Faqet 393-400 të librit. VOA dhe lufta në Maqedoni.
Në historinë e shqiptarëve, pas luftës dhe çlirimit të Kosovës, ishte mbyllur një kapitull. Tashmë ajo po administrohej nga misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK; çështja kryesore ishte se çfarë statusi do të caktohej për të. Në tavolina diplomatike apo edhe nën zë, flitej për disa skenarë të mundshëm, që nga pavarë- sia e deri te bashkimi në një lloj konfederate me Serbinë dhe Malin e Zi.
Ndërkohë, në një tjetër shtet të drejtuar nga sllavë, shumë shqiptarë po vuanin. Në Maqedoni, pas krijimit të shtetit të ri, me ndarjen nga Jugosllavia në fillim të viteve ‘90, ishin tkurrur ndjeshëm të drejtat dhe liritë e shqiptarëve, të cilat garantoheshin disi nga kushtetuta e vitit 1974. Shqiptarët diskriminoheshin e dhunoheshin nga maqedonasit, as më pak e as më shumë sesa edhe vëllezërit e tyre në Kosovë nga serbët. Ata kishin përfaqësim shumë të vogël në administratën shtetërore; kishin vështirësi dhe vuanin padrejtësi në sistemin arsimor, në përdorimin e gjuhës shqipe apo të simboleve kombëtare. Këto, për të mos folur për vështirësitë ekonomike dhe lënien mënjanë, të privuar nga investimet shtetërore. Në vitin 1998, në qeverisje ishte përfshirë edhe Partia Demokratike Shqiptare e drejtuar nga Arbën Xhaferi, por roli dhe përfaqësimi i saj ishte i papërfillshëm dhe veprimtaria ishte e kufizuar në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave demokratike të shqiptarëve. Me pak fjalë, shqiptarët po trajtoheshin si etni e dorës së dytë, ndonëse përbënin 40 për qind të popullsisë së atij shteti të kontrolluar nga sllavët dhe që kishte vendosur të merrte emrin epik, Maqedoni.
Për mua, si një shqiptar i dergjur në mërgim për vite të tëra, puna në Zërin e Amerikës ka qenë një bekim. Kjo, sepse më bënte të punoja mes shqiptarëve; flisja gjuhën amë; dhe isha në brendësi të ngjarjeve të përditshme atje. Prania ime në një media që do të trajtonte çështjet e shqiptarëve më mundësonte të dija se ç’po ndodhte në zona të ndryshme të trevave shqiptare. Në këtë mënyrë, unë e kisha të qartë se ç’po bëhej edhe me shqiptarët në Maqedoni. Një tjetër arsye ishte se unë e kisha vuajtur vetë personalisht shtypjen e sllavëve. E dija se deri ku shkonte përçmimi i tyre ndaj shqiptarëve, urrejtja e pashembullt dhe krimet e tyre. Në fillim të vitit 2001, në Zërin e Amerikës dëgjuam për krijimin e një lëvizjeje të shqiptarëve, në kërkim të të drejtave të tyre të ligjshme. Nuk e kishim fort të qartë se çfarë ishte duke ngjarë, por mësuam se diçka po vlonte. Pak muaj më herët, në divizionin tonë u krijua edhe shërbimi maqedonas i Zërit të Amerikës.
