Zëri i Amerikës në shqip dhe eliminimi i mozaikut kombëtar. Mësoni më tepër duke lexuar faqet 271-280 të librit.
Vitet 1985–1986 shënuan krijimin e një Shqipërie të plotë në shërbimin në shqip të Zërit të Amerikës. Në këtë periudhë, pjesë e seksionit tonë u bënë gazetarë e punonjës nga thuajse të gjitha anët e katër vilajeteve të famshme. Aleko Bimbli ishte nga Korça; Pëllumb Koka vinte nga Delvina; Zoi Shyti nga zona e Myzeqesë; Kleanth Mima nga Elbasani; Isabela dhe Zamira Islami vinin nga Tirana; shefi i shërbimit Gasper Kiçi ishte me origjinë nga Shkodra, ndërsa Xhevdet Hoxha ishte nga Kopliku; Gjekë Gjonlekaj vinte nga trevat shqiptare në Malin e Zi; Ramadan Disha vinte nga trevat shqiptare në Maqedoni, nga Dibra e Madhe; Afrim Luboteni vinte nga Prizreni, ndërsa unë, Shaqir Salihu, vija nga Lipjani, rrethinë pranë Prishtinës.
Nuk kishim vetëm shqiptarë me origjinë nga zona e Çamërisë, e cila i ishte shkëputur trungut amë padrejtësisht më 1913, për t’iu dhënë Greqisë. Meqenëse ndonjë fundjavë vinte të punonte edhe Elez Biberaj, mund të themi se kishim edhe shqiptarë me prejardhje nga Tropoja.
Në shërbimin në shqip të Zërit të Amerikës u krijua një lloj mozaiku kombëtar. Kolegët e mi vinin nga të gjitha anët e Shqipërisë. Zemra më bëhej mal nga lumturia. Ishte kënaqësi e veçantë që më në fund, pas shumë vitesh në Amerikë, më ishte krijuar mundësia që të punoja me vëllezërit e motrat shqiptarë. Me ta flisnim të njëjtën gjuhë, kishim të njëjtat tradita. Shkoja në punë me gëzim. Fakti që flisnim në dialekte të ndryshme dhe nëndialekte nuk na pengonte. Të gjithë mundoheshim t’i afroheshim sa më shumë shqipes standarde, në të shkruar dhe në leximet e lajmeve. Në grup ishte krijuar harmoni.
Kjo harmoni, fatkeqësisht nuk do të zgjaste shumë. Fryma e bashkëpunimit në grup dhe entuziazmi nisën të lëkunden në momentin kur shefi i shërbimit, Kiçi nisi të favorizonte Isabelën, të cilën donte ta bënte editore. Isabela Islami nisi punë më 1 korrik 1985 në Zërin e Amerikës me gradën GS-9, ashtu si të gjithë ne, dhe siç është rregullorja për punonjësit e rinj. Në momentin që një punonjës i ri nis punë në Zërin e Amerikës me gradën GS-9, nuk mund të rritet në detyrë me gradën tjetër GS-11, pa kaluar të paktën një vit. Ndërsa për të qenë editor, jepet grada GS-12.
Në mars të vitit 1986, Gasper Kiçi i shkruan sindikatës së punonjësve të Zërit të Amerikës se Isabela ishte tashmë me gradën GS-11. Por si mund të ishte ajo me këtë gradë, kur nuk kishte bërë ende një vit punë? Ka vetëm një përjashtim nga ky rregull, kur një punonjës i caktuar ka aftësi të jashtëzakonshme dhe përvojë disa vjeçare në gazetari, mund ta nisë punën me GS-11. Por ky nuk ishte rasti i Isabelës.
Gjatës kohës kur Kiçi po e ushtronte në mars të vitit 1986 Isabelën për editore, anëtarët më me përvojë të stafit ndiheshin të diskriminuar. Me shpresën për të parandaluar një përçarje fatale në ekipin tonë, kontaktova sindikatën ku paraqita situatën që Isabela Islami po privilegjohej dhe favorizohej në dëm të anëtarëve të tjerë të stafit. Më poshtë, mund të shihni përmes faksimileve të gjithë letërkëmbimet e Kiçit me sindikatën në lidhje me këtë çështje.
