetarë shqiptarë që kishin punuar për kombin.
Kjo është një histori e gjatë. Pas rënies së Jugosllavisë më 1941, Kosova dhe trevat shqiptare në Mal të Zi dhe Maqedoni iu bashkëngjitën shtetit amë, Shqipërisë, nga Musolini. Ndërkohë që Partia Komuniste Jugosllave filloi të organizojë një lëvizje partizane, ajo e ndërroi politikën e mëparshme që ishte në favor të kthimit të Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare, Shqipërisë. Në marrëdhëniet e Partisë Komuniste Jugosllave (PKJ) me komunistët shqiptarë të Kosovës dhe Partinë Komuniste të Shqipërisë, e cila u krijua në nëntor të vitit 1941 me ndihmën e komunistëve jugosllavë, PKJ i shmangej një qëndrimi të prerë mbi çështjen e të ardhmes së Kosovës. Por gjatë luftës, Partia Komuniste Jugosllave u njihte të drejtën e vetëvendosjes shqiptarëve, përfshirë edhe ndarjen. Dega e PKJ-së në Kosovë dhe lëvizjet partizane ishin të pavarura nga lëvizja partizane e Serbisë dhe rajoneve të tjera jugosllave dhe kishte lidhje të drejtpërdrejta me Komitetin Qendror të PKJ-së deri në fund të luftës.
Partia Komuniste e Jugosllavisë ka pasur probleme të shumta në përpjekjet e saj për të siguruar mbështetjen e masës popullore shqiptare. Ende nuk ishin harruar kujtimet e hidhura të persekutimeve të tmerrshme gjatë Jugosllavisë së paraluftës dhe duke u frikësuar se fitorja e komunistëve do të çonte në riintegrimin e saj me Jugosllavinë, kosovarët në përgjithësi ishin kundër lëvizjes partizane jugosllave. Për të përmirësuar perspektivën e lëvizjes partizane, Milladin Popoviçi, anëtar i PKJ-së me lidhje të ngushta me Partinë Komuniste Shqiptare, propozoi që partia në Kosovë të vendoset nën juridiksionin e Partisë Komuniste Shqiptare, por ky propozim u hodh poshtë nga KQ i PKJ-së.
Çështja e Kosovës shkaktoi mosmarrëveshje të thella midis PKJ-së nga njëra anë dhe PKSh-së e komunistëve kosovarë nga ana tjetër. PK e Shqipërisë përkrahte bashkimin e Kosovës me shtetin amë, Shqipërinë. Në gusht të vitit 1943, PKSh dhe Partia Nacionaliste Balli Kombëtar nënshkruan marrëveshjen e Mukjes duke mbështetur kërkesën e Shqipërisë që Kosova t’i kthehej shtetit amë, Shqipërisë. Por me trysninë e fuqishme të Svetozar Vukmanoviç Tempos, anëtar i KQ të PKJ- së, i cili në atë kohë ishte në Shqipëri, PKSh u detyrua të heqë dorë nga kjo marrëveshje. Por Partia Komuniste Jugosllave në një letër që i dërgoi PKSh-së deklaroi se çështja e Kosovës nuk do të jetë fare problem midis dy vendeve dhe se në Jugosllavinë e re nuk ka vend për shtypje të minoritetit shqiptar.
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë u përkrah edhe nga konferenca e parë e Këshillit Krahinor të Kosovës që u mbajt nga 31 dhjetori 1943 deri më 2 janar 1944 në Bujan, në pjesën veriore të Shqipërisë. Por edhe këtë marrëveshje e kundërshtuan komunistët sllavë, duke thënë se çështja e kufijve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë dhe çështja e Kosovës do të zgjidhen me një marrëveshje vëllazërore midis Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Jugosllavisë dhe Këshillit Nacional Çlirimtar të Shqipërisë në bazë të së drejtës së vetëvendosjes së vendeve. Mënyra se si do të përcaktohen kufijtë do të varet nga gjendja politike në Jugosllavi dhe në Shqipëri. Tani për tani ne, shkruan letra jugosllave, nuk duhet të bëjmë ndonjë deklaratë mbi këtë çështje.