Ne kishim dëgjuar se disa shqiptarë, të organizuar kryesisht në mërgim, në Zvicër, kishin krijuar një lëvizje politiko-ushtarake të quajtur Ushtria Çlirimtare Kombëtare, UÇK. Shefi ynë, Biberaj, dërgoi në Tetovë për të mbuluar ngjarjet që nisën atje, korrespondenten e Prishtinës, Linda Karadakun. Ajo na njoftoi për çka po ndodhte atje. Qindra djem shqiptarë ishin mbledhur nën siglën e UÇK-së për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve. Lëvizja e re e armatosur drejtohej nga Ali Ahmeti. Shumë shpejt, kjo organizatë nisi të na furnizonte përditë me materiale mbi qëndrimet e saj. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare na dërgonte me faks komunikatat. Ata nisën t’i hartojnë qartë kërkesat e tyre. Për këtë ishin të gatshëm të vazhdonin luftën e armatosur. Lufta e tyre nisi në malet përreth Tetovës, duke u shtrirë më pas në qytetet me shumicë shqiptare, që gjenden në pjesën perëndimore të shtetit të Maqedonisë. Ata kryenin përgjithësisht sulme të befasishme, duke shmangur përballjen e drejtpërdrejtë me ushtrinë maqedonase, e cila ishte më e madhe në numër, e përgatitur dhe me më shumë armatime. Me pak fjalë, ishte një luftë guerile. Nga raportimet që merrnim nga gazetarët tanë, si dhe nga komunikatat e vetë UÇK-së, vërehej se shqiptarët po përparonin. Maqedonasit ndiheshin të trembur. Shumë prej tyre nuk pranonin të shkonin në luftë.
Në këtë komunikatë të UÇK-së vërehen qartë qëllimet e kësaj organizate. Në asnjë moment nuk është kërkuar destabilizim i vendit, ndarje territoresh, pavarësi apo bashkim me Shqipërinë. Kërkesat e tyre ishin jetësore. Ata donin që shqiptarët të mos diskriminoheshin më, shqiptarët të njiheshin si etni me numër të madh popullsie në Maqedoni dhe që vendi të ishte shtet i dy popujve; kërkonin zgjidhje të konfliktit me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Lufta e shqiptarëve ishte një veprim i detyruar nga rrethanat. Vazhdimisht, në thirrjet e tyre, UÇK-ja kërkonte ndërprerje të konfliktit dhe plotësim të këtyre kushteve, që askush nuk mund të thotë se kanë qëllime separatiste apo terroriste. Por qeveria maqedonase nuk reflektonte. Përkundrazi, niste fushata sulmesh që kishin cak jo vetëm Ushtrinë Çlirimtare, por dhe civilët e pafajshëm nëpër qytetet e fshatrat shqiptarë.
Unë isha entuziast për këtë nismë të re të shqiptarëve, këtë herë në Maqedoni, për të kërkuar të drejtat e tyre. Në edicionet tona të lajmeve i përgatisja me zell materialet përkatëse që kishin të bënin me luftën. Edhe një herë pata rastin të vërej në atë kohë sesa pak dinin kolegët që vinin nga Shqipëria Londineze për shqiptarët e Maqedonisë, sikurse edhe për ata të Kosovës e trojeve të tjera që kishin mbetur jashtë trungut amë më 1913.
Shpesh, pjesë të edicioneve kishim edhe intervista me faktorë dhe aktorë të këtij konflikti të ri. E tillë ishte edhe intervista telefonike që shefi i shërbimit tonë zhvilloi me shefin politik të UÇK-së, Ali Ahmeti. Por, shumë shpejt, situata ndry- shoi. Kjo luftë e shqiptarëve nuk po përkrahej nga aleati ynë më i madh, ShBA-ja. Përkundrazi, ata nuk donin destabilizim të Maqedonisë, pavarësisht se cilat ishin arsyet se përse shqiptarët ishin revoltuar. Për ta, ishte jetike që të kishte qëndrue- shmëri në brezin që niste në Adriatikun e Shqipërisë, në Maqedoni e Kosovë, Bullgari e deri në Detin e Zi, që ishte zonë e tyre e influencës.
