Një takim i rëndësishëm në Romë i autorit të librit “Rrëfime lirie” me intelektualin e madh Ernest Koliqi rrëfehet në faqet 150-155.
Një ditë vjeshte, në vizitat e shpeshta që bënte në Atinë, Dom Prenka më propozoi që të shkonim në Romë. Profesor Ernest Koliqi, ky gjigant i letrave shqipe, intelektual i thekur e atdhetar, kishte dëgjuar për mua nga Dom Prenka.
— Është një djalë i ri nga Kosova në qytezën e Atinës. Ka punuar si mësues për disa vite, por është përndjekur nga regjimi sllav. Është burgosur dy herë nga ta. Para disa javësh ka ardhur këtu në Itali dhe po përpiqem ta ndihmoj që të shkojë me strehim politik në ShBA ose gjetkë. Për momentin edhe ai po më ndihmon mua në regjistrimin e emigrantëve, — i kishte treguar për mua profesor Koliqit, ky prift i mirë.
Profesor Koliqi ka shërbyer si ministër i Arsimit në qeverinë shqiptare gjatë viteve 1941 deri më 1944-tën. Kohë kjo kur Shqipëria ishte nën pushtimin nazifashist. Këto fuqi okupatore, pasi pushtuan trojet tona, për të fituar simpatinë e shqiptarëve, realizuan bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Pjesë e qeverive shqiptare të atyre viteve, të cilat ishin lodër në dorën e pushtuesve, ishte edhe profesor Koliqi.
Nganjëherë, e keqja luftohet edhe brenda sistemit. Nëse je jashtë tij, nuk ke mundësi ta luftosh. Nëse je brenda, ke mundësi edhe ta përdorësh për një të mirë kombëtare. Analfabetizmi ishte një ndër problemet më të mëdha në Kosovë. Ishte pikërisht Ernest Koliqi që gjatë viteve që shërbeu si ministër i arsimit, bëri përpjekjen e parë madhore për arsimimin e shqiptarëve të Kosovës. Ai dërgoi qindra mësues në Kosovë, të cilët ishin goxha të kualifikuar. Disa prej tyre kishin mbaruar edhe të famshmen Normale të Elbasanit.
Detyra e tyre ishte t’u mësonin fëmijëve shqiptarë gjuhën shqipe së pari e mandej edhe t’i shkollonin. Misionin atdhetar të këtyre arsimtarëve e përshkruan më së miri edhe dr. Rexhep Krasniqi në librin e tij Komiteti “Shqipëria e lirë” dhe shkrime të tjera:
Mbas studimit të nji planit të përpikët, Ministria e Arsimit dërgoi nja 200 mësuesë e mësuese, të cilët nën drejtimin e Inspektorave dhe Drejtorave të emnuem, hapën nji sasi të konsiderueshme shkollash fillore, në qytetet e sipërshënueme [bëhet fjalë për qytetet e Kosovës: Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Prishtinë, Gjilan, Ferizaj etj.] e ashtu dhe në katunde të mëdhaja. Përveç organizimit në rreze mjaft të gjanë për at kohë të arësimit filluer, Ministria kishte vendosë me hapë nji gjimnaz të plotë tetëvjeçar në Prish- tinë dhe tri shkolla të mesme katërvjeçare në Prizren, Pejë, Gjakovë dhe nji shkollë t’ushtrimit të bujqësisë në Tetovë, ashtu dhe nji shkollë tjetër Zanati për qylyma në Prishtinë.
Për drejtimin e Gjimnazit të Prishtinës, me kohë ishte caktue nji arsimtar i merituem Kosovar që ishte në Tiranë. Por, ky për arsye personale në çastin e fundit u tërhoq. Ministri Koliqi që, i kishte dhanë nji randësi të jashtëzakonshme zhvillimit të arësimit kombëtar në krahinat kosovare, u gjind në nji pozitë të vështirë për zavendësimin e tij. Ma në fund, me pëlqimin e plotë të tij, ai ia ofroj Prof. Rexhep Krasniqit, drejtimin e shkollës në fjalë si Komisar i Ministris, i cili njikohësisht, do të ruente pozitën që kishte në atë kohë si Inspektor Epror në Ministrinë e Arësimit bashkë me arësimtarët e njoftun si Karl Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Anton Deda, Kolë Kamsi e Kostaq Cipo.
