Libri “Rrëfime lirie”, vazhdim nga pjesa e parë…
Aksioni i forcave serbe për çarmatimin e popullsisë shqiptare në Kosovë. Përjetime të autorit të rrëfyera në librin e tij.
Familja ime ishte e varfër. Babai ynë ishte i vetmi djalë në familje dhe kishte pesë motra. Kur motrat e tij u martuan, ai mbeti vetëm. Nëna jonë lindi shtatë fëmijë. Ne jetonim në varfëri të skajshme, sepse toka që kishim në dispozicion, megjithëse shumë pjellore, ishte e pamjaftueshme dhe shpeshherë babai ynë merrte me qira tokë prej kolonëve serbë e malazezë që kishin ardhur në Kosovë për t’i sllavizuar këto treva. Serbomalazezëve që kishin ardhur në Lipjan qeveria serbe u kishte ndarë toka që i kishte konfiskuar nga shqiptarët. Interesant ishte fakti se këto toka, prapëseprapë i punonin shqiptarët, por duhej që 50 për qind të drithërave t’ua çonin kolonëve serbomalazezë.
Në të dalë të Lipjanit gjendej një urë që quhej Ura e Bislimit. Kohë më parë, një banor me emrin Bislim kishte ndërtuar këtë urë, sepse nga uji i shumtë i livadheve që rridhte vazhdimisht aty, bëhej e pamundur që të kalohej. Jo shumë larg kësaj ure, nëpër Lipjan kalonte treni që lidhte Beogradin me Selanikun. Kishte trena të ndryshëm, trena mallrash edhe me nga 30 vagonë. Ne fëmijëve na pëlqente që të futeshim nën urë derisa kalonin trenat. Kishte edhe trena ekspres që kalonin përmes Lipjanit, por disa prej tyre nuk ndalonin aty. Ata ishin trena që ndalonin në Fushë-Kosovë, Ferizaj, Shkup dhe mandej shkonin në Greqi, në Selanik. Për ne që kishim të gjithë tokën përreth Lipjanit, këta trena na shërbenin për të matur kohën. Një tren udhëtarësh që shkonte nga Shkupi për në Fushë Kosovë, nëpër Lipjan kalonte në orën gjashtë të pasdites. Fshatarët e Banullës e dinin se kur kalonte ky tren, ora ishte gjashtë e pasdites.
Asokohe, njerëzit nuk kishin as orë dore dhe të rrallë ishin ata që kishin ndonjë orë xhepi, të llojit që përdoreshin gjatë periudhës së Perandorisë Osmane.
Fëmijëria ime ishte shumë e vështirë, kjo prej varfërisë së madhe, por edhe shtypjes serbe. Mund të përmend dy detaje që mua më kanë mbetur në mendje dhe që ndoshta për dikë në ditët e sotme nuk tregojnë gjë. Por për mua, ato përfaqësojnë një domethënie për mënyrën se si jemi rritur.
Njëri prej kushërinjve tanë zotëronte një makinë të vjetër për prerjen e flokëve. Ne shkonim tek ai çdo dy javë, që ai të na qethte flokët. Ndërsa një kushëri tjetër, në njëfarë mënyre, u bë dentist. Ai kishte një palë dara, që sot, por edhe atëherë ishin primitive. Mirëpo me ato, ai na hiqte ndonjë dhëmb a dhëmballë të prishur, duke na kursyer dhimbjen e madhe, se për t’i rregulluar nuk bëhej fjalë.
Një ngjarje shumë e rëndësishme dhe shumë e trishtueshme që më ka lënë mbresa të thella në jetën time fëminore është projekti i shovenistëve serbë për mbledhjen e armëve në vitin 1956. Unë jam i sigurt se bashkëfshatarët e mi nuk kishin armë. Por regjimi serb ndërmori një fushatë terrori, me rastin e përgatitjes së “Aksionit të çarmatimit” në dimrin e egër të vitit 1956.
Pas rrëzimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Aleksandër Rankoviç, më 1966, në plenumin VII të Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, në tetor të 1967-s u tha se “deformimi më i rëndë, me pasojat më të mëdha politike” ishte i ashtuquajturi “Aksioni i çarmatimit”, i cili u përgatit dhe u zbatua në vitin 1956.
Ky aksion u përgatit në qarqet e sigurimit të krahinës, me pajtimin e organeve federative të sigurimit të shtetit. Gjatë aksionit, popullsia shqiptare u keqtrajtua, që nga rrahjet masive e deri te masat drastike, si torturat, gjymtimi i njerëzve, apo dhe më keq si vrasjet e detyrimi i shumë njerëzve që të shpërngulen.