Ai iu përgjigj sindikatës se përveç Isabelës, ai po ushtronte edhe Xhevdet Hoxhën dhe Pëllumb Kokën, gjë që në fakt nuk ishte e vërtetë, pasi ne ishim aty gjithë kohën dhe e shihnim se ç’ndodhte. Kiçi ishte i përqendruar vetëm tek Isabela.
Kjo më bëri që të shkoja te drejtori i Divizionit të Europës, Eduard Meinlend, të cilit iu ankova se përse Kiçi po favorizonte Isabela Islamin, e cila nuk ishte as nënshtetase amerikane, nuk kishte më shumë përvojë pune se shumë të tjerë prej nesh dhe mbi të gjitha nuk ishte e qartë se si kishte kapërcyer nga grada GS-9 në GS-11.
— Unë dua që të qartësohet kjo çështje. Shefi i shërbimit po favorizon Isabela Islamin, duke e trajnuar për editore dhe ne të tjerët jo. Sindikatës i ka thënë se po ushtron tre vetë, por kjo s’është e vërtetë. Ai duhet t’u japë të gjithëve mundësi konkurrimi, madje jo vetëm ata që ka përmendur po edhe mua dhe një koleg tjetër nga Kosova, që na ka lënë jashtë, — i thashë shefit të divizionit.
— Unë nuk e di këtë. Nuk më ka informuar njeri. Ta thërrasim Gasper Kiçin dhe ta sqarojmë këtë situatë, — m’u përgjigj Meinlend.
Menjëherë thërriti Kiçin për të na ballafaquar.
— Është e vërtetë kjo që më tha zoti Salihu që ti po favorizon një punonjëse duke e ushtruar për editore, e cila nuk ka nënshtetësi amerikane dhe ke lënë jashtë të paktën dy shtetas amerikanë, me më shumë përvojë? — e pyeti shefi i divizionit Meinlend zotin Kiçi.
— Jo. Nuk është e vërtetë, — iu përgjigj Kiçi. — Unë po ushtroj edhe dy të tjerë, Xhevdet Hoxhën dhe Pëllumb Kokën. Zoti Meinlend, unë nuk mund të ushtroj zotin Salihu, as zotin Disha, sepse ata nuk kanë ndjekur kurrë shkollat shqipe dhe janë nga Serbia.
— Zoti Meinlend, kjo nuk është e vërtetë! — ndërhyra. Unë jam nga Kosova. Është e vërtetë që sot Kosova është e pushtuar dhe gjendet nën Serbinë, por që të thuash që unë nuk di shqip, kur kjo është gjuha e nënës për mua, është absurde. Gasper Kiçi ka qenë ai që më ka marrë mua në punë kur kam dhënë provimin për punonjës të përhershëm. Ai, si zëvendësshef i shërbimit, dhe Frank Shkreli madje më kanë graduar nga GS-9 në GS-11.
Zoti Meinlend i tërhoqi vërejtje zotit Kiçi dhe e urdhëroi që të trajnojë edhe të tjerët.
— Do ta afishoj lajmërimin për punën, — tha Kiçi.
Ka mundësi që Kiçi nuk e bëri kurrë këtë, që të afishojë në korridoret e Zërit të Amerikës, te stenda e madhe e lajmërimeve, njoftimin që shërbimi në shqip kishte nevojë për dy editorë. Ose mund ta ketë afishuar për fare pak kohë në prill të atij viti, duke e hequr shumë shpejt. Sipas rregullores, shefi i shërbimit shkon te Zyra e Personelit dhe u jep detajet për vendin e punës vakant dhe për kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët. Bëhen dy kopje. Njërën e mban Zyra e Personelit dhe tjetrën e merr shefi i shërbimit për ta vënë te stenda e lajmërimeve. Ai mund t’i ketë kryer të gjitha këto procedura, por dyshoj nëse e ka afishuar në stendë. Edhe nëse e ka bërë e ka lënë për një periudhë shumë të shkurtër kohore.