Para se të nisej në krye të detyrës, z Krasniqi pat nji bashkfjalim të gjatë me prof. Koliqin, i cili ndër të tjera udhëzime, shquejti tri pika me randësi të posaçme:
1) Ministria e Arësimit ven bujarisht në dispozicion mjete financare dhe materjal të ndryshëm për ekuipazhimin e shkollës dhe të Internatit, si dhe për ushqim e veshëmbathje të studentave bursistë;
2) Mësimi i gjuhës shqipe do të kishte prioritetin; mbi të gjitha landët e tjera, mundësisht, me nga dy orë të përditshme për të gjitha klasat, dhe po për ket qellim ai porosite që
3) Studentat e kësaj shkolle nuk do të kishin nevojë të marrin pjesë në organizimin e rinisë fashiste, siç ishte gjendja në Shqipninë e vjetër.
[…] ma në fund, erdhi çasti historik i hapjes së Shkollës së parë të plotë të Mesme në gjuhën shqipe, që u realizue me 12 Dhjetor 1941. Asht interesant të shquhet fakti që, pjesa e popullsisë vendase Serbe, seriozisht dyshonte se shqiptarët do të jenë në gjendje me organizue dhe drejtue nji institut të tillë. Me përjashtim të nji studenteshës prej origjine ruse, në nji klasë të epërme, asnji prej rinisë së kombësisë serbe nuk u regjistrue.
Kjo asht historia e përmbledhtë e organizimit të shkollës shqipe në krahinat shqiptare të Jugosllavisë prej vjetit 1941–1944, të cilat u banë baza me randësi për zhvillimin e përparimin e gjanë dhe të shumanëshëm të arësimit dhe të kulturës shqiptare në Jugosllavinë e sotëshme.
Profesor Ernest Koliqi, që rrinte prej shumë kohësh në Romë, madje jepte mësim në universitet, kishte shprehur dëshirën të njihej me mua. Unë isha një ndër shqiptarët e paktë nga Kosova që kisha njohuri se si po shkonte arsimimi i shqip- tarëve nën regjimin serbomalazez.
Një të shtunë tetori, bashkë me Dom Prenkë Ndrevashajn, të shoqëruar me makinë nga Zef Sadria, mbërritëm në Romë. Kur mbrëmja kishte rënë dhe Roma përkëdhelej nga një fllad i lehtë vjeshte, u nisëm për te restoranti ku duhet të takonim profesor Koliqin. Zefi na çoi me makinë dhe na la aty mua dhe Dom Prenkën. Prifti i mirë i tha atij të mos na priste se do të vonoheshim. Restoranti ndo- dhej në një prej kodrave të shumta që ka Roma, kjo kryeqendër e botës së lashtë. Nga ai pozicion mund të këqyrje të gjithë kryeqytetin e Italisë. Roma e bukur me drita e me ndërtesat e vjetra sa vetë historia. Që andej, edhe pse kishte rënë terri, mund të sodisje Koloseun mitik, që ndrinte nga larg apo Vatikanin.
Peizazhi para meje ishte mbresëlënës dhe emocional. Por më shumë emocione më shtinte ideja se për pak çaste do të takoja profesorin e nderuar të shqipes, që porsi shqipet ishte detyruar të degëdisej larg në mërgim nga regjimi komunist që kishte mbërthyer Shqipërinë mëmë. Ernest Koliqi kishte zënë vendin e nderuar që i takon edhe në Itali, por ashtu siç shqipet fluturojnë larg e kthehen sërish në fole, edhe profesor Koliqin e mundonte malli dhe shqetësimi për atdheun. Jo veç për Shqipërinë Londineze, por edhe për Kosovën e trevat e tjera shqiptare.
Para takimit me këtë kolos të letrave shqipe ndihesha si nxënësi përpara një provimi të rëndësishëm. Një dridhmë më përshkonte trupin. Por përshëndetja e tij e përzemërt, me dialektin e shkodranishtes më qetësoi menjëherë e më dha zemër. Vetja më dukej i vogël përpara atij njeriu dhe intelektuali aq të madh e me zë, si dhe një prifti të urtë, inteligjent dhe aq atdhetar, gjithashtu shkodran. Gjithnjë kam gëzuar një respekt të veçantë ndaj komunitetit katolik në Shqipëri. Ai i ka dhuruar shumë intelektualë vendit, të cilët kanë ndihmuar pamasë në ruajtjen e kulturës e virtyteve të shqiptarizmit. Janë klerikët katolikë që lëvruan të parët gjuhën shqipe. Pal Engjëlli, peshkopi i Durrësit, krahu i djathtë i Skënderbeut, dokumentoi i pari shqipen me Formulën e Pagëzimit në vitin 1462: “Unte’ paghesont premenit Atit et Birit et Spertit Senit.”
