Faqet 182-186 të librit tregojnë për nisjen e jetës në Uashington nga autori.
Kisha siguruar një strehë për të futur kokën, por ajo ishte e përkohshme sigurisht. Duhet të mendoja për një zgjidhje. Ishin ditë tepër të vështira. Pas një periudhe qetësie te familja Mërfi, po e provoja sërish peshën e kapitalizmit. S’njihja askënd në Uashington. Ndërsa shihja çdo ditë për punë, përpiqesha t’i menaxhoja mirë ato pak para që kisha. Haja pak gjëra që blija nëpër supermarkete. Kërkimi i punës qe i vështirë. Futesha në restorante dhe vende në të cilat mendoja se mund të gjeja një punë, por asgjë. Ndonëse isha me dokumente të rregullta, nuk po nisja dot punë diku. Çdo gjë po bëhej më e vështirë për mua, teksa ndieja edhe trysninë e kohës. Ditët po kalonin dhe së shpejti mund të gjendesha pa asnjë cent, në nje qytet të madh, ku nuk njihja njeri. Një prej atyre ditëve, hyra në një supermarket me emrin “Safeway” (Seifuei).
Doja të blija vetëm pak bukë dhe qumësht, që të kaloja edhe atë vakt me ushqim. Rrjeti i supermarketeve Seifuei është i njohur anembanë Amerikës edhe sot e kësaj dite. Pasi mora ato çka desha, dola dhe u ula në një bordurë përpara dyqanit dhe po haja ato që kisha blerë. Teksa qëndroja ulur, duke ngrënë atë pak bukë dhe duke pirë atë qumësht që edhe po më ushqente, edhe po më shuante etjen, në anën e majtë të këtij dyqani të madh më zuri syri një shigjetë që tregonte një drejtim për te zyra e punësimit. Ajo ishte një zyrë e rrjetit Seifuei, për të pritur njerëzit që dëshironin të punonin në atë dyqan të stërmadh.
E ndoqa këtë shigjetë që më drejtonte te pjesa e mbrapme e dyqanit, ngjita disa shkallë dhe u gjenda përpara asaj që quhej Safeway Employment Office — Zyra e Punësimit të Seifueit. Hyra në atë zyrë dhe prita disa minuta, pasi një vajzë gjithashtu po plotësonte një formular aplikimi për të kërkuar punë. Përgjegjësi i asaj zyre ishte një burrë, rreth të pesëdhjetave, me origjinë çeke. Ai më këshilloi që të plotësoja formularin e aplikimit. Sapo i hodha një sy, ia ktheva mbrapsht.
— Çfarë ke? — më tha. I tregova se unë nuk kisha adresë, siç më kërkohej në formular. — Jam përkohësisht në një hotel dhe nuk kam as telefon.
— Më vjen shumë keq, por nuk mund të të ndihmoj, — m’u përgjigj ai.
Dola nga zyra, ashtu siç isha, i mërzitur, me shpresë të venitur. Nuk dija më ç’të bëja. Por, befas, dëgjoj një zë nga pas.
— Sir, sir, — “zotëri, zotëri,” po më thërriste. — Kthehu në zyrë.
I tregova historinë time të trishtë dhe gjendjen e vështirë. U prek shumë. Sytë iu mbushën me lot. Ai e kishte kuptuar më së miri se në ç’batak ndodhesha.
— Më prit vetëm disa minuta, — më tha, dhe ngriti receptorin e telefonit. Nisi të bisedonte me dikë në zyrat e fabrikës së qumështit Seifuei. Pas 10 minutash, më tha se kisha një mundësi të punësohesha në fabrikën që merrej me përpunimin e qumështit, e cila ndodhej në një qytet te quajtur Lendover, në shtetin Merilend, rreth 20 kilometra në veri të Uashingtonit. Më dha edhe adresën. Në fund më uroi suksese.
Dola nga ajo zyrë, tepër mirënjohës për zotërinë dhe duke e falënderuar disa herë. U nisa duke pyetur njerëzit për atë adresë. Ende nuk e flisja mirë anglishten dhe adresën në fjalë nuk e shqiptoja siç duhet. Por problemi më i madh për mua ishte largësia e atij vendi. Unë nuk kisha makinë. Ndërsa nuk ia kisha idenë nëse kishte linjë autobusi apo treni që më çonte atje. Në fakt, në pjesën më të madhe të ShBA-së, transporti publik është problem. Të gjithë kanë kerret e tyre, që u shër- bejnë për të përshkuar sipërfaqet pafund të këtij vendi gjigant, dhe transportit publik i është kushtuar pak rëndësi.
