Pjesë në vijim të librit “Rrëfime lirie”.
Vështirësitë dhe diskriminimi serb në shkollat shqiptare. Përballimi i autorit me drejtuesit serbë të shkollës gjer në arrestimin e tij të parë.
Dimri atë vit ishte tejet i ftohtë. Klasat e fëmijëve shqiptarë mbeteshin shumë të ftohta. Nxënësit vinin nga fshatrat përreth dhe më tepër se gjysma e tyre nuk kishin veshmbathje të mira. Ashtu si në kohën kur isha edhe vetë nxënës, stufat furnizoheshin me qymyrguri, i cili ishte shpesh i lagur dhe nuk ndizej. Bënte shumë tym, por nxehtësi nuk çlironte. Për shkak të tymit detyroheshim të hapnim dritaret, por nga jashtë vinte një ajër shumë i ftohtë. Më dhimbseshin fëmijët tej mase, sa që nuk dija se si të veproja. Vinin pothuajse zbathur, sidomos ata të fshatit Konjuh. Nxënësit shpresonin se kur të mbërrinin në shkollë do të ngroheshin dhe do t’i thanin çorapet dhe këpucët e tyre. Por, kjo nuk ndodhte sepse stufa prodhonte vetëm tym dhe lëshonte në ajër dioksid karboni.
Këta fëmijë më rrinë para syve edhe sot. Ata ktheheshin në shtëpi ashtu të lagur. Shikonin fëmijët e serbëve, të veshur e të mbathur mirë, me kapele e pallto dimri. Kishin edhe çizme për të mos u lagur. Kurse fëmijët shqiptarë e mbështillnin kokën me shaminë e nënave. Sa të vuajtur, sa të etur për dije, sa të fortë, sa të sjellshëm e sa të kujdesshëm ishin. Bëja çmos për t’i nxitur që ata ta frekuentonin shkollën çdo ditë, që të mos humbitnin asnjë ditë prej saj. Vetëm të arsimuar shqiptarët kanë ditur dhe do të mund të mësojnë të kërkojnë dhe mbrojnë të drejtat e tyre, për të luftuar e për t’u çliruar nga hordhitë sllave.
Më ka mbetur në kujtesë një rast shumë i veçantë. Një të diel në mbrëmje fi- lloi një stuhi bore. Frynte një erë e ftohtë nga veriu. Në Rrafshin e Kosovës nuk siguroje dot vend për t’u strehuar. Pas gjysmës së natës kishte ngrirë. Bënte një i ftohtë i acartë. Xhadetë ishin paralizuar. Ato ishin rrugë për qerre kuajsh e për njerëz. Kishte edhe baltë, por ishte e ngrirë. Vetë banoja në Lipjan. Vështrova në dritare dhe vura re se bora kishte mbuluar të gjitha rrugët. S’kishte kaluar asnjë njeri nëpër ato udhë. Dukej sikur e gjithë qyteza dhe rajoni ishin ngurtësuar.
Jo larg banesës sime ishte një gjellëtore. Një kuzhiniere nga rrethi i Dragashit ziente gjellë të shijshme. Ata blinin kafshë në rrethin e maleve të Sharrit. Në mëngjes gatuanin një lloj supe që ne e quanim paçe. Atë ditë paçja ishte një mrekulli, pasi bënte shumë ftohtë. Pasi hëngra një mëngjes të mirë, u drejtova për në shkollë. Numri i nxënësve ishte shumë i kufizuar. Vinin grupe-grupe nga dy a tre nxënës. Në klasën time kishin ardhur vetëm ata që banonin në qytet. Stufa nuk ndizej me qymyrgur. U bëra shumë nervoz dhe nuk më mbante vendi. Kalova nga shkolla e serbëve. Mu para derës së hyrjes kryesore kishte ardhur një kamion me dru. Ata e shkarkuan shpejt dhe e çuan prapa shkollës në një depo të vogël që ishte ngjitur me shkollën e serbëve. Tymi ngjitej lart në qiell. Stufat me dru nxehnin shpejt e mirë klasat. Prita pak dhe në klasën time kishin mbërritur rreth 10 a 15 nxënës. Nuk mund të zhvillohej mësim në ato kushte. Gjaku po më vlonte nga inati se si vepronin në këtë mënyrë në Lipjan. Punonjësve që kujdeseshin për nxehjen e klasave dhe ndezjen e zjarrit iu thashë që në paralelet shqiptare nuk po digjet dot qymyri.