Për këtë arsye, ndryshe nga çfarë ndodhi në rastin e Kosovës, këtë herë ne nuk kishim dritën e gjelbër për të ngulmuar shumë në trajtimin e lajmeve që vi- nin nga fronti i konfliktit. Madje, Departamenti i Shtetit kishte përgatitur edhe një listë të zezë, për personat problematikë nga Maqedonia, siç i konsideronin ata. Në këtë listë përfshihej edhe Ali Ahmeti, udhëheqësi i luftës së shqiptarëve. Në kohën kur zhvilloi intervistën, shefi i shërbimit tonë Elez Biberaj nuk e dinte se Ahmeti ishte në atë listë. Atij iu tërhoq vërejtje e madhe për atë intervistë; madje mund t’i kishte kushtuar edhe vendin e punës. Gjithsesi, tani e tutje na duhej të merreshim me raportime normale nga fronti i konfliktit, pa u thelluar shumë. Por, kjo listë personash të padëshiruar, nuk nënkuptonte se UÇK-ja ishte organizatë terroriste.
Në këtë pikë doja të ndalesha në një episod që provon se kolegët tanë të shër- bimit maqedonas, që ishte hapur rishtazi, i cilësonin shqiptarët terroristë. Në VOA, kishim disa dhomëza për regjistrimin e zërit për materiale të ndryshme që duhej të lexonim e përgatisnim. Ato dhomëza i përdornim së bashku me kolegët e divizionit tonë, pjesë e të cilit është edhe shërbimi maqedonas. Kur rrija një ditë në radhë për të pritur që të mbaronin, dëgjova gazetarët e shërbimit maqedonas që përdornin termin albanski teroristi — terroristët shqiptarë. U ankova te divizio- ni për këtë, pasi shqiptarët nuk ishin cilësuar si terroristë nga Departamenti i Shtetit, por thjesht si rebelë. Mirëpo, nuk arrita të zgjidh ndonjë gjë me këtë an- kesë. Dukej qartë se qëndrimi ishte të mos përshkallëzohej situata në Maqedoni.
Pas shumë negociatave, më 13 gusht 2001, u nënshkrua ajo që njihet si Marrë- veshja e Ohrit. Krahu politik i UÇK-së, i drejtuar nga Ali Ahmeti, e tradhtoi luftën e qindra e mijëra djemve shqiptarë, të cilët kishin dalë në mal për idealin e tyre të një jete më të mirë në shtëpitë e tyre; një jetë ku të mos shkeleshin të drejtat e tyre; një jetë ku të ishin të barabartë me sllavët; ku të përdornin lirisht gjuhën e nënës dhe simbolet kombëtare; një jetë ku të ishin të lirë të zgjidhnin dhe të zgji- dheshin. Por, Ali Ahmeti, sipas mendimit tim, e shiti idealin e tij dhe të djemve tanë që derdhën gjakun; e shiti gjakun e tyre për një premtim që të mos ishte më në listën e zezë të ShBA-së dhe të ishte një lloj faktori politik, megjithëse i papër- fillshëm për të vendosur për fatet e shqiptarëve, por goxha i përfillshëm për të mirat e tij vetjake.
Edhe marrëveshja që u nënshkrua me aq bujë në atë verë të 2001-shit nuk arriti kurrë të përmbushej. Zbatimi i saj, nën garancinë e ShBA-së dhe Bashkimit Europian, ishte parashikuar të përfundonte brenda katër vjetësh. Megjithatë kanë kaluar 15 vjet dhe ende nuk është zbatuar plotësisht. Shqiptarët fituan disa pozita më të mira nga ajo luftë, por nuk i arritën idealet e para. Edhe sot e kësaj dite, shqiptarët po vuajnë regjime si të Gruevskit apo dikujt tjetër që mund të vijë në të ardhmen. Dhe shqiptarët, në vend që të bashkohen e të kërkojnë të drejtën e tyre, ndahen në flamuj partiakë të forcave politike të drejtuara nga njerëz të ka- pur nga korrupsioni dhe mania për t’u pasuruar.