Disa javë më vonë, në muajin maj të vitit 1986 me sa më kujtohet, gjatë mbledhjes së përditshme editoriale të mëngjesit, shefi i shërbimit Gasper Kiçi erdhi dhe tha:
— I përgëzoj Xhevdet Hoxhën dhe Isabela Islamin! Ata ishin të vetmit kandi- datë që iu përgjigjën konkursit që shpalli Zyra e Personelit për dy vendet e punës si editor, me gradën GS-12.
Ishim të gjithë të pranishëm. Unë pashë me habi Ramadanin, i cili gjithashtu po më shikonte në të njëjtën mënyrë. U befasuam pasi nuk dinim asgjë për asnjë lloj konkursi. Nuk mund të qëndroja pa reaguar.
— Zoti Kiçi, neve nuk e kemi parë njoftimin për atë konkurs.
— Nuk është faji im që nuk e keni parë. Ka qenë i afishuar në stendë për dy javë, — u përgjigj Kiçi.
Një tradhti e madhe ishte bërë në shërbimin në shqip të Zërit të Amerikës. Menjëherë pas edicionit informativ radiofonik të mesditës, shkova te drejtori i Zyrës së Personelit, Glen Satën, në katin e parë.
— Zoti Satën, kemi një problem shumë të madh në shërbimin në shqip. Sot, zoti Kiçi njoftoi se dy anëtarë të shërbimit tonë janë graduar me GS-12, gjoja se kanë konkurruar për dy poste editori.
— Kush tjetër kërkonte të merrte pjesë në konkurs? — më pyeti.
— Përveç meje, është edhe Ramadan Disha.
— Në rregull. Ftoje edhe zotin Ramadan Disha të vijë të më takojë.
E njoftova Ramadanin me telefonin e zyrës së zotit Satën. Mbërriti pa u vonuar shumë. Ai e zotëronte në mënyrë të përsosur anglishten.
— Zoti Satën është e pabesueshme! E pabesueshme! — i tha Ramadani zotit Satën, me një shprehi habie që ende qëndronte e pllakosur në fytyrën e tij. — Ai njeri është i çmendur pas asaj gruaje.
— Ju jeni shtetas amerikan?! — i tha zoti Satën Ramadanit, i mahnitur nga anglishtja e tij e shkëlqyer.
— Po, zoti Satën. Jam shtetas amerikan. Kam punuar si gazetar në Kosovë.
Kam studiuar për gazetarinë radiofonike dhe televizive në Kolegjin “Bruklin” në Nju-Jork. Ndërsa ajo gruaja, që Kiçi e ka bërë thuajse shefe, nuk di anglisht.
— Zotërinj, — tha Satën, — shkoni në zyrën tuaj. Bëni punën tuaj dhe mos bëni asgjë që mund ta acarojë situatën. Mos u ngatërroni as me Kiçin. Por ju premtoj se do ta thërras dhe do ta çoj këtë çështje deri në fund.
Ne nuk e dimë nëse Satën e ka thërritur në zyrë apo jo Kiçin dhe nëse e ka vënë në dijeni drejtorin e Divizionit të Europës, Eduard Meinlend. Por, një nga ato ditë, Kiçi erdhi dhe na njoftoi se Zyra e Personelit e kishte anuluar atë kon- kurs. Kiçi u tmerrua nga gjithë ai bumerang që i erdhi pas lojës së tij për të ndih- muar Isabelën. Ndërsa në shërbimin tonë, konflikti u thellua. Përçarja në mesin tonë u bë edhe më e madhe dhe harmonia që ishte krijuar në atë mozaikun kom- bëtar, tashmë ishte shkatërruar.
Me Xhevdet Hoxhën, deri atëherë kisha marrëdhënie të mira, por ai u ftoh me mua. Ne nuk kishim gjë me të, pasi ai i plotësonte kushtet (shtetas amerikan, vitet dhe aftësitë), por e kishim me Isabelën, e cila përfitoi pa të drejtë. Rregullat e promovimit ishin krijuar që të shmangnin pikërisht këto lloj situatash. Tani marrëdhënia jonë pësoi krisje. Xhevdeti u bë palë me atë që ne atëherë e quanim “Grupi i Kiçit”.