Më kujtohet një natë dimri, kur nëna dhe ne fëmijët po prisnim tim atë për të ngrënë darkë. Nëna jonë ishte shumë e merakosur për këtë vonesë. Më në fund ai erdhi, hapi derën, të cilën e mbylli me shpejtësi prej të ftohtit të madh, pasi ishte janar ose shkurt dhe bënte dimër i acartë. Babai kishte marrë lajmin e hidhur se ishte formuar një ekip milicësh serbë për mbledhjen e armëve dhe të gjithë ata që nuk do të sillnin qoftë edhe një armë do të keqtrajtoheshin, ndoshta edhe deri në vdekje.
Nga shqetësimi i madh, im atë nuk hëngri fare atë natë. Ne gjithashtu u shqetësuam, por nuk e kuptonim hallin që ai kishte.
— O nieri, fol bre! Ku e ke hallin? — i tha nëna pas darkës.
U ulëm të gjithë përreth stufës që të ngroheshim nga pak, teksa ai po na shpjegonte situatën. Pas kësaj, ra një heshtje. Babai ynë nuk kishte asnjë armë dhe kjo po na vinte në rrezik.
Disa nga bashkëfshatarët tanë ishin në listën e zezë dhe ishin nën vëzhgimin e qeverisë shoveniste serbe. Një prej kushërinjve tanë, Hazir Salihu ishte në mesin e 25 deri në 30 personave që ishin thirrur te shkolla e fshatit, ku keqtrajtoheshin ata që nuk kishin sjellë të paktën një armë. Fatmirësisht, babanë tonë nuk e futën në atë listë të zezë. Hazirin, kushëririn tonë, e kishin rrahur keq. Kurse atdhetarin Halil Muharrem Hajrullahu, që ishte kushëri më i largët yni, e lanë të gjymtë përjetë. (Nipi i Halilit, Ismeti, mori pjesë në demonstratat e ‘81-tës, për çka u arratis për në Shqipëri.)
Thoshin se kishte ardhur “Zhivki” i UDB-së. Unë nuk e dija se cili ishte ky Zhivki. Por në fshat flitej se ai nuk kishte mëshirë ndaj shqiptarëve. Zhivki kishte me vete nja tre a katër milicë që rrihnin fshatarë me kamxhik. Disa prej tyre i linin tërë natën jashtë në dëborë të zhveshur e të zbathur. Ndërsa të tjerëve u thoshin që të ktheheshin sërish të nesërmen. Por askujt prej fshatarëve të torturuar nuk i shkonte mendja që të sakrifikohej dhe të hapte zjarr kundër tyre, që të shpëtonin të tjerët. Shkonin të kërkonin pushkë e plumba, por nuk u shkonte mendja që të jepnin një shembull trimërie e ta shtrinin Zhivkun me dy a tre milicë, të përgjakur në dëborë. Nganjëherë mendoj se ne shqiptarët ndoshta nuk kemi qenë dhe nuk jemi aq trima sa e dimë dhe sa e mbajmë veten.
Këtu po citoj pak Faik Konicën, i cili për shqiptarët thotë: “Karakteri historik i shqiptarëve është çiltërsia, vërtetësia dhe të mbajturit e fjalës së dhënë. Ky karakter ka qenë përgjithësisht i tyri, dhe me të shqiptarët kanë fituar më tepër famë se me trimërinë e tyre.”
Unë po e them sot këtë, por asokohe ne kishim frikë me të vërtetë se mos na e vrisnin babanë. Dhe çfarë do të bënim pastaj ne të gjithë që ishim të vegjël?
Fundja, zelli për t’iu kundërvënë armiqve do të mund të na hakmerrej shumëfish. Pushteti na e merrte tokën, na e rrëmbente kafshatën e gojës, na bënte argatë në plangun tonë; ne duronim. Na burgoste, na torturote e na vriste, e ne s’kishim fuqi të ngrehnim krye. Por ne s’u bëmë asnjëherë bashkëpunëtorë të plotë të armikut: s’e shitëm shpirtin! Qëndresa jonë paqësore — çiltërsia ndaj vetëvetësisë sonë, besnikëria ndaj shqiptarisë, fuqia e ndërgjegjes së lirë — do të na shpërblehej. Dhe jam krenar që këtë e bëri im atë.
Ndërsa më parë ishte kthyer në shtëpi i shqetësuar se i kishin kërkuar armën e paqenë, një ditë ai erdhi në votër me një buzëqeshje që i buronte nga zemra:
— Më thanë të shkruhesha turk, — na shpalli. — U shkrova shqiptar!