Isha nisur në këmbë drejt Lendoverit, fillikat, nën të nxehtin përvëlues. Ecja përgjatë cepit të autostratës, teksa asfalti lëshonte duhin e tij që të shkrinte, ndërsa dielli ishte si saç mbi kokën time. Por, nuk mund të tërhiqesha. Një vend pune në atë fabrikë, do të thoshte shpresë për mua; ishte mbijetesë. Eca për orë të tëra. Isha nisur pak pas mesditës. Më në fund, pas shumë orësh, mbërrita në Lendover. Por fabrika ku isha nisur unë, gjendej në një kompleks industrial, larg zonave të banuara. Ndonëse pyesja banorët, nuk gjeta një përgjigje. Ata nuk e njihnin rru- gën ku ndodhej fabrika. Ra nata dhe përveç lodhjes dhe mërzitjes, ndihesha edhe i rrezikuar. Ajo lagje nuk ofronte siguri. Unë bija në sy, pasi lëvizja në këmbë, ndërsa të gjithë të tjerët kishin makina.
Rreth mesnatës, më së fundmi, e gjeta kompleksin industrial. Te porta e madhe ishte një roje. E pyeta nëse në këtë kompleks të stërmadh gjendej edhe fabri- ka e qumështit Seifuei.
— Po, — më tha roja, — kjo është fabrika e qumështit Seifuei.
I tregova se kisha një letër dhe një takim me drejtorin e fabrikës, Den Mallins. Ai më tha se s’dinte gjë, por meqë kisha letrën me vete, më futi brenda dhe më çoi të mbikëqyrësi i ndërrimit të natës. Ishte mesnatë dhe sigurisht që drejtori nuk gjendej në punë në atë orë dhe vetëm të nesërmen do të vinte. Por mbikëqyrësi, pavarësisht se ia shpjegova hallin tim, dhe i thashë që nuk mund të kthehesha së- rish në Uashington natën, më këmbë, kur sapo kisha mbërritur, nuk më ofroi ndo- një mundësi për t’u strehuar atë natë në fabrikë. Pasi u largova, nuk u ktheva nga porta e madhe ku qëndronte roja. Dola nga pas. Në fabrikë kishte plot punonjës edhe në ato orë. Në fabrikë punohej, por gjatë natës, kryesisht kryheshin pastrime të makinerive dhe mjediseve të punës. Ndërsa disa kamionë të mëdhenj ishin aty mbrapa. U afrova dhe pashë se ata ishin të hapur dhe të mbushur me kashtë nga mbrapa, gati për t’u furnizuar me produktet e qumështit të nesërmen e për t’u shpërndarë nëpër supermarkete. U futa në njërin prej tyre dhe rashë të flija. Isha i dërrmuar nga ajo ditë e vështirë, por që gjithsesi po më ngjallte një shpresë.
Asaj gjendjeje i shkonin më së miri vargjet e ish-kolegut tim te Zëri i Amerikës, Bardhyl Pogoni:
Ku më shpure o Zot
e si më le
udhëve të botës
pa shok e atdhe.
Ku më shpure o Zot
e si më le
të vdes përditë nga pak
tek bredh mbi dhe.
Ah brodha, u lodha
udhëve më kot
e paqen e kërkova
s’e gjetkam dot.
Ku më shpure o Zot?
E si më le
Trishtimin për shok
Mërgimin atdhe.
Të nesërmen më zgjoi herët zhurma që bënin shoferët për bashkimin e pjesës së mbrapme të kamionit, me pjesën e përparme. U çova dhe dola që andej. Shkova te zyra e mbikëqyrësit sërish. Tashmë, ai i turnit të natës, ia kishte lënë vendin punonjësit të turnit të parë. E pyeta për zotin Mallins, por ai m’u përgjigj se drejtori nuk vinte përpara orës nëntë. Por, më tha se mund të futesha te salla ku pu- nonjësit hanin ushqim. Hyra atje. Në një frigorifer të madh, të mbushur me qumësht, djathë dhe nënprodukte të tjera, më thanë që mund të merrja dhe të haja mëngjes. Isha i uritur dhe i etur. Hëngra dhe piva qumësht dhe prita gjersa të vinte zoti Mallins.