Kriza që kaploi seksionin, ndikoi edhe në rënien e moralit në punë. Në grupin tonë, gjatë ditës së punës, pllakoste heshtja dhe një qetësi shurdhuese. Puna vazhdonte, por jo me entuziazmin e mëparshëm. Gradimi i tyre u anulua dhe ata u kthyen me pagën e mëparshme, jo me atë të editorit. Por Xhevdeti dhe Isabela vijonin të redaktonin si editorë të përkohshëm, pasi Kiçi e kishte kërkuar këtë, sepse sipas tij, kishte nevojë për ndihmë. Ne, sipas Kiçit, nuk dinim shqip dhe vetëm Xhevdeti e Isabela mund ta ndihmonin.
Grupi i Kiçit nisi edhe diskriminimin ndaj meje dhe Afrimit e Ramadanit. Na trajtonin si persona të dorës së dytë. Personalisht më duhej të tregoja shumë kujdes në punën time dhe vetëpërmbajtje në veprime, sepse në çdo moment, mund të bija pre e provokimeve të tyre.
Nuk e kuptoj, por më ishte krijuar ndjesia që një pjesë e shqiptarëve të Shqi- përisë Londineze kishin krijuar një stereotip për ne shqiptarët e Kosovës, si mbështetës të Enver Hoxhës. Vetë kolegu im nga Kopliku, Xhevdet Hoxha, më kishte thënë kur erdhi në punë në 1984-tën, se ne kosovarët jemi të marrë, sepse simpatizojmë Enverin. “Vetëm mbajeni mend se dajaku i vëllait është më i rëndë se dajaku i shkjaut.”
Këtë e vërtetova më së miri gjatë atyre viteve, kur u diskriminuam nga vëllezërit tanë shqiptarë, në shërbimin tonë, në Zërin e Amerikës. Për mua kjo krijoi një plagë të madhe në zemër. Vetëm pak muaj, pasi më në fund mendova se kishim krijuar një Shqipëri të madhe në atë seksion, ëndrra m’u fashit. Edhe shpresa për bashkimin kombëtar bashkë me të.
Shumë vite më vonë mora vesh një të vërtetë të hidhur lidhur me këtë çështje. Në atë kohë, miku im Ramadan Disha u zmbraps nga beteja jonë. Vonë mësova se kjo kishte ardhur si pasojë e një shantazhi të ulët që ishte bërë ndaj tij. Në atë kohë, Disha, pavarësisht aftësive të tij të spikatura në leximin radiofonik dhe në përkthim, ishte ende një punonjës në provë. Kjo do të thotë se ndonëse punonte aty çdo ditë, shefi mund ta hiqte në çdo kohë, brenda një periudhe nëntëmujore.
Shefi i shërbimit duhet të bënte një vlerësim të punës së tij dhe varësisht nga ecuria, pas nëntë muajsh vendoste nëse duhet ta mbante në punë apo jo. Pavarësisht nga ecuria tepër e mirë e Ramadanit, ndryshe nga siç vetë thotë se ishte mirë më parë, Kiçi e ndryshon skajshmërisht vlerësimin ndaj tij. Kjo, sipas meje, kishte vetëm një shpjegim: shantazh ndaj Ramadanit që të tërhiqej nga ajo betejë që unë kisha nisur me të. Më poshtë po ju sjell një faksimile të faqes së parë dhe të fundit të vlerësimit të Kiçit për Dishën. Unë ju siguroj që ky vlerësim nuk është aspak objektiv. Aftësitë e Dishës sa vinin e përmirësoheshin çdo ditë, ashtu siç shtohej edhe zelli i tij për punën.
I ndodhur para situatës kur zyrtarët amerikanë të VOA-së e kuptuan qartë se kishin të bënin me diskriminim të hapur, Gasper Kiçi e pa se do të dilte i humbur nëse do të shpallte një konkurs tjetër. Ai nuk mund të zgjidhte më të njëjtët njerëz. Në verë 1986, Kiçi dha dorëheqje, duke dalë në pension. Situata bëri që ai të tërhiqej. Nuk mund ta them me siguri, por ndoshta ai ka qenë edhe nën trysninë e zyrtarëve të lartë të Zërit të Amerikës, në mënyrë që të mos përçahej shërbimi ynë, që mund të shkonte deri në mbyllje.