Unë personalisht disa herë e kam ngritur si problem çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë, në kohën kur përgatitej ajo që ne e quajmë Program Review (kritikë e programit), gjatë mbledhjeve të mëdha që zhvillonim një herë në vit ne si shërbim në shqip i Zërit të Amerikës. Kjo praktikë është normale te VOA. Çdo shërbim, një herë në vit, bën përmbledhjen dhe e paraqet te drejtuesit më të mëdhenj në një mbledhje të posaçme. Në shumë prej atyre mbledhjeve kam ngritur problemin e shqiptarëve të Maqedonisë: se si ata diskriminoheshin dhe nuk kishin të drejta dhe se sa pak po mbulohej kjo te shërbimi në shqip. Por, drejtuesit e Zërit të Amerikës bënin një sy qorr e një vesh shurdh kur vinte puna te shqiptarët në Maqedoni. Politika e ShBA-së ishte e qartë: nuk duhej t’i hidhej benzinë zjarrit atje. Edhe sot e kësaj dite, ndiqet e njëjta politikë. Kjo më acaron pamasë, pasi një medie si Zëri i Amerikës, që ka si parim pavarësinë, paanshmërinë dhe lajmet e balancuara, te ky rast del jashtë vetvetes; thyen parimet e saj si medium.
E njëjta gjë ndodhi edhe në rastin e rebelimit të shqiptarëve të Luginës së Pre- shevës, nga viti 1999 deri më 2001. Lëvizjes së nisur nga ajo që njihet si UÇPMB — Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit — nuk iu kushtua vëmen- dje. Ata nuk ishin terroristë, por thjesht të rinj shqiptarë që donin të drejta për veten dhe të afërmit e tyre, që po shtypeshin e diskriminoheshin nga serbët në atë zonë që njihet si Kosova Lindore. E njëjta gjë; e njëjta mospërfillje dhe mënjanim i çështjes ndodhi sërish te Zëri i Amerikës, sidomos te shërbimi në shqip dhe kjo nga porositë e drejtpërdrejta të drejtuesve të mëdhenj të VOA-së. Kjo politikë ishte me standarde të dyfishta, sepse shërbimi serb ishte krejt e kundërta, ashtu si në rastin e luftës në Kosovë. Të dëgjoje edicionet e tyre informative, pandehje se po dëgjon radion dhe televizionin e Beogradit. Ndërsa ne shqiptarët duhet të mos i jepnim ngjyresa atdhetare dhe kombëtare raportimeve tona.
Një tablo përmbledhëse për Luginën e Preshevës e paraqet akademiku nga Kosova Hivzi Islami, në një artikull të gjatë të botuar në gazetën shqiptaro-amerikane Illyria, të cilën po ua sjell të përmbledhur:
Lugina e Preshevës, siç e quajtën amerikanët në vitin 2001, që u përqafua si emërtim nga shqiptarët dhe të huajt, ose Kosova Lindore apo tri komunat në jug të Serbisë (Presheva, Bujanoci dhe Medvegja), shtrihet në prej rreth 125 kilometra katrorë. Shqiptarët këtu sot jetojnë në një numër relativisht të madh dhe kanë një shtrirje territorialisht kompakte, por me një shkëput- je, meqë komuna e Medvegjës lidhet me rajonin e Gallapit në Kosovës. Ko- muna e Preshevës sot hyn në radhën e komunave më homogjene kombe- tare, sepse mbi 95 për qind e popullsisë së gjithmbarshme janë shqiptarë; ndërsa në komunën e Bujanocit shqiptarët përbëjnë rreth 65 për qind të popullsisë. Të tjerët janë serbë dhe romë. Ndërkaq, në komunën e Medvegjës, për shkak të shpërnguljeve, së pari të qeta, pastaj intensive, numri i shqiptarëve gjithnjë po zvogëlohet dhe ata sot përbëjnë një përqindje të vogël, gati simbolike.