Të shtypur e të paarsimuar, ne dinim pak për kombin tonë. Babai e dinte se ne shqiptarët ishim vendas. Ai i bëri ballë trysnisë së fesë e kërcënimeve të pushtuesit për t’u tjetërsuar. Kushdo që shkruhej turk e dëbonin për në Turqi.
Vjershëtorët tanë nuk e fshihnin dot dhembjen e tyre për shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve. Poeti ynë Esad Mekuli shkroi asokohe vargjet e vajtimit. Në mbamendje më ka ngelur kjo strofë, që mbase jo paqëllim ishte thurur në gjuhën e shtypësit të pamëshirshëm:
Velika se zgrada ruši
ali osta je jedna stena
kada odeš ti u Tursku
ostaće ti uspomena
(Pallatet përdhe po shemben
por një mur seç qëndroi
në Turqi kur të vesh ti
si kujtim do më shoqërojë)
Aksioni i çarmatimit synonte t’i largonte shqiptarët nga trojet tona. Kjo fushatë e shëmtuar e famëkeqe ishte përhapur anembanë Kosovës, e udhëhequr nga shtabi i formuar nga Titoja e nga Rankoviçi, shefi i UDB-së. Pjesë e këtij shtabi ishin njerëz si Gjoka Pajkoviç, Dushan Mugosha, Çedo Mijoviç, Çedo Topalloviç dhe ndonjë krijesë e mjerë shqipfolëse që nuk meriton as që t’i përmendet emri.
Shkollat, xhamitë, odat e fshatrave, dyqanet, mullinjtë e të tjera (se për stacio- net e policisë nuk vihet në dyshim që po) u kthyen në kasaphana të vërteta, ku oficerët e UDB-së dhe milicët e thjeshtë serbë kryen mbi popullsinë shqiptare torturat më të tmerrshme që mund të mendohen. Këto tortura u shoqëruan me një shantazh të hapur ndaj shqiptarëve që të largohen nga Kosova. Dy ose tri familje u larguan edhe nga Banulla, fshati im. Ndërsa për të vrarët jepen disa versione.
Udhëheqësi i lartë i Partisë Komuniste Jugosllave, Sinan Hasani (arriti të bëhej edhe President i Jugosllavisë në sistemin me rotacion që u vendos pas vdekjes së Titos), shkrimtar dhe autor i romanit Rrushi ka nisë me u pjekë, pati thënë se në aksionin e çarmatimit u vranë pesë vetë. Sociologu Hajredin Hoxha pohonte se, në këto aksione, afro 100 qytetarë vdiqën prej torturave. Ndërsa delegacioni i Kosovës në bisedimet me Titon (në shkurt të vitit 1967, ky delegacion kërkoi një takim me Titon pas shkarkimit të Aleksandër Rankoviçit, për t’i shpjeguar atij se çfarë krimesh kishte bërë — gjoja se Titoja nuk e dinte) përmend se janë vrarë 130 mijë njerëz. Po ashtu, edhe Hajredin Hoxha, profesor, flet për 30 mijë të rrahur, keqtrajtuar e torturuar. Por dëshmitarët flasin se ka pasur shumë më tepër të vrarë, pasi spitalet kanë qenë urdhëruar që të mos pranojnë asnjë të torturuar për shërim. Ndërsa numri i atyre që kanë kaluar nëpër ingranazhin e tmerrshëm të UDB-së në atë kohë duhet të jetë mbi 100 mijë shqiptarë. Më se 30 mijë të tjerë u zhdukën në vitet 1949–1956.
Në Kosovë dhe në Maqedoni, popullit shqiptar i plaçkitej ari. Nuseve të reja, grave dhe plakave u merreshin stolitë, unazat, vathët, dhe për këtë nuk lëshohej asnjë vërtetim. Policia hynte në mesnatë nëpër shtëpi dhe plaçkiste popullin.
Që aksioni i çarmatimit është bërë me dijeni të plotë të të gjithë udhëheqjes jugosllave dhe se edhe vetë Titoja ka qenë në dijeni, por edhe i ka mbështetur këto veprime çnjerëzore, e vërteton edhe Ali Shukria (komunist shqiptar e bashkëpunëtor i denjë i jugosllavëve, ai kishte qenë përkohësisht edhe kryetar i Këshillit Krahinor të Kosovës). Në Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Serbisë, në tetor 1966, ai tha se aksioni i mbledhjes së armëve më 1955–56, në njëfarë mënyre ka pasur miratimin e Lidhjes së Komunistëve.
Për të vazhduar së lexuari ju mund të vizitoni këtë link.
Komente të tjera për librin “Rrëfime lirie”, publikuar në media dhe në internet i gjeni duke klikuar këtu.