Dom Gjon Buzuku ishte ai që nxori veprën e parë në gjuhën shqipe. Meshari në vitin 1555, na krenon për vlerat tona. Klerikë intelektualë e shkrimtarë të tjerë të kohës ishin edhe Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Frang Bardhi e Lekë Matranga. Më vonë gjatë Rilindjes Kombëtare spikat edhe Homeri Shqiptar, Patër Gjergj Fishta; dallohen Dom Ndre Mjeda, Dom Nikollë Kaçorri apo intelektualë si Luigj Gurakuqi e shumë rilindas të tjerë të shqiptarizmit.
Tek bisedoja me profesor Koliqin, në mendje më shkonte ai transformim i gjendjes sime. Nga një refugjat i ngratë, i përndjekur nga sllavët e i nisur drejt një udhëtimi që s’ia dija fundin, tashmë isha në të njëjtën tryezë me një intelektual të lartë të shqipes e një klerik bamirës.
Profesor Koliqi më pyeste për shumë gjëra rreth gjendjes në Kosovë. Ishte me të vërtetë shumë i interesuar. Ndërsa Dom Prenka dëgjonte me vëmendje. I shpjegova se gjendja pas demonstratave po ndryshonte. I tregova se unë vetë kisha marrë pjesë në demonstratat e nëntorit të një viti më parë (1968). Në to ne kishim kërkuar shumë të drejta: përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe politike, përmirësimin e statusit të shqiptarëve, themelimin e universitetit, status të njëjtë për gjuhën shqipe me serbishten në Kosovë, e të tjera. Fola shumë për rigjallërimin e atdhetarizmit shqiptar pas shkarkimit të ministrit jugosllav të punëve të brendshme, Aleksandër Rankoviç, kasapi i shqiptarëve. I fola për Plenumin e Brioneve të vitit 1966 dhe për shpërbërjen e policisë së fshehtë, të drejtuar nga serbët në Kosovë. Këto zhvillime, i shpjegova, i dhanë pak shpresë popullit shqiptar të Kosovës se ndoshta më në fund lufta për barazi do të triumfonte.
Shpesh profesori ndërhynte me pyetje që tingëllonin si provokuese:
— Sa popullor është Enver Hoxha në Kosovë?
Çfarë mund t’i them profesorit. Shteti amë me në krye Enver Hoxhën nuk po bënte asgjë për bashkimin kombëtar? Që Enver Hoxha është popullor, por për disa arsye të tjera? Është popullor për inat të serbëve. Por ne shqiptarët e Kosovës nuk i dinim të gjitha faktet. Një pjesë e mirë e tyre, edhe sot nuk e dinë se ishin sllavët ata që e sollën Enver Hoxhën në pushtet. Nuk e dinë se ai ka bërë më shumë keq ndaj popullit të tij, nga sa prisnin serbët.
— Enver Hoxha, — tha profesori, — ia ka sterilizuar popullit shqiptar të gjitha ndjenjat kombëtare. Por ajo që më habit është se disa gjoja intelektualë, janë bërë po aq të këqij sa edhe vetë Enver Hoxha. Për këtë njeri do të flasim më vonë.
Biseda vijoi rreth gjendjes së shqiptarëve nën sundimin serb.
— Ma merr mendja, — i thashë, — se nëse Kosova merr statusin republikë, ndarja nga Jugosllavia dhe bashkimi me shtetin amë do të ishte më i lehtë. Tani për tani është e integruar ngushtë në Republikën e Serbisë. Por kjo që po ndodh tani është mjaft nxitëse, sepse edhe vetë Titoja thotë se Rankoviçi dhe mbështetësit e tij kishin ushtruar një kontroll të rreptë dhe kishin kryer krime të shumta ndaj shqiptarëve në Kosovë.
— Shaqiri ka qenë viktimë e Rankoviçëve. Është burgosur dy herë, — ndërhyri Dom Prenka.