Siç dihet Kosova mbeti nën kthetrat sllave edhe për shumë e shumë vite. Ashtu si në Jugosllavinë e paraluftës, hartimi i kushtetutës së re për sa u përket territoreve shqiptare që mbetën jashtë Shqipërisë Londineze u vendos në mënyrë arbitrare. S’u mor fare parasysh përbërja e dendur dhe kompakte e popullsisë shqiptare të këtyre trojeve. Territoret shqiptare u ndanë në tri njësi të ndryshme administrative: Zonat jugperëndimore iu bashkuan Republikës së Malit të Zi. Tetova, Dibra e zona të tjera juglindore u bënë pjesë e Republikës së Maqedonisë. Ndërsa Kosovës iu ndërrua emri dhe u quajt Kosovë-Metohi; shkurt shkruhej Kosmet dhe ishte shpallur si rajon autonom që serbisht quhej obllast, brenda Republikës së Serbisë, megjithëse kjo nuk do të thoshte se shqiptarëve iu dha ndonjë autonomi. Kosova madje nuk kishte as të njëjtin status si Vojvodina, sepse Vojvodina ishte pothuajse republikë. Ajo kishte gjykatën e lartë dhe struktura të tjera qeveritare thuajse si në gjashtë republikat e tjera.
Edhe në Banullë pati anëtarë të Ballit Kombëtar, siç kishte në fshatrat përreth, si Llugaxhi e Gumnasellë etj., që nuk ishin dakord me mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet dhe që Kosova përfundimisht mbeti nën sundimin e sllavëve. Siç mbaj mend unë, të paktën dy bashkëfshatarë u dënuan politikisht për shkak të qëndrimeve të tyre kundër sundimit sllav në Kosovë, Qerim Selimi-Banulla dhe Shaban Haxhi Jashari.
Në atë kohë, një kushëri yni, Ramadush Zeqir Salihu, humbi pa gjurmë. Të afërmit e tij treguan se një ditë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, sllavët erdhën dhe e kërkuan që të dilte e të luftonte përkrah tyre si partizan. Por ai nuk u kthye kurrë më në shtëpi. Kishte thashetheme se e kanë vrarë në një fshat pranë tonit, Banullës. Të tjerë thoshin se Ramadushi ishte pjesë e shqiptarëve që u vranë në masakrën e Tivarit. Por së fundmi, në një artikull hulumtues, Ilir Krasniqi publikoi një listë ku tregohet se si sllavët kanë pushkatuar 295 shqiptarë në burgun e Prishtinës. Mes tyre është edhe emri i Ramadush Zeqirit, i cili është ekzekutuar në janar të vitit 1945:
105. Selamani Adem Memet, Bujncë, Prishtinë, pushkatohet ‘46
106. Baftia Xhema Alim, Prishtinë, pushkatohet në nëntor ‘44
107. Aziri Sali Adem, Plitkoviç, Prishtinë, pushkatohet në shkurt ‘45
108. Ramadush Zeqiri, Banduliç, Prishtinë, pushkatohet në janar ‘45
109. Avdulla Azir Sali, Banduliç, Prishtinë, pushkatohet në janar ‘45
110. Durmishi Murrem, Prishtinë, pushkatohet më 1944, Podujevë
Pjesa më e madhe e banorëve të Banullës nuk e dinin se cilët po luftojnë, cilët po fitojnë apo se në krahun e kujt po luftohet. Ata nuk dinin as shkrim dhe këndim. Nuk dinin nëse ishin turq apo shqiptarë. Por një gjë e kishin gjithmonë të qartë: Ata nuk ishin sllavë. Kjo sepse nuk dinin sllavisht. Ata nuk dinin as turqishten, por anonin disi nga kjo kulturë për shkak të fesë. Ata kryenin ritet fetare dhe agjëronin gjatë muajit të Ramazanit dhe thuajse çdo lagje merrte nga një hoxhë gjatë kësaj periudhe, për t’u lutur me të.
Për të vazhduar së lexuari tri faqet e ardhshme klikoni këtu.
Për të mësuar më shumë rreth librit “Rrëfime lirie” klikoni këtu.