Si përballet një refugjat kur ndeshet për herë të parë me një qytet gjigant si Nju-Jorku… Vështirësitë autori i tregon në faqet 167-171 të librit. I huaj në Nju-Jork, nisja e jetës në Amerikë.
Kur rrotat e aeroplanit “Boeing” prekën asfaltin në aeroportin “JFK” të Nju-Jorkut, unë u përmenda dhe e kuptova se jeta ime kishte ndryshuar përgjithmonë. Ishte 17 qershor i vitit 1970 dhe arrija pas një udhëtimi lodhës nga Roma. Muajt e burgut në Kosovë, arratisja nga ish-Jugosllavia dhe pastaj ditët e mërzitshme në Romë, kur prisja me padurim të nisesha për në Amerikë, m’u feksën për pak momente si në një film bardhezi dhe unë e binda veten se ato ditë të ankthit i kisha lënë përfundimisht pas.
Prezantimin e parë me Amerikën e pata kur avioni ishte ende në qiellin e Nju- Jorkut. Shtatorja e Lirisë ma dha e para mirëseardhjen. Ishte ajo që ndër dhjetëra vite me radhë kishte pritur miliona emigrantë që mbërritën në tokën e re dhe ndërtuan një shtet të ri. Ishin italianët që mbushnin anijet në fillim të shekullit XX dhe niseshin drejt ëndrrës, turma-turma. E zbulonin tokën e re, kur pas ditësh të tëra udhëtimi, u shfaqej në mugëtirë ai simbol i këtij vendi të madh, kur papritmas i pari prej tyre që e vinte re klithte: “L’America!”
Me një valixhe të vogël në dorë dhe me hutimin e natyrshëm të një emigranti, tërhiqja këmbët në atë aeroport të madh. Mes turmës së refugjatëve të tjerë shqiptarë që kishin udhëtuar me mua, kaluam te dogana. Pasaporta ime, si e të tjerëve aty, mbante shënimin “refugjat politik”.
Ashtu i hutuar e i lodhur njëherësh, sytë më zunë emrin tim te një tabelë që mbante në duar një burrë i gjatë e me mustaqe, në sallën e pritjes së udhëtarëve, që ngjante shumë serioz. Ishte Hysen Biberaj nga Tropoja, me të cilin me kishte lidhur Dom Prenka. Hyseni kishte dërguar edhe letrën e sponsorimit për mua në ambasadën amerikane në Itali.
— Unë jam Shaqir Salihu, — i them pasi u afrova.
— Kosovë, si je? Si të shkoi rruga? A u lodhe? — më pyeti ai.
— U lodha disi. Rrugë e gjatë. Nëntë orë në avion, helbete.
— Të marrtë për të mirë Amerika, Kosovë!
Ishte ky bashkëbisedimi i parë me Hysenin në aeroportin “Xhon Kenedi”. Më bëri përshtypje të madhe ai urim i çuditshëm, që do ta dëgjoja nga gjithsecili shqiptar që takova në Nju-Jork për së pari herë.
Hipëm në një veturë që e ngiste një tjetër shqiptar, që Hyseni e kishte marrë atë ditë për ta shoqëruar, por emri i të cilit fatkeqësisht nuk më kujtohet. Në rrugën prej aeroportit në shtëpi, në Bronks, ai qytet gjigant më dukej sikur më shtypte me peshën e tij. Tollovia, dritat dhe sidomos qiellgërvishtëset më krijonin një ndjenjë përhumbjeje dhe më bënin të ndihesha krejt i pafuqishëm.
Ndërtesa pafund, shumë vetura e trafik, njerëz të shumtë që vrapojnë për të kapur oraret e tyre dhe një papastërti e madhe… M’u krijua një ndjesi ankthi dhe frike. “A do t’ia dilja mbanë vallë në këtë xhungël moderne, së cilës nuk ia kisha haberin?!” pyesja veten gjatë atij udhëtimi disa dhjetëra kilometërsh me makinë.
Papastërtia dhe pluhuri mbytës e mbizotëronin mjedisin e Nju-Jorkut. Bronksi, lagjja e varfër ku ishin vendosur pjesa më e madhe e shqiptarëve, e ndërtuar me mijëra ndërtesa jo fort të larta, me tullat e kuqe karakteristike si fasadë, më ngjante me një gjiriz. Këtë gjiriz, emigrantët e gjorë shqiptarë ishin detyruar ta pastronin gjatë gjithë natës. Ishte ndër punët e pakta që gjenin për të siguruar mbijetesën në këtë vend me kapitalizëm të egër dhe mbytës.
Kanë kaluar rreth 50 vjet nga ajo ditë të cilën unë ende e kujtoj si të ishte sot. Është një mall i përzier me trishtimin për vitet që kaluan me një shpejtësi të habitshme. Në atë kohë shumë gjëra nga Amerika nuk i kuptoja sepse realiteti u përplas mjaft befas dhe ashpër tek unë, por më kujtohen mirë shenjat e asaj epoke të shkuar: Kullat Binjake ishin duke përfunduar, kultura e hipive ishte në lulëzim të plotë dhe protestat politike për Vietnamin mbizotëronin lajmet. Thoshin se Nju-Jorku po përjetonte një pikë të ulët në historinë e tij dhe vazhdonte rrokullisjen drejt degradimit.
Por për mua refugjatin politik kosovar, një 28-vjeçar që shumë pak kuptonte nga bota, asgjë tjetër s’kishte rëndësi veç mbijetesës në këtë metropol për të cilin nuk kisha ide se ç’mund të më ofronte. Në fakt, mbijetesa ime ishte në pikëpyetje.
Befasia e madhe ishte se askush nuk më ofroi para siç ndodhte rëndom me refugjatët në Europën Perëndimore. E vetmja gjë që më treguan ishte një zyrë në avenynë “Madison” ku refugjatëve u jepnin tre dollarë në ditë nëse nuk kishin punë. Dakord, në atë kohë, me një dollar në Amerikë mund ta blije një pulë të pjekur, por sidoqoftë tre dollarë ishin shumë pak, kur mendon se sa gjëra i duhen një refugjati për të mbajtur frymën gjallë. Më dukej sikur Amerika po tregohej e pamëshirshme me mua dhe dashuria njerëzore nuk ekzistonte në këtë vend të pasur, ndryshe nga legjendat që kisha dëgjuar para se të shkelja këtu.
Ndiqeni këtë histori të pabesueshme me rrëfimet në faqet 182-186 duke klikuar këtë link.
Krijoni një ide më të plotë rreth librit “Rrëfime lirie”. Vizitoni linkun.