— A mund të na sillni dru për t’u ngrohur?
— Jo, — tha njëri prej tyre. — Drutë janë vetëm për shkollën afër rrugës kryesore.
— Kush e ka dhënë këtë urdhër? — pyeta unë.
— Ky urdhër është dhënë prej shumë kohësh.
Vendosa të shkoj tek drejtori. E pashë që po vinte. Ishte veshur mirë: me pallto dimri të një cilësie perëndimore, çizmet, kapelën dhe dorezat. Prita rreth 10 a 15 minuta deri sa mora me mend se ai mund të ndodhej në zyrë. Hyra nëpër korridorin e shkollës serbe. Klasat ishin plot nxënës. Temperatura në to ishte shumë e lartë. Trokita në derën e drejtorit, i cili më lejoji të hyja brenda.
— Tungat Shaqir, — tha ai. — A kanë ardhur sot nxënësit?
— Jo nuk kanë ardhur të gjithë, vetëm gjysma e tyre. Të them të vërtetën sho- ku drejtor, klasat e shqiptarëve janë shumë të ftohta. Qymyrguri nuk ndizet. Shërbyesit më thanë se prapa në depo ka dru, por sipas tyre ato janë vetëm për klasat e serbëve.
Për një moment u shqetësua shumë dhe nxori një cigare duhan për ta ndezur. — Dëshiron ta ndezësh? — m’u drejtua.
— Jo, piva para disa minutash.
— Kjo çështje është mjaft shqetësuese, që fëmijët të mos kenë me çfarë të ngrohen. Por, më shqetësues është fakti që asnjë mësimdhënës tjetër shqiptar nuk është ankuar për këtë problem. Ti je bërë zëdhënësi i shqiptarëve në shkollë.
— Eja në klasën time dhe shiheni vetë! Hyr në cilëndo klasë të shqiptarëve. Arsimtarët janë të veshur me pallto dimri e nxënësit qëndrojnë të ngrirë para tyre. Pasi të kesh vizituar paralelet shqiptare, hyj pak edhe tek paralelet serbe e shiko se çfarë komoditeti kanë. Kështu qenka Vëllazërim-Bashkimi?!
Ishin kohë të vështira. Përdorimi i një gjuhe të tillë me drejtorin serb ishte tabu. Duke ndezur cigaret njëra pas tjetrës, erdhi tek klasa ime. Dhoma ishte e mbushur e gjitha me tym, fëmijët kishin hapur dritaret pasi nuk duronin dot. Një kolege shqiptare erdhi në klasën time dhe më tha:
— Faleminderit Shaqir!
Po atë ditë, i pyeta nxënësit se pse nuk kishin ardhur në shkollë një ditë më parë. E dija që bënte shumë ftohtë. Por, disa prej atyre që banonin në Lipjan kishin mundësi të vinin në shkollë. Nuk do të më bënte aspak përshtypje nëse do të merrja përgjigje të tilla se “munguan për shkak se ishte ftohtë”, por përgjigja e njërit prej nxënësve të fshatit Konjuh më “varrosi për së gjalli”. Quhej Bejtush.
— I dashur mësues, — tha ai, — nuk erdha në shkollë se pantallonat që më lau nëna nuk ishin tharë dot, pasi mbi to kishte rënë dëborë gjatë natës.
Atyre pantallonave nuk mund t’u vëreje dot as ngjyrën origjinale nga arnat e shumta që i kishin mbuluar.
Mjafton të mendosh për një çast për këtë vogëlush, të cilit nuk i ishin tharë dot pantallonat e gjatë asaj kohe ai ishte mbuluar vetëm me një thes, hedhur mbi trupin e tij, për të kuptuar fytyrën e vërtetë të atij mjerimi.
Edhe sot, kur mbaj mbi supe 70 e kusur vjet dhe jetoj në një shtet të pasur, po të fliste dikush për të tilla situata, do të trishtohesha. Sa herë e kujtoj atë ngjarje përjetoj po të njëjtin trishtim si dikur. Kjo tregon se sa të varfër kemi qenë e sa të varfër jemi edhe sot në Kosovë. Ne shqiptarët nuk po mësojmë dot nga historia.
Për të vazhduar së lexuari nga faqja 86-92, ju mund të vizitoni këtë link.
Komente të tjera për librin “Rrëfime lirie”, publikuar në media dhe në internet i gjeni duke klikuar këtu.