Biseda vazhdoi me rrëfimin tim për dënimin politik që kisha kryer para rrëzimit të Rankoviçit dhe pas, në vitet 1968 dhe 1969. Iu tregova se shqiptarët e Kosovës ishin përqendruar në kërkimin e të drejtave të tyre kombëtare dhe se ishte intensifikuar thirrja “Kosova Republikë”, ashtu si gjashtë republikat e tjera brenda Jugosllavisë, si dhe për përpjekjet për marrjen e përgjegjësive për Kosovën. Biseduam gjatë atë mbrëmje. Po afronte mesnata. Profesor Ernest Koliqi gëzonte një simpati të veçantë për poetët e rinj të Kosovës. Kuptova që profesori mbeti shumë i kënaqur nga ai takim. Në njërën prej dy revistave të tij të përdymuajshme Shêjzat që më dhuroi atë natë, shkruante:
Pesë qind vjet ndën Sulltana e pesëdhetë vjet nën Krajla, Rilindja e jonë duel në dritë vonë — nji qind vjet mbas Arbëreshit t’Italisë. Jeten e re e filluem nji qind vjet mbas Flamurit t’Arbërit. Pesë qind vjet ndën Sulltana dhe pesëdhet vjet ndën Kralja nuk qe e mundun të kishim shkrimtarë si Lekë Matranga e Nikollë Filja, Jul Variboba e Thomas Barbaci, Nikollë Keta e Nikollë Brankati, Zef Barcia e Gavril dara, Anton Santori e Vinçenc Stratigo, De Martino dhe Angordica, Pjeter Kjara e Zef Serembe, Bernard Bilota e Zef Skiroi, por patëm vetëm një Ndue Bytyçi e një Shtjefën Gjeçov, të cilit ia shprishën gjakun pse na la trashigim të shkruem Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe na mësonte ta lexojmë e ta përshkruajmë. Por na patëm Lidhjen e Prizrenit që na shkoi huq dhe patëm Hasan Prishtinën e Bajram Currin, Avni Rustemin e Azem Galicën, të cilëve Krajlat ua prishën gjakun.
Tash na kemi Esad Mekulin që shkroi serbisht për sharraxhit e gjakut tonë e tash shkruen shqip për ne dhe drejton Revistën Jeta e Re. Kanget e Ali Binakut s’na i shkruajnë ma të tjerët, sepse tash Esad Mekuli i bie sharkisë së Ymër [Rizës] dhe livadhet në bjeshkë e në vrri tash i kositim vetë, sepse Ramiz Kelmendi i ka mbarshtrue devijimet në letrat e Ulqinit. Dielli që simbas Dobrica Qosiçit, ishte larg, nuk e ka humbur rrugen dhe simpas Mark Isakut, përkëdhel me rreze t’arta edhe krahinën tonë, sepse njerzit e Hivzi Sylejmanit përzunë mjegullën dhe na trusi pesë qind vjet ndën Sulltana dhe pesëdhetë vjet ndën Krajla. Na nuk e patëm njoftë lirin, prandaj na shkrin malli për të pambërrishmen, sepse edhe na jemi njerëz që dijmë me përshëndetë me shamija engjujt e rrugëve. Na hecim pa pritesë drejt ditëve të reja me karavanin tonë të bardhë, edhe pse shpesh marrim në thue aty ku dahen lumejtë dhe ballin e kemi plot vija dhe vrragë prej netëve të turbullta. Na jemi besnik të trashigimit të mbarë të gjakut tonë të shprishur dhe thurrim kunora kujtimesh me gjyrma të jetës. Na demonstrojmë pse edhe ka njerëz me samar dhe mbysim urrejtjen në dashuni, sepse ndër lugjet e verdha bulojnë gjethe të reja. Na kemi mësuar të këndojmë notat, ne, mbi dhe ndën pentagram e përjetojmë me ndiesi tingujt e fyellit, lahutës, sharkisë dhe violins si dhe kangën e sprasme të Balës dhe kangën e zezakut. Dijmë të komponojmë jo vetëm për ne, por edhe për të tjerët poema, sepse tashma kemi mësue ç’kemi qen, ç’jemi dhe ç’do të jemi.
E gjithë kjo s’asht kurgja e jashtazakonshme në përmasa botnore, por për ne jo bash e zakonshme, sepse na vonë u ringjallëm por “Ma mirë vonë se kurrë”.
Për të vazhduar së lexuari nga faqja 167-171 klikoni këtu.
Duke klikuar këtu mund të gjeni komente të tjera për librin “Rrëfime lirie” të cilat janë publikuar në media dhe në internet.