Lugina është shtatë a tetë herë më e pazhvilluar se mesatarja e Serbisë dhe popullata shqiptare kryesisht jeton nga bujqësia dhe nga remitancat që i sjellin bashkatdhetarët që punojnë në botën e jashtme. Për shkak të pozitës gjeopolitike dhe gjeostrategjike dhe arterieve të rëndësishme gjeokomunikative (hekurudha ekziston që nga viti 1874 dhe autostrada që nga viti 1962 si vija ndërkombëtare), Lugina e Preshevës u bë pjesë e apetiteve dhe interesave të të mëdhenjve, perandorive të ndryshme, por në radhë të parë e interesave të Serbisë nga pjesa e dytë e shekullit XIX e këndej. Mespërmes Luginës së Preshevës tashmë kalon edhe korridori i 10 i autostradës ndërkombëtare Beograd–Shkup–Selanik, si arterie kryesore në Ballkan që lidh Europën Qendrore me atë Jugore.
Në bisedimet e Vjenës për statusin e Kosovës, edhe në takimet e Brukse- lit midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Lugina e Preshevës mbeti jashtë çdo bisedimi dhe reciprociteti me Serbinë. Në bisedimet në Vjenë dhe në Bruksel pashmangshëm duhej të shtrohej çështja e shqiptarëve të kësaj lugine, nëse jo për zgjidhjen e problemeve të tyre, për ta shfrytëzuar si argument për t’i relativizuar dhe amortizuar kërkesat e autoriteteve të Beogradit për privilegjet e serbëve në Kosovë, përfshirë krijimin e Asocia- cionit apo Bashkësisë të Komunave.
Konflikti përfundoi më 21 maj 2001, me nënshkrimin e Deklaratës për Çmili- tarizim, e njohur si Marrëveshja e Konçulit. Ndonëse nga shumë individë konsi- derohet si një marrëveshje midis përfaqësuesve të shqiptarëve vendas dhe atyre të qeverisë serbe me ndërmjetësim ndërkombëtar, ajo ishte zyrtarisht marrëvesh- je midis përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Buja- noc dhe të deleguarve ndërkombëtarë për rajonin. Realisht atëbotë, Beogradi zyr- tar nuk nënshkroi asgjë me delegacionin negociues shqiptar, e aq më pak me UÇPMB-në. Si rrjedhojë, konflikti përfundoi pa marrëveshje me shtetin si palë ndërluftuese, por me marrëveshje me ndërkombëtarët si palë ndërmjetësuese.
Me pak fjalë, e gjithë përpjekja e shqiptarëve për të drejtat e tyre shkoi dëm. Gjaku i të rinjve e trimave të kësaj zone, u tret në përroin e harresës dhe të pa- besisë së serbëve. Ndërsa komuniteti ndërkombëtar ra në qetësi. Gjithçka donte ishte shuarja e një vatre të mundshme lufte në Serbi. Të drejtat e një pakice et- nike të shtypur ndër vite, pak rëndësi patën për ta.
Ndërsa shërbimi në shqip i Zërit të Amerikës, as në këtë periudhë, as më herët dhe as sot, nuk kujtohet të ketë korrespondentë në Preshevë; atje ku janë shumë shqiptarë që presin me shpresë nga perëndimi në përgjithësi dhe ShBA-ja në veçanti. Bashkatdhetarëve tanë atje, fatkeqësisht nuk u lejohet as abetarja, që fëmi jët të mësojnë gjuhën e nënës. Mund të themi pa asnjë mëdyshje se shqiptarët diskriminohen haptas në mes të Europës dhe askush nuk e vë ujin në zjarr. Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, që duhet të luajnë rolin prindëror për të gjithë shqiptarët kudo në botë, sidomos për ata që vuajnë shtypjen e sllavëve në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi, nuk bëjnë thuajse asgjë. Mjaftohen me disa deklarata pompoze që shuhen më shpejt se zgjatja e kohës së leximit të tyre; ndërsa nganjëherë, në ndonjë mbledhje të përbashkët të dy qeverive, një lloj spektakli televiziv me qëllime elektorale, lëvrojnë nga një çek me shuma qesharake për shqiptarët jashtë këtyre dy shteteve.
Për të vazhduar së lexuari nga faqja 436-444 klikoni këtu.
Për të mësuar më shumë rreth librit “Rrëfime lirie” klikoni këtu.