Zyra e Personelit shpalli konkursin për zgjedhjen e një shefi të ri të shërbimit në shqip të Zërit të Amerikës. Për këtë pozicion, brenda shërbimit tonë nuk ishte asnjëri në gjendje të konkurronte, pasi nuk kishim gradën GS-12, që nevojitej në këtë rast. Në Zërin e Amerikës, por jo në shërbimin në shqip, të kualifikuar për këtë pozitë ishin vetëm Elez Biberaj, i cili asokohe punonte si ndihmës në një zyrë në Agjencinë Amerikane të Informimit dhe ndonjë fundjavë vinte të punonte te ne, për të na ndihmuar. Elezi kishte edhe doktoratë për shkenca politike. Ndërsa Frank Shkreli, i cili punonte si këshilltar për programin në zyrën e Divizionit të Europës, nuk ishte i interesuar.
Në këtë mënyrë, për postin e shefit të seksionit tonë, garuan Elez Biberaj dhe Artur Robert Bajron, një amerikan me origjinë shqiptare dhe me një shkollim mbresëlënës. I lindur në Vustër të Masaçusetsit, Bajroni kishte studiuar gjuhësinë në Universitetin “Kolumbia” të Nju-Jorkut, ndërsa punonte si profesor i rregullt në Universitetin e Pensilvanisë. Gjithashtu, kishte ligjëruar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, gjatë një vizite studimore dyvjeçare në pjesë të ndryshme të ish-Jugosllavisë. Në Universitetin e Prishtinës kishte qëndruar edhe bashkëshortja e Arturit, Xhenet Bajron. Doktore shkence e gjuhësisë, Xheneti është autore e një libri studimor mbi standardizimin e gjuhës shqipe dhe një sërë artikujsh akademikë.
Personalisht dëshiroja shumë që zoti Biberaj të zgjidhej shef. Ai ishte me origjinë nga Tropoja, zonë e cila i përkiste Malësisë së Gjakovës, ndonëse ky rajon ishte ndarë me të padrejtë me një kufi artificial në mes nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913. Në këtë mënyrë, unë besoja fort se Elezi do të shërbente si nxitës për ruajtjen e mozaikut kombëtar dhe bashkimin e shërbimit në shqip, që kishte pësuar një krisje të madhe, si dhe do të kthente harmoninë në grup që kishim pasur më herët. Nisur nga intelekti i tij por dhe nga prejardhja, shpresoja gjithashtu se edhe për editorë ai do të përzgjidhte një shqiptar nga trungu amë, si dhe një tjetër nga trojet e robëruara. Këtë besim timin ia shprehja shpesh edhe kolegut tim nga Dibra e Madhe, Ramadan Disha.
Atë kohë, ende besoja se e gjithë ajo turbullirë ishte shkaktuar nga Kiçi ngaqë ai ishte i pashkolluar, e rrjedhimisht nuk kishte kulturë të gjerë. Biberaj kishte kryer universitetin, ndaj thosha se do të kishte një botëkuptim tjetër dhe do ta drejtonte me ndershmëri shërbimin në shqip të Zërit të Amerikës.
Ramadani nuk pajtohej me optimizmin tim.
— Jo Shaqir! Ky është një komplot. Do të shkojë më keq puna, sepse besoj se Elezi është marrë vesh me Kiçin, që të bëhet shef, me kushtin që të hakmerret ndaj nesh. Ai do të përdorë vendlindjen e tij në Jugosllavi, si armë për të na luftuar ne, më lehtë se Kiçi, — më përgjigjej Ramadani.
Edhe Afrimi ishte i të njëjtit mendim, se me ardhjen e Elezit, gjërat do të shkonin keq e më keq. Koha do të tregonte më vonë se Ramadani e Afrimi kishin të drejtë.
Në shtator 1986, Elez Biberaj u zgjodh në krye të shërbimit në shqip të Zërit të Amerikës.
Lexoni vazhdimin, nga faqja 307-309 duke klikuar këtu.
Komente të tjera për librin “Rrëfime lirie” i lexoni duke klikuar këtu.