Pas orës nëntë, shkova te zyra e tij. Ia shpjegova situatën e vështirë dhe të pashpresë në të cilën gjendesha.
— Po, — më tha, — unë do të të jap një punë.
Ndjeva sikur të kisha lindur për së dyti në atë moment dhe sytë m’u mbushën me lot. Më në fund po çelej një mundësi që të stabilizohesha në atë vend ku nuk njihja asnjeri. Por, më tha se që të regjistrohesha aty, duhej që më parë të isha anëtar i sindikatës së punonjësve të fabrikës. Zyrat e asaj sindikate gjendeshin larg, në Uashington, dhe unë nuk kisha me se të shkoja, veçse në këmbë. Por, zoti Mallins thërriti një punonjës të quajtur Ben, i cili duhet të më çonte me makinë. I tha që t’u thosha atyre të sindikatës se do të punësohesha në fabrikë dhe që të më regjistronin. Beni më shoqëroi për në sindikatë. Vajtëm atje dhe bëra regjistrimin sipas procedurave dhe pagova një sasi parash prej 10 dollarësh për anëtarësinë për një vit. U kthyem me Benin në fabrikë. Unë nuk kisha ende një banesë ku të shkoja. Beni u tregua shumë i mirë me mua. Më tha se mund të më ndihmonte nëse do më nevojitej gjë.
— Ben, dua të shkoj në hotel në Uashington. Kam për të marrë një valixhe me rrobat e mia atje, — i shpjegova.
Por Beni, pasi më tha se do të më shoqëronte, më këshilloi të qëndroja atë natë në hotel dhe të nesërmen do të vinte të më merrte në mëngjes, për të shkuar në fabrikë dhe pasdite do të më ndihmonte të gjeja një banesë.
Të nesërmen në mëngjes, pasi Beni erdhi dhe më mori për në punë, u shkëputa përfundimisht nga hoteli ku kisha qëndruar për dy javë. Në punë më caktuan për t’u marrë me pastrimet. Edhe pagesa ishte goxha e mirë për atë kohë. Përfitoja rreth 200 dollarë në javë, që s’ishin pak. Por, m’u desh kohë për ta mësuar procesin e punës. Për fatin tim të mirë, drejtori Den Mallins ishte njeri për së mbari. Më tha të mos shqetësohesha, pasi me kalimin e kohës do ta mësoja se si ta kryeja punën dhe do të vijoja normalisht. Pasdite, së bashku me Ben, shkuam në një kompleks banesash, gjashtë a shtatë kilometra larg fabrikës. Gjetëm një apartament të vogël, si dhe bleva një krevat të vogël, që mund ta palosje, një jastëk e një batanije, sa për të fjetur. Ata që menaxhonin kompleksin kërkonin një garanci dhe një sasi parash në një llogari, pasi nuk kishin besim. Por, edhe në këtë pikë, drejtori i fabrikës u tregua tejet njerëzor dhe i garantoi ata se unë isha punonjës, si dhe dha edhe fondin e parave, të cilin duhet ta shlyeja me këste nga rroga. Veç kësaj, Mallinsi më solli të nesërmen edhe një biçikletë, me të cilën të shkoja në punë.
Isha me fat dhe ende nuk e besoja, që më në fund, unë që isha aq i pashpresë dhe që nuk njihja njeri në Uashington e përreth, më në fund po stabilizohesha. Pasi mora rrogën e parë, nisa të blija edhe ca sende dhe mobilie të nevojshme për apartamentin tim të vogël. Tre muaj më vonë, për të shprehur mirënjohjen time, u ktheva në Uashington, tek ajo zyrë e punësimit të rrjetit të supermarketeve Seifuei. Takova njeriun që më mbajti gjallë shpresën: zotërinë me origjinë çeke, të cilit ia kam harruar emrin fatkeqësisht. Ishte ai burrë i mirë që më mundësoi të nisja një jetë të re.
Vizitoni linkun për të vazhduar së lexuari librin nga faqja 198-202.
Për të ditur më shumë rreth “Rrëfime lirie” klikoni këtu.